MEDITIMI I DITËS – NDËSHKIMI DHE LAVDIA
Written by Radio Maria on May 22, 2017
Gjn 16, 5-11 NDËSHKIMI DHE LAVDIA
Kërkoj hirin që të më mbushë fuqia e Shpirtit të Hyjit.
«Jezusi u tha nxënësve të vet: 5 Tani po shkoj tek Ai, që më dërgoi, dhe askush prej jush s’po më pyet: ‘Kah po shkon?’6 por, pse ju thashë këto, zemrat tuaja u mbushën me trishtim.»
Jemi në atmosferën e shkuarjes, të udhëtimit, siç ndodh kur dikush që e duam largohet për një kohë dhe përshëndetemi me të. Kjo gjë po ndodhte në ato çaste në dhomën e Darkës së fundit. Prapëseprapë, nxënësit nuk kishin guxim ta pyesnin. Kishin frikë të madhe. Ishin të pasigurt dhe të tmerruar. Koha e mundimeve ishte afër. Jezusi e përkujtonte këtë gjë si shkuarje. Ai e dinte se ku po shkonte, prandaj edhe mund të fliste kaq thjesht dhe hapur. Foli për kthimin, për shkuarjen në shtëpi, atje prej nga erdhi për ta kryer misionin e vet në tokë. Ai e dinte se Ati e priste. Shkoi në mënyrë të vetëdijshme dhe na e tregoi edhe neve se si duhet të shkojmë drejt vdekjes. Ne, përkundrazi, as që kemi dëshirë të mendojmë për vdekjen e lëre më të flasim për të. Vetëm mendimi për vdekjen na mbush me frikë, siç ndodhi me nxënësit e Jezusit. Sa bukur është kur në jetë takon njerëz që janë përplot me Shpirtin e Jezusit, të cilët vdekjen e shohin vetëm si kalim tek Ati, si diçka normale që i përket vetë jetës. Jezusi na e hapi derën e parajsës, jetës së pasosur. E kaloi rrugën e vdekjes dhe fitoi mbi vdekjen. Kjo gjë është ngushëllim dhe nxitje për ne. Shenjtërit i gëzoheshin takimit me Hyjin. Shën Françesku e quante vdekjen motër të vetën. Shën Injaci i Lojolës ishte aq i gëzuar dhe kishte aq ngushëllim shpirtëror për shkak se do të vdiste, saqë lahej në lot. Shumë shpesh i duhej ta largonte mendimin nga vdekja, që të mos kishte aq shumë ngushëllim.
A mendoj ndonjëherë se edhe unë duhet të nisem dhe nuk do të jem më këtu? O Zot, Ti shkove syhapur në vdekje. Më ndihmo që të mos kem frikë nga vdekja. Ti më pret. Ti je me mua në ato çaste të kalimit. Të falënderoj që mund të mbështetem në Ty. Të falënderoj që më përcjell.
«7 Por, unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju të shkoj, sepse, po s’shkova, Mbrojtësi nuk do të vijë te ju, kurse, po shkova, do ta dërgoj te ju.»
Sado që Jezusi tokësor ishte siguri dhe mbështetje për nxënësit e vet, prapëseprapë Ai iu tha se erdhi koha e shkuarjes së Tij dhe se kjo ishte gjë e mirë për ta. Në ato çaste, zemrat e tyre u mbushën me pikëllim dhe dhimbje. Kjo gjë ishte e kuptueshme, jo vetëm për shkak të ndarjes, por edhe sepse Jezusi kishte domethënie të madhe për ta. Ata ishin mësuar me Të dhe në Të i kishin vendosur të gjitha shpresat e veta dhe prisnin të gjitha të mirat tokësore. Tani, Jezusi po shkonte dhe të gjitha këto po zhdukeshin. Prandaj, Jezusi iu tha se ishte më mirë për ta që të shkonte. Ai shkoi që të mund të ishte i pranishëm dhe i bashkuar me ta në një mënyrë tjetër. Ndërsa ishte në turp, atë e kufizonte vendi dhe koha. «Trupi i Tij», sado që ishte i vërtetë dhe i qëndrueshëm, prapëseprapë ishte një perde që e ndalonte depërtimin e shikimit në thellësi të dërgimit dhe planit të Hyjit, shëlbimit të njerëzve. Jezusi, në kufijtë e natyrës së vet njerëzore, e plotësoi dërgimin. Tani, Ai shkoi dhe këta kufij u zhdukën. Shkoi që të mund të ishte i pranishëm në mënyrë të pakufishme, të amshuar, në çdo vend dhe realitet.
Për këtë arsye, Jezusi ishte i qetë dhe mund të fliste për shkuarjen e vet. Ai do të jetë edhe më tutje në mesin e nxënësve, në mënyrë të re; do të jetë i pranishëm përmes Shpirtit Shenjt. Shpirti nuk ka kufij. Është gjithkund i pranishëm. Kjo nuk do të thotë se Shpirti Shenjt do të jetë vetëm një «pasardhës» i Jezusit ose zëvendësi i Tij pas shkuarjes tek Ati. Shpirti realizon praninë e re të Jezusit mes besimtarëve të Tij. Me këtë Shpirt, Jezusi është bashkë me Atin jo vetëm në mesin e nxënësve dhe besimtarëve, por edhe në ta.
Na e dërgo, o Zot, Shpirtin Tënd, që të na mësojë të heshtim dhe të na ndihmojë që në brendinë tonë të rriten rrënjët e pemës që jep fryt. Na e dërgo Shpirtin që të na bëjë të ndalemi për ta dëgjuar Fjalën e Jetës larg ushtimës dhe zhurmës së stuhisë së fjalëve. Na e dërgo Shpirtin që të na mbëltojë në dashurinë e Hyjit të jetës, duke na bërë të frytshëm deri në fund. Na e dërgo Shpirtin që të shohim çfarë nuk kemi parë deri tani dhe që është dashur ta shohim.
«8 E kur të vijë Ai, do ta vërtetojë se bota e ka gabim në lidhje me mëkatin, me drejtësinë dhe me dënimin. 9 Në lidhje me mëkatin ‑ pse nuk besojnë në mua, 10 në lidhje me drejtësinë, ‑ pse po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më. 11 Në lidhje me dënimin pse princi i kësaj bote u dënua.»
Jezusin e gjykuan ditën tjetër. Ky ishte gjykimi që ia bënë botës sukseset, që nuk e marrin parasysh drejtësinë. Për një çast, veprat e Jezusit do të duken të gjykuara dhe të mposhtura. Në fund është e qartë: ky është gjykimi që ia bëri Jezusi botës, duke e lavdëruar vetveten. Shpirti Shenjt i vendosi sërish gjërat në të Vërtetën. Atëherë do të dihet se çfarë është mëkati, çfarë është drejtësia e çfarë është ndëshkimi. Mëkati dhe princi i kësaj bote do të zbulohen dhe do të ndëshkohen.
Pra, kemi nevojë për Shpirtin e Hyjit, për të dalluar drejt çka është mëkat e çka nuk është, ku është i keqi në veprim e ku vepron Shpirti i Hyjit. Duhet të dimë t’i dallojmë shpirtrat: Shpirtin e Hyjit prej shpirtit të keq.
Eja, o Shpirt Mbrojtës, forcoje njeriun tonë të brendshëm. Na mbro nga i keqi. Bano në ne që të mund ta ripërtërijmë fytyrën e tokës.