MEDITIMI I DITËS – NDERIMI THEMELOR I HYJIT ËSHTË DASHURIA

Written by on May 5, 2018

Gjn 15, 9-17 NDERIMI THEMELOR I HYJIT ËSHTË DASHURIA

 

Kërkoj hirin: që të dua të mbetem në dashurinë e Jezusit.

 

O Zot, na krijove në përngjasimin tënd. Prandaj jemi të hapur para dashurisë. Ndjejmë në vetvete aq fuqishëm që të tjerët të na duan që përmes dashurisë ta pranojmë përforcimin e jetës, që ta ndjejmë veten të mbrojtur dhe ta shohim kuptimin para nesh. Të na ke krijuar në përngjasimin tënd, o Zot, jemi të hapur para dhuratës së dashurisë dhe të aftë që dashurinë tonë tu dhurojmë të afërmve. Zakonisht kjo gjë na gëzon sepse në gëzimin e të afërmve i shikojmë frytet e dashurisë sonë.

Sot na thërret që gjithnjë e më shumë të vijmë pas teje në dashuri, domethënë që të duam njëri-tjetrin ashtu siç na deshe ti me dashuri të veçantë dhe rrënjësore e cila nuk ka kufij. Dashuria jote është dashuri deri në fund, deri në vdekje në kryq. E kemi të vështirë të vijmë pas teje në këtë rrugë. Marrim në thua në pengesat që para nesh i vendos egoizmi ynë. Kemi frikë se do të pasojmë humbje, sepse nuk i besojmë logjikës sate se vetëm duke dhuruar fitojmë gjithçka.

Të përjetoj, o Jezus, sot në mënyrë të veçantë si atë që e kërkon fuqishëm dashurinë tonë. Jam i bindur që e kërkon aq shumë pikërisht dashurinë time, dashurinë e secilit prej nesh dhe në mënyrë jetësore ke nevojë për ketë dashuri. Ti je i interesuar aq shumë për dashurinë e secilit prej nesh. E di se ty të mjafton dashuria e Atit, që prej saj dhe për atë dashuri të jetosh, por ti dëshiron të varesh edhe nga dashuria jonë. Ti që Ati në mënyrë të pashprehur të do, ke nevojë për dashurinë tonë. Na lutesh që të mbetemi në dashurinë tënde. Dëshiron të jesh i sigurt se e pranojmë dashurinë tënde, se nuk e refuzojmë, se nuk e nëpërkëmbim. Ti do që gëzimi jonë të jetë i plotë, që të ndjehemi të lutur në përqafimin tënd.

Jezus, të falënderoj për dashurinë tënde. E pranoj. Kam nevojë për të. Nuk mund ta paramendoj jetën time pa dashurinë tënde. Ajo është mbështetja më e sigurt e jetës sime. Të falënderoj për miqësinë tënde të cilën ma dhuron pa kushte, pa kërkuar asnjë peng që do të dimë ta kthejmë në të njëjtën mënyrë. Të falënderoj që na solle në bashkësi, në të cilën në plotësi na dhurove dashurinë e Atit. Sot po e pranoj në mënyrë të re. Po e marr dorën që ma shtrinë, po hyjë në zemrën e hapur për mua. Është krejtësisht e vërtet, o Zot, se pa ty nuk mund të bëjmë asgjë, se pa ty nuk mund ta jetojmë jetën e plotë dhe të vërtetë.

Mesha në të cilën marrë pjesë, o Jezus, le të jetë takimi im i ri me ty. Le të jetë takimi i zgjedhjes, i sigurisë dhe i dashurisë. Mbështetëm plotësisht në dashurinë tënde dhe të falënderoj se me pasurove me veten tënde.

Prapëseprapë, ti, Biri i dashur i Atit, vjen tek ne si lypës i dashurisë. Do që të duam ne që jemi aq të dobët edhe të pabesë. Këtë gjë e kërkon prej nxënësve të tu, këtë gjë e kërkon prej nesh. Kërkon dashurinë e plotë të zemrës sonë. Jezus, Zoti im, rri në dashurinë time. Po të zgjedh për mikun tim, po përcaktohem për ty. Dua që edhe gëzimi yt në mua të jetë i plotë, që ta ndjesh veten se të kam pranuar dhe të ndjehesh plotësisht i lumtur. Të falënderoj se në këtë mënyrë me lejon që ta gëzoj zemrën tënde e cila në mënyrë aq të pashprehshme me ka dashur. Ti e dhurove jetën për mua. Edhe unë tani po ta dorëzoj jetën time. Dua që në ty dhe për ty të jetoj dhe të vdes. Dua që me ty të jetoj përgjithmonë.

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend