MEDITIMI I DITËS – MUNDIMI DHE GËZIMI

Written by on May 25, 2017

Gjn 16, 20-23 MUNDIMI DHE GËZIMI

 

Kërkoj hirin që në lutje ta gjej lidhjen me amshimin dhe në të ta gjej paqen, dritën dhe gëzimin.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 20 Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them: ju do të qani e do të vajtoni e bota do të gëzojë. Ju do të trishtoheni, por trishtimi juaj do të kthehet në gëzim.»

Në bisedën me nxënësit, Jezusi iu kthye sërish bisedës për kryqin dhe për mundimet. Tashmë, çastet e fundit janë krejtësisht afër. Edhe pak kohë dhe do të shkonte në kopshtin e Gjetsemanit e aty do të fillonin mundimet. Ai iu foli për dashurinë, miqësinë dhe paqen. Mirëpo, në bisedën e Tij përsëritej vazhdimisht si refren mendimi i mundimeve. Gjatë kësaj kohe, Ai mendonte më shumë për nxënësit sesa për veten. Dëshironte që t’i qortonte para se të ndodhnin, sepse gjithçka do të fillonte pas pak çastesh dhe do të vërtetohej. Nxënësit do të vajtonin dhe do të dënesnin në dhimbjen e vet. Ngjarja e gjykimit dhe e vdekjes së Zotërisë së tyre do të ndikonte në ta në mënyrë shkatërruese. Kështu, gëzimi i botës do të paraqitej si më i fuqishëm, padrejtësia do të dukej më e fortë se drejtësia. Duhej që nxënësit ta duronin dhe ta përballonin këtë gjë. Jezusi dëshironte t’u ndihmonte që kjo gjë të mos i thyente dhe të mos i shkatërronte.

O Zot, shumë shpesh në mesin tonë e përjetojmë atë çka e përjetuan nxënësit e Tu pas Darkës së fundit. Frika vendoset në familje, bashkësi dhe në secilin prej nesh në mënyrë personale. Kemi frikë për shkak të jetës sonë, sepse dhuna dhe terrorizmi nuk i zgjedhin flitë e veta. Duke kërkuar lirinë dhe të drejtat, njerëzit nuk i zgjedhin as mjetet e as vendet për ta shprehur pakënaqësinë e tyre. Si pasojë e këtyre veprimeve, e gjejnë vdekjen njerëzit e pafajshëm. Kemi frikë prej mundësive që, në mënyrë të paskrupullt, ua ofrojnë fëmijëve dhe të rinjve televizioni, filmat, radioja, gazetat. Ata janë të paaftë për ta ruajtur veten nga dhuna e pamoralit. Kemi frikë që ta shpallim me krenari dhe lirisht Porosinë Tënde, sepse shumë herë na përqeshin dhe na poshtërojnë për këtë gjë. Kush mund t’i masë të gjitha frikësimet që zënë vend në brendinë tonë e që secili i njeh në mënyrë personale, frikësimet që na mundojnë e me të cilat mundohemi? Mund ta vazhdoj bisedën me Zotërinë për frikësimet e mia të përditshme që më ndalojnë.

O Zot, na duhet të kemi më shumë besim në praninë Tënde. Ti je me ne. Shpirti Yt është me ne. Na duhet të besojmë se do ta tejkalojmë frikësimin dhe pikëllimin tonë, se edhe ne do të gëzohemi. Na duhet të bashkohemi më shumë me Ty. Me përpjekjen tonë dhe me hirin Tënd, ne mund ta shndërrojmë pikëllimin tonë në gëzim. Ndonjëherë, e ndjejmë se, pranë situatave që nuk ndryshojnë dhe na shtypin, zemra jonë kërcen në gëzim dhe në ngushëllim. Edhe ne, sikurse nxënësit e Tu në ditën e ngjalljes, e përjetojmë zhdukjen e pikëllimit dhe mbushemi me gëzim e me paqe, të cilën mund ta japësh vetëm Ti. Të falënderoj për ato çaste ngushëllimi, në të cilat na viziton me hir, edhe pse ne nuk kemi kurrfarë merite.

«21 Gruaja, kur i lind fëmija, është në trishtim, sepse i erdhi ora e saj, porse, pasi i lind fëmija, nuk i bie më ndërmend vuajtja prej gëzimit që lindi një njeri në botë.»

Jezusi është shumë konkret. Merr një krahasim nga jeta, që ka domethënie të madhe. Njeriu i të gjitha kohëve ka pyetje të panumërta përpara problemit të vuajtjes. Kjo gjë e ka munduar dhe e mundon gjithmonë. Përse duhet të vuaj? Ai e kërkon kuptimin e vuajtjes së vet. Në vetvete nuk gjen përgjigje, ndërsa rruga e pjekurisë është e gjatë dhe e dhimbshme. Në këtë rrugë, disa ndalen, nuk durojnë. Disa dëshpërohen dhe bëhen kundërshtarë të fesë dhe të Hyjit. Vetëm disa e arrijnë pjekurinë në këtë rrugë dhe bëjnë gjëra shumë më të mira sesa po të mos e kishin pasur përvojën e vuajtjes.

Jezusi thotë se çdo vuajtje jep fryt. Është njësoj si lindja që ndodh në dhimbje, mirëpo kur lind fëmija, nëna përqendrohet plotësisht në të. Pas vuajtjes së dukshme, asaj i shfaqet në fytyrë buzëqeshja dhe gëzimi për shkak të jetës së re. Kështu, vuajta që pranon sjell gëzimin për shkak të njeriut të ri që vjen në botë.

«22 Kështu edhe ju: tani jeni të trishtuar, por unë prapë do të vij t’ju shoh e zemra juaj do të galdojë dhe askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj. 23 Atë ditë nuk do të më pyetni më për asgjë.»

Sa shumë dëshironte Jezusi që nxënësit e Tij ta kuptonin se koha e vuajtjes është kalimtare, se gjatë kësaj kohe duhet të ishin të durueshëm dhe të qëndrueshëm. Kjo gjë kishte rëndësi të madhe për nxënësit, por ka rëndësi të madhe edhe për ne. Kur të arrijë tundimi, kryqi, vuajtja dhe pikëllimi, njeriu është në rrezik të madh për t’iu nënshtruar. Sa të rëndësishëm janë njerëzit dhe fjalët që e sjellin optimizmin dhe guximin në ato çaste! Prandaj, Jezusi na thotë se pasi të ndodhin të gjitha këto, do ta shohim përsëri. Atëherë do të ndodhë gëzimi i vërtetë, të cilin nuk mund ta marrë askush.

O Zot, dua t’i thith këto fjalë me të cilat më ngushëllon. Kam nevojë për to. Dua ta kuptoj se vetëm gëzimin Tënd nuk mund të ma marrë askush. Ky është gëzimi, në të cilin mund ta ndërtoj gëzimin dhe shëlbimin tim. Ti ma dhurove këtë gëzim. Bëj që ta dëshmoj dhe ta jetoj. Kjo është gjëja më e rëndësishme në jetën time. Mirëpo, unë shumë herë nuk i kam parasysh fjalët e Tua dhe më vërshon pikëllimi, burimin e të cilit nuk e gjej dot. Shumë herë, gjërat e vogla, që nuk kanë vlerë, më bëjnë të pakënaqur. Më ndihmo që ta tejkaloj gjithçka. Tani, po të lutem për të gjithë njerëzit që janë të pikëlluar. Bëj që t’i përvetësojë gëzimi yt!

 


Current track

Title

Artist