MEDITIMI I DITËS – MUNDIMET DHE KRYQI

Written by on August 9, 2017

Mt 16, 13-23 MUNDIMET DHE KRYQI

 

Kërkoj hirin: që më besim ta pranoj mësimin e Jezusit për mundimet dhe kryqin.

 

Në atë kohë, 13 “kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet: “Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”14 Ata u përgjigjën: “Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

Ky është çasti i të vërtetës për nxënësit e Jezusit. Ai kërkon prej tyre informatën kthyese, si e pranojnë njerëzit atë gjë që ai e thotë, dhe si i përjetojnë ato gjëra të cilat ai i bënë. Ju jep rastin që të përqendrohen në qetësi dhe të vetëdijesohen për të gjitha ato gjera që dëgjuan prej njerëzve duke i thënë për të. Njerëzit e çmonin shumë Jezusin dhe kishin mendim të lartë për të. Ai është në shkallën e profetëve të mëdhenj që i përkisnin historisë së tyre.

Çfarë thonë sot, njerëzit për Jezusin? A u përpoqa ndonjë herë të flas më ta për të? Jezusi, më siguri është njëri për të cilin u shkrua më së shumti. Shkruajnë besimtaret dhe ateistet, teologët dhe filozofët, shkrimtarët dhe poetet. Mirëpo nuk ka rëndësi shumë të madhe të dish ose të shkruash për Jezusin, shumë më e rëndësishme është të marrim qëndrim ndaj tij dhe të përcaktohemi për të ose kundër tij.

15 “Po ju – u tha atyre – ç’thoni: kush jam unë?” 16 Iu përgjigj Simon Pjetri: “Ti je Mesia – Biri i Hyjit të gjallë!”

Ky është çasti i të vërtetës së nxënësve të Jezusit! Atyre iu duhen të marrin qëndrim personal përballë Jezusit. Ky është vendimi për Jezusin ose kundër tij. Të pranosh se Jezusi është Krishti, i Shuguruari, Biri i Hyjit të gjallë dhe të besosh në këtë gjë do të thotë të përcaktohesh për të me gjithë zemër dhe shpirt, mendje dhe vullnet. Kjo do të thotë të jesh i Jezusit.

17 Atëherë Jezusi i tha: “I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell!

Ky është çasti i të vërtetës së fesë sonë. Nuk kemi mundësi që të vijmë tek besimi në Jezusin vetëm me angazhimin dhe me forcat tona. Që të besojmë në Jezusin na nevojitet hiri. Ati qiellor duhet ta na frymëzoj dhe të na dhuroj hirin e fesë.

18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj! 19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.” 20 Atëherë i urdhëroi nxënësit që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

Jezusi i përgjigjet Pjetrit dhe i thotë kush është ai dhe kush do të jetë në planin e Atit për shëlbimin e botës. Simoni merr emrin e ri, bëhet Pjetër. Ky nuk ishte emër i zakonshëm personal në atë kohë. Jezusi e zgjedh sepse me të dëshiron të tregoj detyrën të cilën ia beson Simonit, detyrën të cilën ai duhet ta kryej. Simoni do të jetë shkëmbi në të cilin Jezusi do ta themeloi Kishën e vet. Jezusi dëshiron të formoj bashkësinë e besimtarëve e cila do të jetoj dhe do ta lavdërojë së bashku. Pjetri pranon rolin e përgjegjësit në këtë bashkësi. Ai do ta zëvendësoi Jezusin, është pasardhësi i Jezusit.

21 Që atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.

Ky është momenti i të vërtetës së plotë të Jezusit. Përpara tij është udha e vuajtjes dhe e mundimeve. Duhet të vdes, por pas kësaj do të ringjallet. Ky është misioni i plotë i të Shuguruarit, Birit të Hyjit të gjallë. Këtë gjë nxënësit e tij duhet ta kuptojnë dhe ta pranojnë. Përpara tij është pjesa më e rëndësishme e misionit që ka. Jezusi e paraqet këtu në pikat kryesore.

22 Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”

Kur Jezusi flet për mundimet, vdekjen dhe ringjalljen e vet përjeton mossukses të plotë dhe mospranim në nxënësit e vet. Mirëpo Ai është edhe më i vendosur. Në fjalët e Pjetrit dallon nxitjen e tundimit që vjen prej të Keqit. Me këtë tundim u takua në shkretëtirë para paraqitjes së vet publike. Prandaj e thërret Pjetrin me emër që nuk përmendet dhe largon prej vetes. Pjetri për një kohë shumë të shkurtër e përjetoi ngritjen më të lartë dhe rënien më të thellë. Ende po jehonin ne hapësirë fjalët me të cilat Jezusi e lavdëroi fenë e tij dhe fjalët për emrin e tij, por tani Jezusit ju desh të ndërhyj seriozisht dhe ta qortonte rreptë Pjetrin.

O Zot, bej që të dijë ta pranoj në plotësi porosinë tënde! Bëj që ta pranoj mundimin dhe kryqin si pjesë përbërëse të rrugës sime. Këtë rrugë ti e kalove para meje! Më jep fuqi që ta kaloj edhe unë.

 


Current track

Title

Artist