MEDITIMI I DITËS – MUNDËSIA PËR FITORE

Written by on March 9, 2019

E diela e parë e kreshmëve

Lk 1, 1-13 MUNDËSIA PËR FITORE

 

Kërkoj hirin: që në tundime të shoh rastin që të bëj një hap të ri drejt të mirës!

 

4 1 Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë, 2 ku, për dyzet ditë e tundoi djalli. Ndër ato ditë nuk hëngri asgjë e, kur ato kaluan, u urit. 3 Atëherë djalli i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, urdhëroji këtij guri të bëhet bukë.” 4 Jezusi iu përgjigj: “Thotë Shkrimi shenjtë: ‘Njeriu nuk mund të jetojë vetëm me bukë.’ ”

            Kjo skenë e tundimit të Jezusit na i hap horizontet e veçanta në të cilat nga e diela në të diele do të shohim paraqitjet e reja të cilat do të na drejtojnë drejt Pashkëve. Kjo do të thotë se jemi vendosur në kohën e kreshmëve në të cilën do të përpiqemi që t’i zbulojmë tundimet tona në të cilat i pasojnë ato tundime para të cilave nënshtrohemi por edhe para të cilave qëndrojmë të pamposhtur.

            Jezusi takohet me djallin. Në kohen e heshtjes, në ambientin e shkretëtirës, Jezusi dëshiron të jetë vetëm me Atin e vet. Mirëpo pikërisht në këto rrethana gjendet edhe një bashkudhëtar që e sulmon dhe i ka planet e veta. Atij i duket se ky është rasti i vërtetë dhe më i mirë që t’ia paraqes planin, planin e tundimit dhe të ngashënjimit.

            Tundimi i parë është logjik. Jezusi për një kohë të gjatë nuk ka ngrënë. Është i uritur. Njeriu i uritur është i gatshëm të pranojë gjithçka. Kështu mendon i Keqi. Duhet ofruar bukën Jezusit. E buka simbolizon të gjitha dëshirat të cilat pastaj duhet plotësuar dhe ngopur. Djalli ka oreks të madh: Jezusi duhet larguar nga dërgimi i tij. Duhet t’i ofrohet rruga tjetër. Mirëpo Jezusi në mënyrë të qartë dhe të vendosur përgjigjet. Buka është e rëndësishme, por nuk është e vetmja gjë e nevojshme për jetën e njeriut. “Nuk jeton njeriu vetëm prej buke!”

            O Zot, për aq shumë gjëra kam nevojë. Ndonjëherë nuk jam në gjendje të përballoj sulmin e publicitetit. Edhe pse shumë gjëra më lënë shijen e thartë në gojë, prapëseprapë vazhdoj të marrë nga sytarët e stërmbushur. O Zot, për çfarë kam nevojë ende? Dëshiroj që këto ditë të kreshmëve t’i kaloj më shumë duke menduar për ofertën shpirtërore të cilën e le pas dore. Secilën ditë do ta hap Biblën dhe do ta lexoj Fjalën tënde. Ajo le të bëhet dritë për hapat e mi.    

5 Atëherë e ngriti lart dhe, për një çast, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e botës, 6 e i tha: “Ty do të ta jap të gjithë këtë pushtet dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua dhe unë ia jap kujt të dua. 7 Nëse, pra, ti përkulesh në adhurim para meje, do të jetë krejt jotja.” 8 Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi shenjtë thotë: ‘Adhuro Zotin, Hyjin tënd, dhe vetëm atij shërbeji!’“

            Propozimi i dytë është më i fshehur dhe më dinak. Pushteti dhe fuqia, lavdia dhe zotërimi mbi tjetrin janë tundime të vazhdueshme për njeriun. Kjo është marrëdhënia dhe komunikimi i keq me tjetrin. Në këtë marrëdhënie tjetri më nënshtrohet dhe më shërben si mjet. Në këtë mënyrë bëhem tiran. Atëherë më se shumti pësojnë ata që janë më të vegjlit, më të dobëtit dhe më të pafuqishmit. A nuk janë fli e pushtetit tonë të mbrapshtë fëmijët e palindur të cilëve nuk iu mundësua lindja? A nuk janë fli e pushtetit tonë të mbrapshtë të vjetrit dhe të pafuqishmit të cilëve nuk ju lejohet vdekja e natyrshme njerëzore? Çfarë tiranish ka në rrethin familjar për të cilat ndonjëherë edhe dëgjojmë në lajme dhe mbetemi të tmerruar. Sa tiranitë ndodhin në afërsinë tonë në vendet e punës! Çfarë tiranie kryejnë masmediat kur paraqesin gjysmë të vërtetat ose gënjeshtrat më të cilat mashtrojnë opinioni publik! Kërkesa e djallit duket një hiç por është e tmerrshme: me adhuro! Shumë njerëz e pranojnë vetëm që ta kenë pushtetin. Jezusi është i qartë: Vetëm Hyji duhet adhuruar!

            O Zot, aq shumë gjëra janë në jetën time para të cilave bie në gjunjë. Përmbysem para çdo gjëje që më ka zotëruar. Edhe pse mendoj se jam i lirë dhe i pavarur. Sa herë si tiran sillem ndaj të tjerëve. Dëshiroj që në dritën e Fjalës sate t’i shikoj marrëdhëniet e mia ndaj të tjerëve dhe të shoh se kur sillem dhunshëm. Më ndihmo që t’i shoh këto gjëra. Ti je i vetmi i denjë që para teje të përkulem dhe të adhuroj.

9 Atëherë e çoi në Jerusalem, e vuri në majë të Tempullit e i tha: “Nëse je Biri i Hyjit, hidhu prej këtu poshtë, 10 sepse Shkrimi shenjtë thotë: ‘Hyji për ty do t’u urdhërojë engjëjve të vet që të të ruajnë’, 11 dhe ‘do të të mbajnë para duarsh, që të mos e vrasësh këmbën tënde në ndonjë gur.’” 12 Jezusi iu përgjigj: “Por u tha edhe: ‘Mos e tundo Zotin, Hyjin tënd!’” 13 Djalli, pasi i shfrytëzoi të gjitha trajtat e tundimit, u largua prej tij deri në kohën e volitshme.

            Më këtë tundim i Keqi e tërheq Jezusin në botën e magjisë dhe dëshiron që Ati të jetë në shërbimin e tij. Prandaj ky tundim është më i fshehti ndër të gjitha tundimet. Të kesh një marrëdhënie të tillë me Atin do të thotë të kesh marrëdhënie të keqe me të. Hyji është këtu për të më shërbyer, që diku mos të marr në thua, që çdo gjë të shkojë mirë… Nga ky kuptim që kemi për Hyjin dalin pyetjet: Përse me ndodhi kjo? Ose vërejtja: Nëse Hyji është, kjo gjë nuk do të guxonte të ndodhë. Jezusi edhe këtu është i qartë: Mos tundo! Kjo do të thotë ik prej meje!

            O Zot, me ndihmo që të mos përpiqem të bëj që çdo gjë të sillet rreth meje. Koha e kreshmëve le të jetë kohë e rritjes shpirtërore, kohë shprese në ty, kohë e përvujtërisë dhe e vetëmohimit. Lutja dhe agjërimi le të jenë mjete për t’u ndihmuar të tjerëve duke i vendosur në qendër të vëmendjes sime gjatë kohës së kreshmëve. Le të me përcjellin në udhën time. Kështu çdo tundim do të jetë rast që të bëj një hap të ri drejt teje.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend