MEDITIMI I DITËS – MOS KI FRIKË!

Written by on December 17, 2016

Mt 1, 18-24 MOS KI FRIKË!

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi është i pranishëm në jetën time.

 

Jozefi në ëndërr e mori zbulesën se Ti do të quhesh Emanuel, Hyji me ne. Ti, o Jezus, do të jesh në afërsi tonën, do të jesh afërsia jonë. Ti do të takosh njerëzit me zemër plot me dashuri. Ti do të jesh Shëlbimi i secilit njeri që me zemër të sinqertë e kërkon Hyjin.

Secilën herë kur në mënyrë kaq solemne na premton se do të jesh më ne, aq herë ky premtim është prani vepruese në mesin tonë, prani e gjallë në jetën e secilit që e hap zemrën para teje, ky është premtim i afërsisë sate si Shëlbues. Ti u mishërove dhe u bëre i dukshëm, more trupin tonë njerëzor, ece nëpër këtë tokë.

Mirëpo, misteri i pranisë dhe i afërsisë sate është në thellësinë e vërtetë të secilës zemër që Ty të do. Ti je i pranishëm në secilin njeri jo vetëm me trup, në mënyrë të dukshme, por je plotësisht i pranishëm me krejt qenien tënde, sepse deshe të ndërhysh edhe në misteret e zemrave të njerëzve që t’i zbulosh nevojat e thella njerëzore. Edhe në këtë gjë ia dole në mënyrë të përsosur. Jezus, ti vërtetë dite të ngushëllosh, sepse i dëgjon njerëzit deri në fund. Dite të shërosh, sepse deshe t’i zbulosh me kujdes të madh rrënjët e sëmundjes; ti dite të kthesh gëzimet, sepse syri yt i shikonte ashtu si duhet të gjithë të vuajturit dhe të varfrit. Kushdo që të afrohej Ty ndjente, se si ti, rastet nuk i zgjidh në mënyrë “seriale”, as nuk i largon nga vetja njerëzit me shpejtësi, por secilit njeri i afrohesh më kujdes të veçantë. Për Ty, secili njeri është i rëndësishëm, secili njeri është i veçantë, njeri që meriton kujdesin e Hyjit, dashurinë, mëshirën dhe ndihmën e tij.

Sa shumë duhet të turpërohemi para teje, o Jezus! Ne në takime jemi aq sipërfaqësor, aq të topitur dhe pa dëshirë, pa ndjenja, pothuajse nuk jemi aspak të pranishëm në marrëdhëniet tona. Shumë shpesh jemi të pranishëm pran njerëzve vetëm në mënyrë të jashtme, sepse mendimet, zemra, interesat tona qëndrojnë larg. Njerëzit i përpunojmë shpejt dhe ata për ne zakonisht nuk janë tjetër vetëm një barrë. Nuk dëshirojmë të jemi të paedukuar përball tyre, por ua mohojmë praninë e angazhuar përmes të cilës zbulohet dashuria e vërtetë e cila liron, ngushëllon, jep forcë, sjell dritë dhe gëzim në zemrat e njerëzve.

Jezus, ti vjen si Shëlbues, Emanuel! Hyji me ne! Ti dëshiron të jesh i tillë edhe sot në jetën e secilit prej nesh. Ti je më i pranishmi, ti je afërsia vetë. E realizove këtë gjë me mishërimin tënd, duke u bërë njeri, dhe e vërtetove këtë kur na le misterin e Trupit dhe të Gjakut tënd nën shenjat e bukës dhe verës. Të gjitha shenjat e jashtme të fesë tregojnë në mënyrë aq bindëse se Ti, o Jezus, edhe sot e kësaj dite angazhohesh me dashuri i pranishëm në jetën e secilit prej nesh dhe në secilën nevojë, gëzimi i secilit çast të jetës sonë.


Current track

Title

Artist