MEDITIMI I DITËS – MOS GJYKO
Written by Radio Maria on April 1, 2017
Gjn 8, 1-11 MOS GJYKO
Kërkoj hirin që të mos e gjykoj tjetrin, por të shoh lëshimet e mia.
1 Jezusi shkoi në Malin e Ullinjve. 2 Në mëngjes erdhi prapë në Tempull. Mbarë populli shkonte tek ai. Ai u ul e po i mësonte. 3 Atëherë skribët e farisenjtë i sollën para një grua të zënë në kurorëshkelje. E vunë në mes 4 dhe i thanë: “Mësues, kjo grua u zu ndërsa po bënte mëkatin e kurorëshkeljes. 5 Në Ligj Moisiu na urdhëroi që të tillat të vriten me gurë. Po ti çka thua?”
Jezusi u kthye nga Mali i Ullinjve dhe që në mëngjes herët ishte në Tempull. Mësonte popullin që vinte tek Ai. Përnjëherë u dëgjua një zhurmë e pazakonshme. Të gjithë bërtisnin drejt një njeriu. Papritmas, u paraqit turma e njerëzve që shtynin përpara një grua, të cilën e padisnin se kishte bërë kurorëshkelje, se e kishte tradhtuar burrin dhe për këtë gjë meritonte të vdiste. Kështu thoshte Ligji. Çdo gjë ishte më se e qartë. Por, ata donin që ta dëgjonin Jezusin. Çfarë do të thoshte Ai? Në të vërtetë, kjo pyetje nuk ishte gjë tjetër përveçse një kurth. Në qoftë se nuk e dënonte gruan, atëherë ishte kundër Ligjit, nëse e dënonte, ku mbeti mëshira e Tij? Mendonin se çfarëdo që të bënte, do të gabonte!
Gruaja, që ishte e tmerruar dhe e përbuzur pafundësisht, nuk u interesonte aspak. Me dhunë e vendosën në mes, në mënyrë që t’i përjetonte shikimet nënçmuese të turmës. Po ia shkelnin edhe atë pak dinjitet që i kishte mbetur. Kjo grua, si person, ishte e shkatërruar dhe e përvujtëruar deri në fund. Plot me turp i dëgjonte nënçmimet e turmës. Njeriu, shumë shpesh, në mënyrë epshore, di të kënaqet kur luan me të paditurin, të përvujtëruarin dhe të nënçmuarin.
6 Folën kështu për ta vënë në provë që të kishin për çka ta padisnin. Jezusi u përkul e filloi të shkruajë me gisht në dhe. 7 E, pasi ata vijonin ta pyesnin, ai iu drejtua e tha: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta gjuajë i pari gurin në të!” 8 Përsëri u përkul e vazhdoi të shkruajë me gisht në dhe.
Jezusi e kuptoi gjendjen në të cilën ishte gruaja. Ai e kuptoi edhe qëllimin e mësuesve të Ligjit dhe të farisenjve. Reagimin e Jezusit e priste edhe vetë gruaja. Para përvujtërimit, nënçmimit dhe mundimit të saj, Jezusi u tregua shumë i ndjeshëm. Ai nuk e pa në atë mënyrë që e shikonin të tjerët. Nuk e pa me shikimin e njeriut që nuk dëshiron të komunikojë me të. Jezusi nuk e pa, as nuk foli me të, sepse ajo nuk ishte e gatshme për të biseduar me Të. Kjo grua ishte përvujtëruar tepër shumë e nuk mund ta kuptonte Jezusin si duhet. Prandaj, Jezusi, së pari, bëri gjithçka që t’ia kthente dinjitetin personal, në mënyrë që pastaj ta fillonte bisedën me të. Prandaj, u përkul dhe filloi të shkruante në dhé.
O Zot, të falënderoj që na mëson se si duhet të sillemi! Nuk mund të komunikojmë me të tjerët si duhet, në qoftë se njerëzit janë të nënçmuar dhe pa dinjitet njerëzor.
Jezusi nuk dëshironte të fliste për gruan. Mirëpo, kur ata këmbëngulën që ta jepte gjykimin për këtë grua që e sollën para Tij, atëherë e tha atë gjë që askush nuk e priste: Ai e ktheu shikimin e secilit te mëkatet personale. Jezusi nuk ishte kundër Ligjit. Ai e dinte se ligjet dhe zakonet janë të nevojshme për jetën tonë. Mirëpo, Ai kishte diçka shumë më të rëndësishme se Ligjin. Kjo ishte zemra e njeriut. Kjo zemër duhej shëruar. Ai i shikonte veprimet e njerëzve dhe donte që t’i vlerësonte dhe t’i përputhte të gjitha.
9 Ata, kur e dëgjuan përgjigjen, nisën një nga një të largohen duke filluar prej më të vjetërve. Jezusi mbeti vetëm ‑ dhe gruaja që po qëndronte në këmbë në mes.
Duket qartë se të gjithë e kanë kuptuar përgjigjen e Jezusit. Askush nuk pati guxim ta hidhte gurin e as të rrinte aty. Në fund mbetën në atë vend, të vetmuar, Jezusi dhe gruaja që rrinte në mes. O Zot, kështu më mëson edhe mua. Edhe unë shumë herë nxitoj që t’i gjykoj të tjerët. Po të shikoja më shumë në lëshimet e mia, shumë shpesh do të mbetesha pa asnjë gur në dorë. Unë kam shumë më shumë gabime, lëshime dhe dobësi sesa të gjithë ata që i gjykoj.
10 Jezusi iu drejtua dhe i tha: “Grua, ku janë ata? Askush nuk të dënoi?” 11 “Askush, Zotëri!” ‑ iu përgjigj ajo. “As unë nuk po të dënoj ‑ i tha Jezusi ‑ Shko, por tani e tutje mos mëkato më!”
Vetëm tani Jezusi e shikoi gruan. «Grua, ku janë ata?» Ai nuk foli më për mëkatin e saj, por pyeti për ata që mendonin se ishin pa mëkat, që mendonin se kishin të drejtë të veprojnë me të tjerët ashtu si iu pëlqente. Ajo e ndjeu se Jezusi ia ktheu dinjitetin personal. Ajo e kuptoi se edhe ata që e sollën para Jezusit ishin mëkatarë. Jezusi foli kështu pikërisht për shkak të saj. Vështirë se mund të kenë mësuar diçka nga ky mësim farisenjtë dhe mësuesit e Ligjit. Mirëpo, Jezusi sikur të donte të thoshte: «Ajo që bëre është mëkat, mirëpo ata që të sollën tek unë nuk janë aspak më pak mëkatarë se ti». Ajo e kuptoi se Jezusi nuk e përligji, as nuk e arsyetoi, por e pa ndryshe prej atyre që e sollën tek Ai. Ai ia ktheu dinjitetin dhe njerëzinë që ata ia shkelën, ia nënçmuan dhe ia morën. Më në fund, erdhi edhe gjykimi i Jezusit: «As unë nuk po të gjykoj. Shko dhe që tani mos mëkato më». Këto fjalë më duhet t’i përsëris brenda meje. Më duhet t’i mësoj mirë.
O Zot, Ti më flet edhe mua. Këto janë fjalët më ngushëlluese që mund t’i dëgjoj nga goja Jote. Kur meshtari në rrëfim thotë lutjen e zgjidhjes prej mëkateve, je Ti ai që zgjidh dhe fal. Edhe mua më thua se nuk më dënon. Më ndihmo që ta kuptoj mirë këtë gjë. Më ndihmo që pas takimit me Ty, në Sakramentin e mirësisë, të përpiqem që të jem më i mirë. Gjithmonë, pasi ma jep faljen, më thua: «Shko dhe që tani mos mëkato më!»