MEDITIMI I DITËS – MOS DRUAJ

Written by on April 28, 2017

Gjn 6,16-21 MOS DRUAJ

 

Kërkoj hirin që, edhe kur jam në errësirë, të besoj se Jezusi është me mua.

 

«16 Kur u bë natë, nxënësit e tij zbritën në det, 17 hynë në lundër e u nisën për në anën tjetër të detit, për në Kafarnaum.»

Pasi e shumëzoi bukën në mënyrë të mrekullueshme, Jezusi i dërgoi nxënësit për në Kafarnaum, ndërsa Ai vetë do të tërhiqej në vetmi. U tërhoq në mal, në qetësi. Për Jezusin, të rrinte në vetmi, do të thoshte të rrinte me Atin. Për të, kjo kohë nuk ishte kohë që t’i dorëzohej një gjëje të pajetë, as hyrje në izolim, nuk ishte as kohë e ushtrimeve të përqendrimit dhe e stërvitjes vetjake, në të cilën grumbullonte fuqitë për të vazhduar udhëtimin. Kjo kohë gjithashtu nuk përbënte vendin personal, në të cilin nuk mund të afrohej askush, siç e kuptojmë shpesh ne kohën e lirë dhe kohën tonë të pushimit. Jezusi tërhiqej në vetmi që të jetonte në mënyrë intensive me Atin në lutje. Edhe pse nga jeta e Jezusit, është shkruar më së shumti për veprimtarinë e tij aktive, Ai ketë veprimtari e themelonte krejtësisht në këto çaste të pasura që kalonte me Atin në lutje. Çdo gjë në jetën e Tij buronte prej këtij takimi me Atin, prej lutjes dhe kthehej në lutje. Lutja ishte korniza, në të cilën Ai e realizonte jetën e vet në mënyrë aktive.

O Zot, unë nuk di ta vlerësoj mjaftueshëm lutjen time, takimin tim me Ty. Kaloj shumë kohë duke lëvizur, ngutem dhe nuk tërhiqem në vetmi. Kam frikë të ndalem, kam frikë të hesht. Kur përpiqem që, gjatë ditës, t’ia përkushtoj ndonjë çast takimit me Ty, ndjehem i lodhur ose për këtë takim i harxhoj mbetjet e kohës sime. Shumë herë as nuk arrij të them se nuk di të lutem. Nuk di si ta ndërtoj atmosferën e heshtjes që ta dëgjoj vërtet zërin Tënd? Si të përqendrohem nga shkapërderdhja ime? Dëshiroj të të dorëzohem vetëm Ty. Dëshiroj të të dorëzohem Ty, si të ulesha «në një dorë të madhe!»

«Ishte errur e Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. 18 Deti u trazua nga era e fortë që frynte.»

Nata gjithmonë sjell me vete njëfarë frike dhe gjëra të panjohura. Këtë gjë e përjetojnë në mënyrë të veçantë të sëmurët dhe njerëzit që kanë vështirësi. Forcat e të keqes sikur janë më të forta dhe më të egra gjatë natës. Njeriu e ndjen veten më të pafuqishëm dhe më të humbur. Këtë gjë e përjetuan konkretisht nxënësit e Tu. Nata ishte plot shtrëngatë. Shën Gjoni ishte në barkë. Së bashku me të tjerët, ai luftonte me shtrëngatën dhe me detin e tërbuar. Ishin peshkatarë dhe e njihnin detin. Ata e njihnin Jezusin, por e njihnin edhe dobësinë njerëzore kur ndizej lufta. Ishin shumë të frikësuar.

Nata e luftimit, e mundimit dhe e përpjekjeve vazhdon deri më sot. Aq shpesh, o Zot, ndjehem se përballem me të njëjtën situatë që u përballën nxënësit e Tu. Përpos të gjitha përpjekjeve, mossuksesi është rezultati i arritur. Nuk e ndjej praninë Tënde dhe frika hyn në jetën time, si të mos ishe fare. Si të më kishe braktisur në duart e fuqive të kësaj bote, fuqive të natës që i përngjajnë detit të tërbuar. Mos lejo që të mbytem, o Zot! Më jep forcë që të mos i lejoj fuqitë shkatërruese të vendosen në mua. Më ndihmo që të mos e lejoj errësirën të më mbizotërojë. Më ndihmo që të kem më shumë besim në Ty, që të besoj më shumë që Ti je gjithmonë afër meje.

«Pasi rremuan rreth njëzet e pesë apo tridhjetë stadje, panë Jezusin duke ecur përmbi det e po i afrohej lundrës. I kapi frika. 20 Ai u tha: “Unë jam! Mos druani!»

Shën Gjoni nuk mund ta harronte këtë ngjarje. Mësuesi i tyre, që i kishte «befasuar» aq shpesh me ndërhyrjet e veta, me fjalët dhe veprimet, iu afrua duke ecur nëpër det. Hëngrën me Të, udhëtuan me Të, u lodhën së bashku, qenë uritur së bashku, i mbuloi pluhuri së bashku, në çdo gjë ishte afër tyre dhe në gjithçka iu përngjante. Mirëpo, kishte raste kur Mësuesi i Nazaretit, edhe pse e kishte trupin e njeriut të zakonshëm, kishte pushtet t’i tejkalonte të gjitha ligjet natyrore, të cilave iu nënshtrohej trupi. Atë e përshkonte Shpirti i Hyjit dhe tregonte zotërimin mbi të gjitha ligjet e natyrës, që i tejkalonte. Kjo gjë, në këtë natë, i befasoi dhe i tmerroi. Kishin nevojë për qetësim dhe ngushëllim.

Njeriu ka frikë kur takohet me Hyjin. Frikësohet sepse e ndjen vogëlsinë e vet, ndjehet sa i parëndësishëm është përballë gjithëpushtetësisë së Hyjit. Jezusi erdhi që ta mësonte njeriun të rrijë me Hyjin dhe të mos frikësohet. Kush është i afërm me Jezusin, nuk ka frikë nga Hyji. Jezusi e mëson se falë hirit të Shpirtit Shenjt, të cilin e mori si dhuratë, ai mund t’i thotë Hyjit: Atë!

«21 Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar.»

Këtu, para syve të nxënësve, u paraqit edhe një shenjë e mistershme. Së bashku me Jezusin arritën menjëherë aty ku ishin nisur. Jezusi vërtet nuk iu nënshtrohet ligjeve natyrore. A do t’u ndihmonin të gjitha këto nxënësve që ta kuptonin më mirë fjalën e Jezusit për trupin dhe ushqimin e Tij, që Ai do ta shpallte në sinagogën e Kafaranumit? Pasi i përjetuan krejt këto me Jezusin, fjala e Tij nuk do t’i godiste nxënësit sikur të tjerët në sinagogë.

O Zot, dëshiroj që edhe unë të gjendem me Ty «atje ku jam nisur». Më ndihmo të dal nga shtrëngata që është vërsulur mbi mua. Kam frikë nga «fantazmat» e ndryshme, që i sjell nata gjatë udhëtimit të jetës time. Ji afër meje! Dua ta dëgjoj fjalën Tënde: «Unë jam! Mos ki frikë!» 

 


Current track

Title

Artist