MEDITIMI I DITËS – MIRËSIA E TË AFËRMIT

Written by on September 9, 2017

Lk 6, 6-11 MIRËSIA E TË AFËRMIT

 

Kërkoj hirin: që të dijë ta dalloj mirësinë e të afërmit dhe ta vendos para formalizmit të thjeshtë njerëzor.

 

6 Një të shtunë tjetër Jezusi hyri në sinagogë e filloi të mësojë.

Përsëri është e shtunë. Shën Luka e përcjell Jezusin në paraqitjet dhe veprimtaritë që i bënë të shtunën. Nga të gjitha këto bëhet e dukshme se sa e nderonte të shtunën Jezusi dhe nuk e shkelte në ato gjëra që ishin burimore, ashtu si e kishte krijuar Ati i tij, si Ditë të Hyjit. Përsëri, në anën tjetër na bie në sy liria e tij e plotë për të gjitha ato gjëra që të shtunën e ngarkonin dhe e bënin të rëndë, pothuajse të padurueshme siç e kishin bërë më përcaktimet e tyre farisenjtë dhe skribët. Jezusi na mëson se ekzistojnë urdhërimet të cilat duhet t’i zbatojmë me besnikëri, sepse i dha Hyji dhe janë për të mirën tonë. Na duhet të jemi besnik ndaj tyre dhe nuk guxojmë as t’i zhvlerësojmë as t’i nënçmojmë. Këtu e zë vendin e parë Mesha e të dielës, lutja e përditshme, jeta sakramentale dhe urdhërimet tjera të Hyjit. Të gjitha këto janë të domosdoshme për jetën e fesë. Të gjitha këto duhet zbatuar me përpikëri sepse e ripërtërinë fenë tonë duke na ushqyer dhe duke na dhënë fuqi.

Ishte aty një njeri që e kishte dorën e djathtë të thatë. 7 Skribët e farisenjtë nuk ia ndanin sytë a mos po shëron të shtunën, që, kështu, të kishin për çka ta paditnin.

Në sinagogë është njeriu me dorë të thatë i cili ka nevojë për t’i ndihmuar. Mirëpo këtu janë edhe përcjellësit besnik të Jezusit, farisenjtë, korrigjuesit e jetës së besimtarëve. Ata, Jezusin nuk e dëgjojnë me zemër as nuk përpiqen për të kuptuar stilin e sjelljes së tij as të shpjegimit të së shtunës. Ata hetojnë. Për ta ka rëndësi preja. Nuk janë të interesuar a ka njeriu për ndihmë apo jo, nuk janë në kujdes për t’i ndihmuar, edhe pse kanë nevoja të mëdha. Ka rëndësi që ta tejkalojnë Jezusin, ta zënë në gabim dhe ta gjykojnë pikërisht, pse i bënë mirë njeriut. Sa mirë dimë të jemi në shërbim të të Keqit kur më të afërmit në familjet tona, në bashkësi, në afërsinë tonë, në vendin e punës, i përcjellim që t’i zëmë në gabim, që t’i tejkalojmë, tu kundërshtojmë dhe t’i gjykojmë. I afërmi nuk ka të drejtë të bëj as mirë, në qoftë se kjo e mirë nuk është ashtu siç e kemi menduar ne.

8 Jezusi ua dinte mendimet e i tha njeriut që e kishte dorën e thatë: “Çohu e dil në mes!”Ai u ngrit e qëndroi në këmbë.

Jezusi lexon mendimet e brendshme të farisenjve. I di qëllimet e tyre. E di përse janë këtu dhe çfarë kërkojnë. Mirëpo Jezusi gjithashtu e di cili është dërgimi i tij: ai erdhi për ta shpëtuar njeriun dhe që t’i ndihmojë, ta shërojë njeriun. Kjo është më e rëndësishmja dhe kësaj gjëje duhet t’i nënshtroj gjithçka, qoftë edhe të shtunën, siç e kishin përftuar farisenjtë duke e shkelur. Këtu kemi rastin e jashtëzakonshëm për bashkëbisedim. Jezusi dëshiron të shpjegojë disa realitete të cilat farisenjtë i kanë harruar plotësisht. Ai do ta vendos renditjen e vërtetë të vlerave. Ai njëriun e vendos në mes. Bashkëbisedimi mund të fillojë.

9 Atëherë Jezusi vazhdoi: “Ju po ju pyes: a është e lejueshme të shtunën të bësh mirë apo të bësh keq, t’ia shpëtosh jetën ndokujt apo t’ia humbasësh?” 10 Si i shikoi rreth e rrotull të gjithë, i tha atij: “Shtrije dorën!”Ai bëri ashtu e dora iu shërua. 11 Ata u tërbuan dhe kuvendonin mes tyre çka të ndërmarrin kundër Jezusit.

Farisenjtë nuk prisnin zhvillimin e tillë të ngjarjeve. Jezusi i thërret përball të gjithëve në sinagogë dhe ua bënë dy pyetje. Këto pyetje janë aq të drejtpërdrejta sa që përgjigja e sinqertë në to nuk e kundërshton veprimin të shtunën as nuk e prish aspak ditën e Hyjit, përkundrazi e vlerëson. Të bësh mirë dhe ta shpëtosh jetën është gjëja më e lartë dhe më e mirë që njeriu ka mundësi ta bëj të shtunën. Më këtë gjë lavdërohet Hyji, e pra e shtuna duhet të jetë ditë e lavdërimit të Hyjit. Ky është përcaktimi i saj themelor. Në këtë mënyrë e ka paramenduar Hyji që nga fillimi. Dyshimi ishte: të bësh veprën e mirë, t’i ndihmosh njeriut dhe në ketë mënyrë ta lavdërosh Hyjin, ose t’i mbetesh besnik urdhrit formal që ndalon veprimin të shtunën. Jezusi u ngrit gjithmonë kundër formalizmit që e ngatërronte njeriun. Prandaj i shikon rreth e rrotull. Ai më këtë gjë dëshiron tu thotë: kuptoni tashmë se kush është më i rëndësishëm, njeriu apo përcaktimi të cilin ju e keni bërë? Farisenjtë e kuptuan mirë domethënien e këtij shikimi, por nuk e pranuan.

O Zot, po të lutem, më ndihmo që mos të jem formalist dhe mos t’i zbatoj urdhërimet vetëm pse janë urdhërime, por në to ta shikoj dashurinë tënde më të cilën dëshiron të më ndihmosh. Bëj të kuptoj se si ndihma të cilën dëshiron të na besh edhe ne sot, është ndihmë që do ta shpëtojë jetën tonë.

Farisenjtë nuk qenë të gatshëm ta pranojnë as porosinë as mësimin e Jezusit. Në të vërtetë, ata nuk e pranuan Jezusin, sepse nuk i përgjigjej figurës së Mesisë që e kishin pikturuar ata dhe për këtë gjë kishin rënë në marrëzi. O Zot, kur veproj sipas dëshirave, atëherë edhe unë jam në marrëzi. Kur dëshiroj të plotësoj dëshirat e mia pa i konsideruar aspak urdhërimet e tua dhe nevojat e të afërmit, atëherë kam humbur arsyen. Më fal dhe më ndihmo që të jetoj sipas Shpirtit tënd.

 


Current track

Title

Artist