MEDITIMI I DITËS – MIRËNJOHJA NDAJ HYJIT

Written by on November 8, 2016

Lk 17, 11-19 MIRËNJOHJA NDAJ HYJIT

 

Kërkoj hirin që ta falënderoj Hyjin për të mirat e tij.

 

Në atë kohë, 11 duke urdhëruar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. 12 Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg 13 e filluan të bërtasin: »Jezus, Mësues, ki dhimb për ne!«

Jezusi është në udhë. Koha është e bukur, sepse jemi në fillim të pranverës. Udha është në drejtim të Jerusalemit, ku do ta mundojnë. Është i vetëdijshëm për çdo gjë që e pret dhe e di se ku po shkon. Në këtë rrugë, shkon plotësisht i lirë, në mënyrë të vetëdijshme dhe me vullnet të lirë. Kjo është rruga e shëlbimit të njeriut.

Në këtë rrugë ndodh një takim i pazakontë. Është takim në largësi. Dhjetë të gërbulur nga larg, me flokë të shprishur dhe me petka të shqyera, siç kërkonte ligji i Moisiut, bërtasin dhe klithin. Këta janë më të varfrit ndër të varfër, njerëzit më të përjashtuar në mesin e të përjashtuarve. Nuk guxojnë të përzihen me njerëz. Kjo paraqitje është shumë tronditëse dhe e dhimbshme. Dhjetë njerëz fshajnë nga thellësia e zemrës, aq sa ka mundësi të fshajë njeriu, të cilin e shtyp vështirësia e madhe.

14 Kur i pa u tha: »Shkoni e paraqituni priftërinjve!« E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.

Kjo është lutja që del prej thellësisë së zemrës, lutje e sinqertë dhe e përvuajtur, e fuqishme dhe bindëse. Kjo është klithja e zemrës që kërkon shpëtimin, lutet për çlirim, për kthim të ri në bashkësi. Kjo ofshamë lutjeje, «Ki mëshirë për ne», është lutje që e përdorim aq shpesh në liturgji. Njerëzit ofshajnë, sepse janë të përjashtuar nga shoqëria. Të tjerët i konsiderojnë mëkatarë, sepse gërbula është simboli i mëkatit. Pësonin dhimbje në trup, por edhe më shumë në shpirt. Jezusi i dërgon që të paraqiten te priftërinjtë. Kjo ishte shenja se do të pastroheshin, sepse priftërinjtë, sipas Ligjit, duhet të vërtetonin pastrimin e tyre. Është e qartë se këta njerëz kishin besim në Jezusin dhe se i besuan fjalës së tij, sepse menjëherë u nisën në udhë, gjatë të cilës u pastruan.

A di që të ofshaj në nevojat e mia para Zotërisë? A kam besim në Jezusin se do të më ndihmojë? Cila gërbulë më mundon mua? Sipas ritmit të frymëmarrjes, do të them: «Jezus, Mësues, ki mëshirë për mua!» Le të jehojë kjo lutje në thellësinë time, le të më ushqejë dhe le të më mbushë.

15 Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. 16 Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas.

Çfarë gëzimi i mbushi dhjetë burrat kur filluan të shohin se gërbula po zhdukej prej tyre dhe se ishin të shëruar dhe të pastër. Kjo ishte rilindja për të cilën ishin të vetëdijshëm dhe ajo po ndodhte para syve të tyre. Njëri prej tyre u kthye te Mësuesi që ta falënderonte. Të gjithë u pastruan gjatë rrugës, mirëpo vetëm ky u kthye që ta falënderonte. Ai ra te këmbët e Jezusit dhe e falënderoi me përvujtëri të thellë. Kjo është pamje e jashtëzakonshme, e njëjtë me pamjen e fillimit, kur të gërbulurit kërkonin ndihmë. Lutja për ndihmë, tani, u shndërrua në lutje falënderimi.

O Zot, më ndihmo që t’i shoh bamirësitë e tua me të cilat më mbush. Dëshiroj të të falënderoj për gëzimin, për fatin dhe për të gjitha hiret që më dhe.

Është e rëndësishme, që në përfundim të ditës, të ulemi te këmbët e Hyjit dhe ta falënderojmë për çdo gjë që kemi përjetuar. Është e nevojshme që, në çastet e gëzueshme të mirësisë dhe të hirit, të bëhemi të vetëdijshëm për to. A di ta falënderoj Hyjin për familjen, burrin, gruan, fëmijët, prindërit, gjyshërit, a di të falënderoj për shëndetin, punën, suksesin? A di të falënderoj për secilën ditë të re, për ajrin dhe ujin, për ushqimin dhe shëndetin? A di të falënderoj për…? Më duhet të kem vetëm pak imagjinatë që t’i shoh aq shumë gjëra dhe njerëz, për të cilët më duhet ta falënderoj Hyjin. Ta falënderoj për Eukaristinë, trupin e Krishtit, me të cilin më ushqen.

17 Jezusi mori fjalën e tha: »Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? 18 A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? 19 Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!«

Po, pra! Vetëm një u kthye ta falënderonte. Ndoshta të tjerët, nën ndikimin e gëzimit të madh, vrapuan te të vetët që t’i lajmëronin? Ndoshta, gëzimi i madh i vërshoi aq shumë, saqë nuk dinin se çfarë të bënin më parë? Ndoshta nuk u kujtuan se duhet ta falënderonin Jezusin së pari? Ndoshta …? Kush e di.

I huaji, Samaritani, njeriu të cilin hebrenjtë e nënçmonin, e kuptoi më mirë mirënjohjen dhe ishte më afër fesë së vërtetë sesa ata, që e konsideronin veten besimtarë. Jezusi e pranon besimin e tij dhe e shpërblen. Dëshiron t’i thotë: Të gjithë u shëruat, edhe nëntë të tjerët të cilët nuk janë këtu, sepse besuat, mirëpo në ty, përveç fesë, jeton edhe falënderimi. E qartë, Hyji pret që të jemi mirënjohës ndaj tij. Psalmisti na fton: «Falënderoni Zotin sepse është i mirë, sepse e amshuar është dashuria e tij!» Fjala «faleminderit» duhet të jetë fjala më e shpeshtë në buzët tona dhe në marrëdhëniet me njëri-tjetrin.

 


Current track

Title

Artist