MEDITIMI I DITËS – MIQËSIA

Written by on May 18, 2017

Gjn 15, 12-17 MIQËSIA

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj madhërinë e vërtetë të dashurisë, për të cilën flet dhe e dëshmon Jezusi.

 

«Jezusi u tha nxënësve të vet: 12 Ky është urdhri im: duajeni njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju!»

Biseda që e bëri Jezusi në mbrëmje me nxënësit e vet, përpara mundimeve, përmbante fjalët: dashuri, paqe, gëzim, urdhërime, miqësi. Në fjalimin e vet, atë natë, Ai kthehej vazhdimisht në thelbin e porosisë së vet: nxënësit duhej t’i ruanin urdhërimet e Tij, nëse donin të mbeteshin në dashurinë e Tij. Duhet të ishin të lidhur me Të, ashtu siç ishte i lidhur shermendi me hardhinë. Kur donte t’ua thoshte të gjitha në mënyrë krejt të përmbledhur, thjesht dhe kuptueshëm, atëherë Ai fliste vetëm për një urdhër të vetëm: «Duajeni njëri‑tjetrin sikurse unë ju desha ju!» Në zbatimin e këtij urdhri, realizohet ose mbetet e parealizuar jeta e nxënësit. Përsëri, Jezusi, ua dha nxënësve të tij për shembull dashurinë e vet. Nuk donte të fliste për dashurinë në mënyrë teorike, por konkretisht. Nuk iu foli për ndonjë dashuri të pasuksesshme, as të dëshpëruar, siç bëjmë ne kur flasim ose kur shkruajmë poezi. Nuk iu foli për ndjenja të lënduara. Ai thjesht donte t’u thoshte se si duhej të ishte dashuria e tyre për njëri-tjetrin.

O Zot, deshe që thellë në vetëdijen dhe në zemrën e nxënësve ta vendosje kuptimin e vërtetë dhe zbatimin e dashurisë. Prandaj, Ti fole për dashurinë si urdhër, domethënë për diçka që nuk mund ta bëj, ta interpretoj e as ta shoh sipas dëshirës time. Çdo dashuri e vërtetë kërkon shumë dhe është serioze. Ti, në dashurinë Tënde, e dhe gjithçka dhe kërkove që nxënësit e Tu të bënin si Ti. Ti e kërkove këtë gjë, sepse vetëm kështu ata do ta kishin dashurinë e vërtetë.

Kjo kërkesë më përket mua. Edhe unë kur i dua të tjerët, bëj atë gjë që Ti e do shumë. Edhe mua më duhet të jem shumë konkret. Nuk guxoj që në lutjet e mia të mendoj për ata njerëz që janë në anën tjetër të botës, duke dashur të bëj diçka për ta. Dashuria e ime nuk duhet të rritet me «katrorin e largësisë». Më duhet ta shikoj jetën time të përditshme: rregulltare, meshtarake, familjare, profesionale. Si është dashuria ime ndaj të tjerëve? Çfarë presin me të drejtë të tjerët prej meje? Nëse jam baba dhe nënë në familje, nëse i edukoj të tjerët, nëse jam mjek dhe infermiere, nëse punoj në kopshtin e fëmijëve ose në azilin e pleqve, nëse jam mësues, nëse… Kaq të shumta janë punët dhe detyrat që i bëjmë për njëri-tjetrin, saqë askush nuk do të mund t’i numëronte të gjitha! Çdo njeri i di detyrat e veta, e di përmasën e dashurisë ndaj të tjerëve dhe duhet ta pyesë veten se si i përmbush ato. Unë po e pyes veten para Teje, o Jezus.

«13 Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. 14 Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë.»

Sa këngë u kënduan për dashurinë! Sa letra u shkruan! Sa njerëz i betohen njëri-tjetrit për dashuri! Prapëseprapë, në asgjë tjetër njerëzit nuk janë më të dëshpëruar sesa në dashuri. Në asgjë tjetër nuk qenë më të pasuksesshëm sesa në dashuri. Duket se njeriu i sotëm nuk ka për asgjë aq shumë etje sesa për dashurinë e vërtetë. Askush nuk e ka treguar si Jezusi se cila është madhëria e dashurisë: të japësh jetën për miqtë e tu! Kështu Ai e tregoi qartas drejtimin drejt të cilit shkon dashuria e vërtetë. Ajo duhet të bëhet vepër dhe nuk duhet të mbetet vetëm në fjalë dhe ndjenja. Zotëria do ta dëshmojë këtë gjë në kryq. Ai nuk do të ruajë asgjë për vete, do që të na dhurojë gjithçka. Masa e dashurisë është kryqi. Kemi nevojë të rrimë para Tij dhe të bëhemi të vetëdijshëm.

O Zot, ndoshta prej meje nuk do ta kërkosh këtë radikalitet në dashuri, që ta dhuroj jetën time për miqtë e mi. Mirëpo, kërkon që çdo ditë, në gjëra të vogla dhe vepra, ta dëshmoj dashurinë time ndaj atyre me të cilët jetoj. Eja tek unë dhe ji në mua që të kem mundësi t’u dhuroj dashuri të tjerëve konkretisht në jetë. Nëse ia dal në këtë gjë, do të jem miku Yt dhe kjo gjë do të më mbushë me gëzim dhe paqe.

«15 Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.»

Miqësia është një temë, për të cilën njeriu është gjithmonë i ndjeshëm. Kërkojmë miq dhe duam të jemi miq. Jezusi do që të jetë mik dhe do që të ketë miq. Edhe këtu na befason me kuptimin që e ka për miqësinë. Edhe ne jemi miqtë e Jezusit, nëse bëjmë çfarë na urdhëron. Ai na e dëshmon atë çka ekziston mes Tij dhe Atit. Më këtë gjë, Ai më vendos në botën e Hyjit. Sado i dobët dhe mëkatar të jem, marrëdhënia e dashurisë dhe miqësisë ndërtohet mes meje dhe Atit në qiell nëpër Jezusin dhe Shpirtin Shenjt, që e përhap dashurinë dhe miqësinë në zemrën time. Kështu nuk jam skllav, por njeri që i përket Jezusit, Hyjit; jam mik i Shpirtit Shenjt.

«16 Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. 17 Këtë gjë ju urdhëroj; duajeni njëri‑tjetrin!»

Po, nisma vjen gjithmonë prej Jezusit. Nga Ai, e marrim çdo të mirë. Ai është Mik dhe Zotëri.

 


Current track

Title

Artist