MEDITIMI I DITËS – MËSIMI I LUTJES
Written by Radio Maria on March 6, 2017
Mt 6, 7-15 MËSIMI I LUTJES
Kërkoj hirin që Zotëria të më mësojë që të lutem.
7 “E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni”.
Para se ta luste në mënyrë personale lutjen «Ati ynë», Jezusi iu dha nxënësve këshilla se si duhej të luteshin. Nuk duhet të shtojmë fjalë pa fund. Vlera e lutjes nuk është në fjalët e shumta. Ka rëndësi zemra e përvuajtur dhe e thjeshtë. Ati e di se për çfarë kemi nevojë. Por, Ai në të njëjtën kohë dëshiron që dëshirat dhe nevojat tona t’ia paraqesim me përvujtëri dhe sinqeritet.
Ka rëndësi të madhe që të hapemi në lutje, të jemi të vetëdijshëm se jemi në praninë e Hyjit. Ky është hapi i parë që duhet ta bëj, duke iu dorëzuar Hyjit në lutje. Hyji është këtu, Ati qiellor më shikon dhe unë jam para Tij. Unë e di se Ai më do. Kjo gjë më mbush me shpresë se më dëgjon, derisa përpiqem që ta them lutjen time para Tij.
9 Prandaj lutuni kështu: Ati ynë që je në qiell, u shenjtëroftë Emri yt! 10 Ardhtë Mbretëria jote! U bëftë vullneti yt si në qiell ashtu në tokë! 11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot! 12 Na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë! 13 E mos na lër të biem në tundim, por na shpëto nga i Keqi!
Jezusi është mësues dhe shembull i njeriut që lutet. Ai do që të lutemi kështu: thjesht dhe nga zemra. Hyjit mund t’i them «Atë!». Kjo është ajo fjalë që e shqipton fëmija plot me dashuri dhe besim ndaj babait të vet. Kjo lutje përmban gjithçka. Me të drejtë, Shën Augustini tha se mund t’i hulumtojmë të gjitha lutjet që janë në Shkrime dhe se nuk do të gjejmë asgjë që nuk përmbahet në këtë lutje të Zotit tonë Jezu Krishtit.
Kur them: «Ati ynë, që je në qiell!», me këtë fjalë dëshmoj se e përjetoj si Atin tim personal, por edhe si Atin e të gjithë neve. Në këtë mënyrë, jam i lidhur me çdo gjë përmes Atit, sepse Ai është Ati i të gjithëve. Këto fjalë të para të lutjes janë tepër të rëndësishme. Ato më thonë se e kam Atin, i cili më shikon, më dëgjon dhe më do. Ai është pengu se unë jam biri ose bija e Tij. Kur të gjithë do të heqin dorë prej meje dhe kur do të ndjehem plotësisht i braktisur, i vetmuar, i izoluar prej të gjithëve, edhe atëherë mund të them «Ati ynë!». Këto fjalë më nxisin që të kthehem në bashkësi me të tjerët, që të mos jem i vetmuar. Ai është në qiell. Ky është atdheu, drejt të cilit udhëtoj dhe të cilin e dëshiroj. Ai më pret atje që të më pranojë, që të mbetemi përjetësisht së bashku.
Pastaj, i kemi shtatë kërkesa që na drejtojnë tek Ai. Edhe pse mund t’i drejtohem në mënyrë të thjeshtë dhe me besim, në mënyrë të butë, kjo gjë nuk e përjashton detyrimin e nderimit të nevojshëm dhe të përvuajtur, që më duhet ta tregoj ndaj Tij.
Tri kërkesat e para na ftojnë që t’i japim lavdi Atit tonë. Ato na çojnë tek Ai, na forcojnë në fe, na mbushin me shpresë dhe e gjallërojnë dashurinë. Emri i Tij është i shenjtë, prandaj duhet të shenjtërohet me anë të lutjes sonë, me anë të jetës sonë, kudo që të jemi. Mbretëria e Tij është dëshira e zemrave tona. Kjo mbretëri duhet të vendoset edhe me përpjekjet tona dhe me mundimin tonë. Vullneti i Tij duhet të jetë edhe vullneti ynë. Kërkimi dhe gjetja e vullnetit të Hyjit është detyra jonë gjatë gjithë jetës mbi tokë.
Katër kërkesat e tjera paraqesin pritjet tona nga Ati. E lusim për bukën e përditshme që i nevojitet trupit, por, në të njëjtën mënyrë, ia kërkojmë edhe bukën që i nevojitet shpirtit. Kjo është buka që bëhet trupi i Tij, kjo është Buka e Jetës, Buka për jetën tonë. Eukaristia është Buka jonë e përditshme.
Pastaj, e lusim që t’i falë mëkatet tona dhe të gjitha detyrimet që kemi ndaj Tij. Para syve të Tij, pranojmë sinqerisht se jemi mëkatarë. Mirëpo, në këtë çast duhet të bëhemi të vetëdijshëm se falja, që ia kërkojmë Hyjit, varet nga falja që duhet ta tregojmë ndaj të tjerëve, ndaj atyre që na kanë fyer. Nëse nuk i falim vëllezërit dhe motrat, ne e kemi mbyllur zemrën jo vetëm ndaj tyre, por edhe përpara hirit të Atit.
Në kërkesën e gjashtë dhe të shtatë e lusim që të na ndihmojë për të mos iu nënshtruar tundimit, që të mos nisemi në udhën e mëkatit, por t’i kërkojmë Atit që të na lirojë nga i Keqi. Fuqitë e së keqes dëshirojnë që të na përfshijnë dhe shumë herë jemi flitë e tyre. Mirëpo, ne e dimë se dashuria e Tij nuk do që i Keqi ta ketë fjalën e fundit dhe Ai nuk do të lejojë që të na mbizotërojë e keqja, nëse hapemi para hirit të Tij dhe bashkëpunojmë me Të.
14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.
Pas lutjes «Ati ynë», Jezusi e theksoi përsëri kërkesën e faljes së ndërsjellë. Ky është kushti që Hyji të na falë sa herë që e lusim për të na i falur fajet tona.
O Zot, më ndihmo ta kuptoj se lidhja ime me Ty varet gjithmonë nga lidhja që e kam unë me të afërmit e mi. Nuk mund të të afrohem Ty, në qoftë se i përjashtoj njerëzit me të cilët jetoj. E di se nuk varet nga forca ime që të mos i ndjej fyerjet e as që t’i harroj ato. Por, nëse hapem para hirit Tënd, Ti do të më ndihmosh që, nga thellësia e zemrës, t’i fal dhe t’i harroj fyerjet e të tjerëve. Hiri Yt është fuqia e faljes time.