MEDITIMI I DITËS – MËNYRA E MARISË DHE E MARTËS
Written by Radio Maria on July 28, 2017
Lk 10, 38-42 MËNYRA E MARISË DHE E MARTËS
38 Tashti, gjatë udhëtimit, hyri në një fshat dhe një grua, me emrin Martë, e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari. Kjo iu ul Zotërisë te këmbët dhe dëgjonte fjalën e tij.
Krejt kjo ngjarje ndodhi afër Jerusalemit, tre kilometra nga kryeqyteti drejt të cilit Jezusi po shkonte, në Betani në të cilën jetonin miqtë e mëdhenj të Jezusit, Lazri dhe dy motrat e tij, Marta dhe Maria te të cilët Jezusi vinte me gëzim. Edhe kësaj herë Jezusi shkoi te miqtë e vet. Motrat e pranuan me dashuri, por secila në mënyrën e vet. Pak më parë në Samari përjetoj përbuzje dhe refuzim, ndërsa këtu është mysafiri i preferuar. Vërtetë pati mundësi të marrë frymë në këtë vend mikpritës dhe ndjehej jashtëzakonisht mirë.
Motrat e priten. Ato vërtetë e donin Jezusin dhe secilën herë donin ta presin më mirë. Shën Luka paraqet dy mënyra se si motrat e presin Jezusin. Ato janë shumë të ndryshme, por nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi e përplotësojnë.
Mënyra e pranimit të Marisë është e veçantë. Jezusi erdhi në shtëpi dhe u ul. Dëshiron të pushojë pak dhe të jetë i qetë. Maria bën të njëjtën gjë. Ajo është afër tij dhe e dëgjon. Pamje e jashtëzakonshme. Porosia e saj është më së e rëndësishme në kohën dhe në brezninë tonë që është vazhdimisht në lëvizje dhe dëshiron çaste pushimi dhe paqeje. Shën Luka nuk ka shënuar se çfarë tha Jezusi, as çfarë Maria me kaq përkushtim dëgjonte.
Në këtë meditim do të sodisim qëndrimin e Marisë. Këtu jam në praninë e Zotërisë, afër tij. Dëgjoj çfarë ai më thotë. Thjeshtë sodis praninë e tij dhe e hap zemrën time dhe shpirtin të cilat i mbush me prani të vet. Ndoshta është duke folur për të gjitha ato që do të përjetojë në Jerusalem. Maria është e aftë të gjitha këto t’i kuptojë dhe t’i pranojë. Kjo ndodh sikur ne që i tregojmë mikut në të cilin kemi besim të pakufishëm për gjithçka që është e gëzueshme ose e bukur. Kur do të kthehet aty përsëri para mundimeve, Maria do ta lyejë dhe kështu do të tregojë se, më mirë se të gjithë e ka kuptuar dërgimin e tij.
O Zot, të falënderoj për këtë pamje në të cilën në shpirt marrë pjesë. Të falënderoj për ata persona të cilët kuptojnë vlerën e të qenit në shoqërinë tende. Dua të kemi diçka nga mënyra e Marisë. Dua të gjej çaste në të cilat do jem vetëm me ty, të ulem të këmbët e tua e të dëgjoj gjatë. Në mua dhe rreth meje ka shumë zhurmë. Në jetën time ka shumë vrapim. Ja tani jam afër teje dhe ndjehem mirë. Këto çaste janë kaq të rralla e kaq të nevojshme për jetën time të brendshme.
40 Marta, e zënë krejtësisht me punët e shërbimit të pritjes, iu afrua e i tha: “Zotëri, a nuk po të duket rëndë që motra ime më la krejt vetëm të shërbej? Thuaji, pra, të më ndihmojë!”
Derisa Jezusi flet e Maria me kaq zell e dëshirë dëgjon, Jezusi me bisht të syrit do të ketë hetuar se si Marta, motra e saj, ngutet dhe vrapon. Ajo është gjithkund në shtëpi. Mënyra e veprimit të Martës është konkrete dhe reale. Ajo dëshiron që mysafiret e saj ta ndjejnë veten mirë dhe t’i shërbej në mënyrë të denjë. Ajo mendon vetëm për këtë gjë. Mënyra e veprimit të Martës vërtetë është më se e nevojshme. Ajo ndahet në mijëra nevoja: të zgjedh, të blej, të sjell, të përgatis, të shërbej, të laj… Kjo është pjesa që i përket ushqimit. Po ku janë nevojat tjera? Kush ka mundësi t’i numërojë? A kemi sy, veshë dhe zemër për t’i hetuar?
Të gjitha këto vërtetë janë të domosdoshme. Pa to nuk do të kishim mundësi të ulemi te këmbët e Jezusit. Në zellin e saj të shërbimit Marta erdhi në situatë për t’iu ankuar Jezusit. Kjo gjë në mënyrën e veprimit të saj është e dukshme. Ajo ka të drejtë. Duhet kujdesur për mysafiret. Mirëpo edhe në këtë gjë kemi mundësi ta teprojmë.
O Zot, të falënderoj për të gjithë ata që nuk iu dhimbet mundi që të tjerët të ndjehen mirë dhe kujdesen për ata që këtë gjë nuk mund ta bëjnë për veten e tyre. Të falënderoj për të gjitha Martat që shërbejnë në familjet tona, në bashkësi, në takime, në famulli dhe nuk shikojnë kurrë se sa janë munduar dhe nuk kërkojnë asgjë në kthim. Por, po të lutem, na ndihmo të gjithëve që mos ta teprojmë as mos ta pranojmë stilin e jetës të cilën e rrënon veprimi.
41 “Martë, Martë ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ ti po brengosesh dhe po shqetësohesh për shumë gjëra, e pra, 42 e nevojshme është vetëm një. Vërtet, Maria zgjodhi pjesën më të mirën që nuk do t’i merret.”
Ky është përfundimi i takimit. Jezusi dy herë e thërret Martën. Nuk i bërtet, por shikimin e saj me butësi e drejton diku tjetër. Nuk thotë e se ajo që bën nuk është e mirë, porse kujdeset dhe shqetësohet për shumëçka. Kur jemi në një gjendje të tillë shpirtërore, në gjendje stresi, atëherë nuk kemi mundësi ta kryejmë mirë punën tonë. Shumë gjëra na dalin dore, ne jemi të lodhur, të trishtuar dhe shumë lehtë i kundërshtojmë të tjerët. Jezusi dëshiron ta mbrojë Martën pikërisht nga kjo. Edhe ajo ka nevojë për paqe dhe qetësi.
O Zot, ti nuk erdhe të miqtë e tu që të kalosh mirë në sofër dhe të hash mirë. Je i kënaqur me pak gjëra që mund të dhurojnë, sepse t’i dhurojnë me zemër. Prandaj e thërret Martën tek ti. Do që edhe ajo të ulet të këmbët e tua, sepse ato që bëri gati janë shumë dhe të panevojshme. O Zot, mos lejo që të humbi kokën në aktivitetin tim. Me ndihmo që të kuptoj se si shumë shpesh me mungon për shkak të stilit tim të jetës ajo pjesa më e mirë që e zgjodhi Maria. Dua të luftoj që ta kem.