MEDITIMI I DITËS – MENDUAN SE PO SHIHNIN NJË SHPIRT

Written by on April 14, 2018

E diela e tretë e Pashkëve viti B

 

Lk 24, 35-48 MENDUAN SE PO SHIHNIN NJË SHPIRT

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Jezusin e ngjallur i cili më ngjall edhe mua

 

O Zot, a nuk jemi të turbulluar dhe të frikësuar shumë shpesh? Të thërrasim, të presim, të lutemi, të marrim në kungim, e prapëseprapë dyshimet në vërshojnë zemrën. Edhe ne shumë shpesh mendojmë se po shohim një shpirt, e jo ty që je real. Në asnjë mënyrë nuk e kemi të mundur të të kuptojmë seriozisht. Vjen tek ne, e ne fillojmë të mendojmë se kjo është vetëm dëshira jonë, ndjenja e përshpirtshme e kërkimit të zemrës. Shumë shpesh edhe njërit-tjetrit ia shpjegojmë se ti je vërtetë mes nesh i pranishëm, mirëpo sillemi sikur ti të mos ishe fare në mesin tonë. Kur dikush më fuqishëm tregon se beson në praninë tënde të gjallë dhe fillon në këtë mënyrë të flas, të klith dhe të veprojë, mendojmë se ka luajtur mëndësh pak, pothuajse nuk është normal, sepse edhe sot dëshirojmë, o Jezus, të të shndërrojmë në shpirt, në diçka që na shtihet: dhe sikur kur të thërrasim ty e thërrasim shpirtin.

Jezus, ti nxënësve të tu u tregon, se nuk je shpirt, se nuk je diçka që shtihesh por se je ti, konkretisht në mesin e tyre. U tregon se ti je person i gjallë, i njëjti që të mbështollën në shpërgënjë në Betlehem, që u rrite në Nazaret, që predikove në Galile e që të kryqëzuan në kryq në Jerusalem. I lejon nxënësit e tu që të të njohin duke u treguar duart dhe këmbët. Ky je ti, o Jezus.

Ndoshta jemi shumë pak të hapur para misterit të jetës tënde të re si i ngjallur. Ndoshta edhe ne të vërtetën e ngjalljes sate sot dëshirojmë ta kalojmë në një përmasë tjetër, larg nga ajo që në jetën tonë e quajmë jetë të vërtetë.

Jezus, na shumëzo fenë,

largoi të gjitha dyshimet tona,

largoj të gjitha kujtimet tona të gabueshme për misterin e ngjalljes sate.

Na dhuro besimin e fortë dhe gatishmërinë që të dëshmojmë për ty se je i gjallë dhe për të cilin ia vlen që ta dhurojmë edhe jetën tonë.

O Zot, Apostujt i mësove: sikurse është e sigurt vdekja jote në kryq, mundimi dhe përvujtërimi yt, kështu është e qartë dhe e sigurt edhe ngjallja jote nga varri. Kështu është shkruar. Leximi i kujdesshëm i Shkrimit të shenjtë do të sjell secilin tek të njëjtat përfundime, secilin që është i hapur në zemrën e vet. Të mësuar nga fjalët e tua dhe të mbushur me Pushtetin prej se larti, domethënë me dhuratën e Shpirtit Shenjt, këtë gjë do ta kuptojnë edhe apostujt. Prandaj edhe i thërret që të rrinë së bashku derisa nuk e marrin Premtimin, dhuratën e Shpirtit të cilin ti ua përgatitë për çastin e lindjes së bashkësisë së dukshme të dëshmitarëve të tu.

Ti e hape mendjen e nxënësve të tu që t’i kuptojnë Shkrimet. Hape sot, gjithashtu mendjen tonë, hapi zemrat tona që ta kuptojmë porosinë e mundimit, të vdekjes dhe të ringjalljes sate. Na ndihmo gjithashtu që ta kuptojmë jetën, vdekjen dhe shpresën e jetës së re dhe të vërtetë. Na hap para të vërtetës së ngjalljes sate dhe bëj që në ty të njohim Hyjin dhe njeriun konkret dhe të vërtetë, Zotërinë dhe Shëlbuesin, Jezu Krishtin!

 

 


Current track

Title

Artist