MEDITIMI I DITËS – MEMECI I SHËRUAR
Written by Radio Maria on July 10, 2017
Mt 9, 32-38 MEMECI I SHËRUAR
Kërkoj hirin: që Zotëria ta shërojë memecinë time.
Në atë kohë, 32 e sollën para Jezusit një memec të djallosur. 33 Pasi e nxori djallin, memeci foli.
Skenat pothuajse janë të njëjta, vetëm njerëzit shndërrohen dhe sëmundjet janë të ndryshme. Jezusi e rrethojnë njerëzit në vazhdimësi, vijnë me mundimet e tyre që i brejnë, më dhembjet që i mundojnë dhe e kërkojnë ndihmën e tij. Edhe ky njeri është në hall të madh. Nuk ka mundësi të vij vetë, ka nevojë për ndihmën e të tjerëve. Mbi të gjitha ky njeri ka nevojë për ndihmën e Jezusit. Ky njeri nuk ka mundësi në mënyrë të zakonshme të komunikojë me të tjerët sepse fjalët nuk dalin nga buzët e tij. E ka të vështirë me të tjerët, por edhe të tjerët kanë vështirësi me të. Nëse kupton diçka, nuk ka mundësi ta shpreh. Nëse di, si do tu shpjegojë të tjerëve? Fjala është zotërim i njeriut dhe mjet komunikimi. Hyji ia dha gjuhën dhe do të komunikojë. Mirëpo ndodh që njeriu mos ta ketë këtë mundësi dhe të jetë memec. Kjo është mangësi dhe sëmundje. Fatkeqësisht, ndodh që pranë mundësisë që kemi për të folur, në marrëdhëniet tona heshtim dhe nuk dëshirojmë t’i dhurojmë fjalën tjetrit. Më heshtje dhe memeci të qëllimshme ndërpresim marrëdhëniet dhe bllokojmë bashkësinë tonë. Sa shumë vrasim njëri-tjetrin me heshtje!
O Zot, më falë për çastet kur heshta dhe nuk desha t’i dhuroj tjetrit fjalën vetëm pse e ndjeva veten të lënduar dhe mburracak. Më falë që afër të afërmve kaloj si memec që nuk dëgjon edhe pse i dëgjoj mirë dhe kam mundësi që tu flas. Shëroje heshtjen time të dhunshme dhe memecinë time të qëllimshme!
Njerëzit të mrekulluar, thoshin: »Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!« 34 Ndërsa farisenjtë thoshin: »Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.«
Çfarë reagimi i ndryshëm! Njerëzit e thjeshtë mrekullohen para çdo gjëje që bënë Jezusi, ndërsa farisenjtë në këto vepra shohin ndikimin e të Keqit. Populli i thjesht në Jezusin dallon pushtetin e Hyjit, ndërsa farisenjtë shpjegojnë me zemërkeqësi, më xhelozi dhe më qëllim të keq veprimin e tij. Ata të gjitha i shpjegojnë gabimisht dhe mbrapsht. Fatkeqësisht edhe ne shumë lehtë mirësinë e tjetrit kemi mundësi ta shpjegojmë duke e vendos në interesat e tija vetjake. Me sjelljen tonë kemi mundësi tu zëmë frymën shumë të mirave të cilat duan të dalin në dritë përmes duarve të tyre.
35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.
Jezusi shkon më tutje. Nuk ndalët në komentet e farisenjve as në shpjegimet e tyre që ia bëjnë veprimtarisë së tij. Ai nuk dëshiron që për shkak të tyre mos tu dhurojë fjalën dhe ndihmën atyre që kanë aq shumë nevojë. Qarkullon dhe mëson. Në sinagoga dhe vende te hapura. Ecën dhe predikon. Kudo që vjen shëron dhe ndihmon. Këtu përmblidhet shkurtimisht veprimtaria e tij. Të gjitha mund t’i thjeshtësojmë në dy fjalë: mësonte dhe shëronte. Do të bashkohem me Jezusin në mendime, do të shkoj pas ti në udhën që bënë për ta soditur në veprimtarinë që bënë. «Nga fshati në fshat, nga zemra në zemër», Atë Ante Gabriq thoshte në udhëtimet e tija misionare në Bengal. Ky është Jezusi: gjithnjë në rrugë, gjithnjë pranë njeriut që kishte nevojë.
Jezusi shikon njerëzit që vijnë tek ai me vuajtjen e tyre dhe vështirësitë. Zotëria ka zemër të mëshirshme. Në zemër i dhimbsën njerëzit. Ai ka dhimbje për ta. Hyji ynë nuk është Hyj i largët dhe pa ndjenja, ai na shikon dhe mendon në ne. Vërtetë, bota jonë është si grigja pa bari. Njerëzit ndjehen të braktisur dhe të humbur. O Zot, edhe unë ndjehem pikërisht ashtu siç i përjeton ti bashkëkohanikët e tu. Unë e di se ti më shikon edhe mua, se mendon edhe për mua. Të falënderoj, o Zot, që mendon në mua të humburin.
36 Kur e pa turmën e popullit, ndjen dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet: »Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë kortarë në të korrat e veta.«
Jezusi shikon në tërësinë e të korrave. Të gjithë njerëzit duhet shpëtuar. Kjo është një punë e madhe, sepse «të korrat janë të mëdha»! Kush do të merret me njerëz? Ku janë kortarët? Jezusi tërheq vërejtjen në gjërat më të rëndësishme në të korrat e Hyjit, ai e kërkon lutjen. Kjo është ajo gjë që duhet të bëjmë. Të korrat e Hyjit nuk janë biznes privat i njeriut për të cilin do të kujdeset ai vetëm me forcat e veta. Së pari duhet të lutemi për ata që do të dërgohen. Ati qiellor është Zotëria i të korrave. A lutem për thirrje të shenjta? A lutëm për kortarë të rinj? O Atë qiellor, zgjoje në zemrat e të rinjve dhe të rejave dëshirën që të përgjigjen për të punuar në të korrat e tua. Po të lutem për secilin prej tyre. Po të lutem edhe për ata që tashmë janë përgjigjur! Ndihmoju që të jenë të qëndrueshëm! Ndihmoju që të jenë kortarë plot virtyte, o Zotërues i përjetshëm i të korrave!