MEDITIMI I DITËS – MBROJTJA E TË VËRTETËS

Written by on August 4, 2017

Mt 14, 1-12 MBROJTJA E TË VËRTETËS

 

Kërkoj hirin: që guximshëm ta mbroj të vërtetën dhe Ungjillin

 

1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin 2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!”

Zëri për Jezusin erdhi deri tek Herodi. Nuk dinte çfarë të mendonte për të. E përndiqte mendimi për Gjon Pagëzuesin. Ndërgjegjja nuk e lë të qetë. Ndjen se ka bërë një gjë që nuk duhej ta bënte edhe pse ishte tetrark, edhe pse kishte pushtet dhe nuk i duhej të përgjigjej para të tjerëve për veprat e veta. Ndërgjegjja e qortonte dhe e thërriste në përgjegjësi duke e dënuar. Pikërisht tani u paraqit dikush, dhe nëse gjykojmë sipas asaj që njerëzit flisnin për të, mund të ishte i ngjashëm me Gjon Pagëzuesin. Herodi kishte frik se mos ishte ngjallur Gjoni.

Ndërgjegjja është zëri jonë i brendshëm i cili na përcjell dhe na tërheq vërejtjen për veprat tona. Ajo është me ne edhe atëherë kur askush nuk di asgjë për atë gjë që kemi bërë. Në veprime të mira na nxit që të vazhdojmë, ndërsa në të këqija na tërheq vërejtjen se atë gjë nuk guxojmë ta bëjmë. Pas përfundimit të veprimit ndjemë se si na thotë se është mirë, ose keq ajo që kemi bërë. Na lavdëron ose na qorton. Ajo është gjykatësi ynë besnik dhe i vazhdueshëm. Kemi mundësi që mos i bindemi ose t’i bindemi. Në qoftë se nuk i bindemi dhe nuk e dëgjojmë ka mundësi të deformohet dhe të bëhet e pandjeshme. Kemi mundësi që të jemi besnik ndaj saj dhe në këtë mënyrë e ndërtojmë në ndërgjegje të butë dhe fisnike. Si është ndërgjegjja ime? A e dëgjoj zërin e saj?

 E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4 Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” 5 Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.

Gjoni përfundoi në burg sepse e mbrojti të vërtetën. Nuk pati frikë që t’ia tërhiqte vërejtjen Herodit se nuk guxonte të bënte ashtu siç po vepronte. Herodi, kishte marrë për grua mbesën e vet, që pranë kësaj ishte edhe gruaja e vëllait të tij dhe ia kishte marrë me dhunë. Gjoni ishte i guximshëm sepse doli në anën e të vërtetës dhe të drejtësisë edhe pse para vetës kishte të pushtetshmit dhe të dhunshmit.

Ungjilli kërkon prej nesh që të marrim qëndrime të guximshme edhe pse kjo gjë botës nuk i pëlqen. A jam i gatshëm që të mbroj qëndrimet e besimit tim dhe të Ungjillit edhe pse të tjerët për këtë gjë më konsiderojnë të prapambetur, të vjetruar? A jam i gatshëm ta mbroj dhe ta promovoj jetën në kundërshtim me abortin? A jam i gatshëm që të angazhohem për vdekje të denjë në kundërshtim me vdekjen e dhunshme të cilën e përfaqësojnë mbështetësit e eutanazisë? O Zot, më jep fuqi që gjithmonë të jem në anën tënde, në anën e Ungjillit dhe të së vërtetës, le të kushtojë sa të kushtojë!

6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit, 7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte. 8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep ‑ tha ‑ këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!”

Gjatë një feste, gjatë një dëfrimi, për shkak të vallëzimit dhe betimit të pamenduar, qe dënuar më vdekje Gjon Pagëzuesi. Herodiada si një kafshë grabitqare e përcillte flinë e vet dhe me padurim e priste rastin që t’i hakmerrej Gjonit. Një ditë çdo gjë u plotësua sipas skenarit më të mirë. Sa me gatishmëri dhe shpejt i përgjigji vajzës së vet që ta kërkojë nga Herodi kryet e Gjon Pagëzuesit.

O Zot, përse ndodh kështu me të zgjedhurit e tu? Përse janë të braktisur në dorë të mëshirës dhe të pamëshirës së të pushtetshëmve të kësaj bote? Përse thyhen kështu parimet themelore dhe të drejtat që janë të denja për secilin njeri? Përgjigjen kemi mundësi ta gjejmë vetëm në ty, tek ti që je në kryq. Ati yt e zgjodhi këtë mënyrë që të zbulohet para nesh. Ti vuajte për vdekjen e Gjon Pagëzuesit, ti vuan edhe sot e kësaj dite dhe do të vuash për shkak të vuajtjeve të secilit njeri.

9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej. 10 Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg. 11 Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.

Si shumë herë gjatë historisë së njerëzimit, edhe kësaj here e keqja “fitoi”. Herodi është i trishtuar. Paguan çmimin e përshpejtimit të vet. Ai në të vërtetë është njeri i dobët. Ai është simboli i të gjithëve në të cilët pështjellohen qëllimet e mira dhe dëshirat e dobëta së bashku me mosgatishmërinë për t’i zbatuar.

12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit

Profeti luftën e vet e kreu mirë dhe me guxim. Ai është pararendësi i Jezusit jo vetëm me paraqitje publike dhe me fjalë por mbi të gjitha me vdekjen e vet. Jezusi e përjetoj thellë vdekjen e pararendësit të vet. Kjo ishte shenja e qartë e rrugës së tij drejt Kalvarit.

 


Current track

Title

Artist