MEDITIMI I DITËS – MBRETI NË KRYQ

Written by on November 19, 2016

E diela e tridhjetekatërt gjatë vitit – Krishti Mbret

 

Lk 23, 35-43 MBRETI NË KRYQ

 

35 Populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë: “Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!” 36 Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull 37 dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!” 38 Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

Javë pas jave erdhën në përfundimin e vitit liturgjik. Koha vrapon. Vitet mblidhen. Psalmisti lutej me urti: “Na mëso ashtu t’i numërojmë ditët tona që zemra jonë dijes t’ia mbërrijë.” E kremtja e Krishtit mbret është rast për të vërtetuar urtinë tonë. Në çfarë i harxhojmë vitet tona? Çfarë po ndodh me jetën tonë? Si kalon? Në përfundimin e vitit kishtar takohemi me Krishtin Mbret.

Kjo e kremte është një prej të kremteve të reja në liturgjinë tonë. Për të parën herë u vendos në vitin 1925. Ajo na paraqet një figurë tjetër të mbretit nga ajo që kanë mbretërit e kësaj toke. Këtë vit kishtar e përfundojmë më atë paraqitje që drejton shikimin tonë në ngjarjen e tmerrshme dhe e përmbledh paradoksin e Hyjit dhe të zbulesës së tij. Hyji ynë është Hyj i fshehur. Zbulohet në njeriun që e gjykuan padrejtësisht, Ai është Mbret, froni i tij është kryqi, e kurora e tij është me ferra! Gjithçka që mbeti nga mbretëria është mbishkrimi mbi krye: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve” dhe dy keqbërësit. Ai është Mbret, por klithjet e fundit rreth tij janë përqeshjet dhe përbuzja. Ai është Mbret, por ushtarët e vënë në lojë. Ai është Mbret, por gota e fundit që pi është shpuza plot me uthull. Ai është Mbret, e mbretërimin e vet e kryen në kodrën e zhveshur. Një legjende e vjetër thotë se këtu ishte varrosur kafka e Adamit dhe krejt kodra dukej si kafkë.

Ky është kulmi i mbretërisë dhe mbretërimit të tij. A nuk është kjo një pamje e tmerrshme? Kush ka mundësi ta durojë? Qartë, Biri i Hyjit, Krishti Mbret nuk ka asgjë të përbashkët me mbretërit dhe të pushtetshmit e kësaj bote. Prapëseprapë, mbretëria e tij vazhdon. I mbijetoi atij që e gjykoi. I mbijetoi edhe të gjitha mbretërive të tjera që pasuan dhe i gjykuan pjesëtarët e Mbretërisë së tij. Ajo vazhdon dhe do të vazhdojë deri te ardhja e tij e dytë. Krishti Mbret tërheq tek vetja pikërisht ashtu sikurse tha: “kur të më ngritni nga toka, të gjithë do t’i tërheq tek vetja!

O Zot, Mbreti im, sodis pamjen në Kalvar që u zgjodh për të kremten në të cilën të nderojmë si Krisht dhe Mbret. Çfarë mbeti këtu nga ajo mbretëri? Cili Mbret je ti, o Zotëri? Këtu nuk ka as fuqi e as pushtet. Nuk ka shenja me të cilat mbretërit mburren dhe me to theksojnë forcën dhe pushtetin e vet. Të gjithë të braktisën, këtu është vetëm nëna jote me më besnikët. Ata që të sollën këtu të përqeshin ty dhe atë gjë për të cilën erdhe, që është shëlbimi jonë. Si ke mundësi të na shpëtosh ne, ti që nuk e shpëton vetveten! Kjo ishte thirrja djallëzore dhe tundimi i Djallit. Pushteti i tij u vërsul mbi ty me krejt forcën në këto çaste të fundit të jetës sate mbi tokë. Pasi që i Keqi nuk ia doli në fillim ta ndryshojë drejtimin nga dërgimi në shkretëtirë, përpiqet ta bëjë këtë për herë të fundit në Golgotë, në këtë kodër të zhveshur – në kodrën e kafkës. O Zot nuk deshe të zbrisje nga kryqi që t’i dorëzohesh tundimit magjik në figurën e zotit që bota formon. Të falënderoj që i mbete besnik deri në fund dërgimit tënd në rrugën e Atit. Kështu mbetesh Mbret tërheqës. Mbret i zemrës dhe i jetës sime. Mbret që më shpëton, e nuk më robëron. Mbret që nuk sundon mbi mua por je “Tempull i dashurisë” në të cilin më thërret që të adhuroj në zemrën time.

 39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” 40 Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!” 42 Dhe tha: “Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” 43 E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

            Ky është Krishti mbret i të Premtes së Madhe. I përvujtëruar dhe i përqeshur, i kryqëzuar dhe i përjashtuar. Në zhurmën e përgjithshme të Kalvarit dëgjohet përqeshja e atij që e ka më së afërmi, keqbërësit në të majtë. Edhe ai djallëzisht e tundon: na shpëto! Në këtë përqeshje dëgjohet një zë që kërkon falje. Ky i përngjan freskut të lehtë që sjell freski në këtë vapë. Kjo është klithja e njeriut të vuajtur që njeh mëkatin e vet dhe kërkon falje. Në përfundimin e rrugës së vet, Krishti Mbret bën atë gjë për të cilën erdhi: fal dhe shëlbon. Kjo është falja e fundit si Mbret tokësor e cili i lartësuar nga toka të gjithë i tërheq tek vetja. “Më kujto në mbretërinë tënde” kjo është lutja e heshtur që mbizotëroi zhurmën e përqeshjeve. Kjo është lutja që u bë ilaç për plagët e të Kryqëzuarit. Misioni i tij si Shëlbues kryhet me veprën e shëlbimit. Sa shumë e gëzoi kjo zemrën e Jezusit që pas pak do të shporohet. Sa shumë u ngushëllua kjo zemër njerëzore keqbërëse që pendohet dhe dëgjon fjalët e ngushëllimit dhe të shpëtimit.

            O Zot, Mbret i zemrës sime, po ta drejtoj sot lutjen e zemrës mëkatare dhe të penduar. Jezus, më kujto në mbretërinë tënde. Atje erdhe pas mundimeve që hoqe. Të falënderoj për çdo gjë që bëre për ne. Besoj se në ty gjithçka jeton dhe për ty vdes, besoj se kjo jetë e imja e vogël dhe pa domethënie ka kuptim dhe është pjesë e Mbretërisë sate. Dëshiroj të të adhuroj dhe të dorëzohem. Të pranoj për Mbretin tim, të vetmin Mbret. Shenjat e Mbretërisë sate le ta përfshin jetën time dhe botën rreth meje. Mbretëria jote është mbretëri dashurie, mbretëri drejtësie, mbretëri e së vërtetës dhe faljes. Na ndihmo që të angazhohemi për këto shenja dhe të jemi të qëndrueshëm në lutjen tonë: ardhtë mbretëria jote!

 


Current track

Title

Artist