MEDITIMI I DITËS – MBËSHTETEM NE JEZUSIN

Written by on January 8, 2019

Mk 6, 45-52 MBËSHTETEM NE JEZUSIN

 

Kërkoj hirin: që di në përpjekjet e mia të mbështetem në Jezusin dhe ndihmën e tij.

 

45 Dhe menjëherë i nguti nxënësit e vet të hyjnë në barkë e të kalojnë në anën e kundërt drejt Betsaidës, derisa ai ta përcillte popullin. 46 Kur e përcolli popullin, u ngjit në mal për t’u lutur.

Na befason kjo ndërthurje e ngjarjeve. Jezusi në mënyrë aq të mirë i përfshiu nxënësit e vet në shumëzimin e bukëve. Ata i ndihmuan në ndarje të ushqimit dhe në mbledhje të ushqimit  që teproi pasi që njerëzit u ngopën. Ata e kryen shumë mirë detyrën e vet. Përse Jezusi ngutet tani për t’i larguar aq shpejt prej popullit? Shën Marku thotë se i detyroi, d.m.th. pothuajse në mënyrë të dhunshme i shkëputi nga njerëzit dhe i detyroi të hyjnë në barkë. Përse? Nxënësit më siguri ndjeheshin shumë mirë derisa u shpërndanin njerëzve bukën dhe peshqit, e koshat e tyre derisa e ndanin bukën nuk zbrazeshin. Kjo gjë ju pëlqente. Ndjeheshin të vlerësuar para njerëzve dhe populli i përjetonte si bamirës të vetë. A mos filluan njerëzit të flasin se si është mirë që Jezusin ta bëjnë mbret? Shën Gjoni e ka shënuar një rast të tillë. Nxënësit nuk e kishin të qartë figurën e Mesisë. Ju pëlqente kjo bisedë. Prisnin vendet me rëndësi dhe detyrat në qeverisje të cilën do të duhej ta realizonte Jezusi Mbret. Ndoshta menduan se erdhi çasti për këtë gjë?

Në historinë e Kishës gjithmonë e kemi të pranishëm rrezikun që të bashkohen tepër shumë «stërpikësi (me ujë të bekuar) dhe shpata» ose siç thotë populli «stola dhe pistoleta», politika dhe besimi. Në mesin e njerëzve të kushtuar Hyjit kishte njerëz që kishin përzier mjetin me qëllimin, të përkohshmen me të përjetshmen, të këtushme me të atjeshmen. Afërsia e madhe me pushtetin politik sjell me vete kompromiset që më vonë pengojnë shpalljen e Lajmit të Gëzueshëm. Nuk ka mundësi që njeriu të ulet në dy karrige. Ose jemi në anën e pushtetit dhe kemi shumë përparësi, ose jemi në anën tjetër, në atë anë të cilën e zgjodhi Jezusi.

Jezusi e kuptoi se nxënësit e morën shpirtin e turmës dhe dëshiron t’i ruaj që mos t’i nënshtrohen plotësisht tundimit. Menjëherë i detyron që të hyjnë në barkë, e ai do të shpërndaj njerëzit.

Kur mbeti vetëm, ndjeu dëshirën që t’i lutet Atit. Ja pas punës dhe veprimtarisë, Jezusi tërhiqet në lutje dhe në soditje. Nuk do të dimë asnjëherë se çfarë bënte Jezusi në vetmi në komunikim me Atin. Gjithsesi, në bisedë me Atin gjente fuqi që ta vazhdonte misionin që ia kishte besuar, misionin që njerëzit nuk e kuptonin, sepse kërkonin diçka tjetër, diçka jashtë planit të Atit.

47 Kur u bë natë, barka ishte në mes të detit, kurse Jezusi vetëm në tokë. 48 Kur i pa se si hiqnin keq duke rremuar ‑ sepse era frynte nga ana e kundërt ‑ diku rreth rojës së katërt, Jezusi erdhi tek ata duke ecur përmbi det. Deshi t’i kalojë, 49 por ata, posa e panë duke ecur përmbi det, menduan se është fantazmë e bërtitën: 50 sepse e panë të gjithë e u trembën.

Kjo ishte nata e betejës dhe e përpjekjes, kundër erës dhe valëve. Kjo është pasqyra e jetës sonë. Ndonjëherë i përdorim të gjitha fuqitë tona, por pa sukses. Mbesim në të njëjtin vend. Vend numërojmë. Biem në tundim të çojmë duart nga të gjitha që t’i nënshtrohemi stuhisë se kohës.

O Zot, sa herë i kam bërë të gjitha por asgjë nuk ka shkuar si duhet. Aq më shumë, më dukej se çdo gjë u kthye kundër meje. Më dukej se të gjitha forcat i përdora kot dhe se nuk ka kuptim ta vazhdoj këtë punë. Me dukej se edhe ti kaloje afër pjekjeve dhe pranë jetës sime. Ndoshta ka ndodhur kështu sepse kam llogaritur vetëm në veten time, jam mbështetur vetëm në fuqitë e mia, kam harruar si ti ishe këtu. Të kam përjetuar si hije, në të njëjtën mënyrë si të përjetuan nxënësit e tu derisa po luftonin me erën dhe valët. Thjeshtë, pata frikë prej teje.

Por Jezusi menjëherë filloi të flasë me ta e u tha: “Zemër, he burra! Unë jam! Mos druani!” 51 Dhe hipi tek ata në barkë e era pushoi. E mbetën krejtësisht të habitur, 52 sepse ende nuk e kishin kuptuar vështrimin e mrekullisë së bukëve: mendja e tyre ishte e paaftë të kuptonte.

Kur Jezusi hyri në barkë, çdo gjë ndryshoi. Zhdukën era dhe valët. Ai më fjalën e vet i qetëson dhe i nxit nxënësit. Ata ende asgjë nuk kuptojnë. Për ta është ende plotësisht e pakuptueshme ajo që ndodhi me shumëzimin e bukëve. Kjo natë e mundimshme dhe e tmerrshme në fund i la krejtësisht të habitur. Ata e kanë problemin gjithnjë më thellë në zemrën e vet. Zemra e tyre është ngurtësuar. Prandaj çdo gjë iu duket e pakuptueshme dhe për çdo gjë habitën.

Hyr, o Zot, në barkën time. Shumë herë ndjej se gjërat nuk shkojnë si duhet dhe humbas fuqinë. Qetësoj në mua të gjitha erërat dhe valët. Bëj që fjala jote të më sjell ngushëllimin dhe të më kthej paqen. E di, më duhet ta ndryshoj zemrën që është e ngurtësuar në mua. Po të lutem, bëj ta dëgjoj nxitjen tënde: Zemër! Jam unë! Mos ki frikë!

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend