MEDITIMI I DITËS – MARTESA DHE CELIBATI

Written by on August 17, 2017

Mt 19, 3-12 MARTESA DHE CELIBATI

 

Kërkoj hirin: që ta kuptoj se thirrja në martesë ose në celibat është thirrje e Hyjit që kërkon prej meje besnikëri deri në vdekje.

 

Në atë kohë, 3 iu paraqitën Jezusit disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: “A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.”

Njerëzve të shekullit XXI kjo gjë iu duket jo vetëm provokuese por edhe cinike dhe jo humane. Edhe pse koha jonë nuk është aq shumë e ndjeshme për problematikat e besimit, është e ndjeshme për të drejtat njerëzore. Si të kishim mundësi të veprojmë me personin si të duam, si të ishte personi një gjë e cila pas pak kohe na mërzitët dhe nuk na intereson më, prandaj dëshirojmë të lirohemi prej tij! Personin duhet pranuar si bashkëbisedues të barabartë, duhet ta duam dhe ta nderojmë. Kjo gjë edhe më shumë iu përket personave që jetojnë në martesë!

4 Jezusi iu përgjigj: “A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër 5 e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ 6 Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”

Jezusi përgjigjet çartë dhe haptas. Në themel të asaj që tashmë është shkruar në Shkrime ai ngrihet në mbrojtje të martesës. Me fjalët «çfarë Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndaj» flet çartë për vlerën dhe forcën e jetës mes burrit dhe gruas. Martesa është e pandashme, PO-ja martesore është e përjetshme. Fatkeqësisht, martesa sot është në krizë të madhe, siç janë në krizë të gjitha vlerat e vërteta. Shumë lehtë dhe shpejt bëhen ndarjet. Personat që betoheshin në dashuri për njëri-tjetrin dhe në nderim deri në fundin e jetës, shumë shpesh dhe shpejt pas martese bëhen kundërshtarët e njëri-tjetrit, pothuajse armiq të përbetuar në urrejtje. Kudo nuk ka gatishmëri në flijim dhe në përmbajtje, nuk ka mundësi të ndërtohet bashkësia. Kudo që kërkohen të drejtat personale dhe nuk ka përpjekje që ta kuptojnë tjetrin, njerëzit nuk mund të jetojnë së bashku. Kudo që theksohen nevojat personale e nuk shikohen nevojat e tjetrit, nuk mund të ketë jetë të përbashkët, ku nuk ka dashuri, vuajtje për tjetrin dhe shërbim, martesa shkatërrohet. Dashuria, flijimi, zotërimi i vetvetes janë të domosdoshme që të jetojë martesa.

O Zot, po të lutem për martesat e reja! Po të lutem për burrat e ri dhe gratë e reja që të dinë të jetojnë njëri për tjetrin dhe njëri pranë tjetrit. Që të mos dëshpërohen për shkak të mangësive të tyre, por të rriten në ato gjëra që i bashkojnë dhe i pasurojnë.

7 Por ata vijuan: “E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’“ 8 Ai u përgjigj: “Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. 9 Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet përveç në rast të fëlligështisë e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

Disa thonë se këtu flitet për kurorëshkeljen dhe në këtë gjë gjejnë mbështetjen për ndarjen e martesës. Në këtë mënyrë veprojnë Kisha ortodokse dhe bashkësitë protestante. Sipas shpjeguesve të tjerë këtu nuk bëhet fjalë për ndarjen por për «shkëputjen» e bashkëshortëve që nuk kanë të drejtë ta lidhin martesën e re. Mbi të gjitha bëhet fjalë për ngurtësinë e zemrës njerëzore që e shtynë njeriun për të bërë gjithçka.

10 Nxënësit i thanë: “Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”

Reagimi i nxënësve është spontan dhe sipas shpirtit të kuptimit të martesës në atë kohë. Përgjigjja e Jezusit është misterioze. Lidhja martesore është dhuratë e Hyjit. Qartë këtë gjë as nuk e kuptojnë as nuk dëshirojnë ta kuptojnë të gjithë.

11 Ai u përgjigj: “S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. 12 Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe nga ata që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka nga ata që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit. Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

Kësaj here Jezusi flet për një stil jete që është krejtësisht tjetër, flet për një thirrje të re përveç thirrjes në jetë martesore. Kjo është thirrja në celibat ose në beqari, diçka që nuk mund të përcaktohet si thirrje e përgjithshme në Kishë. Bëhet fjalë për thirrje që zbatohet pas zgjedhjes së lirë. Thirrja në celibat nuk realizohet me dhunë, as nuk ka mundësi që t’i jepet me dhunë natyrës. Arsyeja e vetme e zgjedhjes së celibatit është Mbretëria qiellore, që do të thotë dashuria përjashtuese ndaj Hyjit, e pastaj edhe ndaj njerëzve.

Jezusi këtu thekson madhërinë dhe vlerën e këtyre dy thirrjeve. Celibati edhe pandashmëria e martesës janë dhuratë e Hyjit. Martesa është shenjtëri që me rrezet e veta të dashurisë arrin deri në mbarimin të jetës, do të thotë deri tek amshimi. Celibati është thirrje që gjithashtu pranohet lirisht dhe realizohet për shkak të qëllimeve të larta siç është Mbretëria qiellore, horizontet e të cilës depërtojnë në jetën e përjetshme. Kush ka mundësi ta kuptoj këtë gjë? Vetëm ai që është i hapur përball të vërtetave të Hyjit dhe i gatshëm për të bashkëpunuar me hirin e tij.


Current track

Title

Artist