MEDITIMI I DITËS – LUTJA E QËNDRUESHME
Written by Radio Maria on August 7, 2018
Mt 15, 21-28 LUTJA E QËNDRUESHME
Kërkoj hirin: që të jem i qëndrueshëm në lutjen time.
Në atë kohë, 21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtasë e të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!”
Kur Jezusi shkonte në pjesët ku jetonin paganët, edhe atje njerëzit i afroheshin dhe i kërkonin që t’i ndihmonte. Ja një grua që i del përpara duke bërtitur. Ajo përjeton mundimin e fëmijës së saj, prandaj nuk ka frikë të bërtas dhe të kërkojë ndihmë. Kemi mundësi ta paramendojmë deri diku se në çfarë gjendje ishte kjo grua pasi ia nënshtroj vetveten shikimit të njerëzve rreth saj, pasi që nuk ka frikë e as nuk turpërohet që publikisht t’i kërkojë ndihmë Jezusit. Ofshama dhe britma janë lutje e sinqertë dhe e thellë. Mbi të gjitha kjo grua është e qëndrueshme. Nuk e ndalon asnjë vështirësi.
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë: “Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”
Jezusi hesht. Si të mos dëgjonte. Vazhdon udhën. Ndërsa gruaja bërtet aq sa ndihen keq ata që janë rreth Jezusit. Nxënësit ndërhyjnë dhe i luten që ta ndihmojë që të largohet prej tyre. Është e qartë se vështirësia që gruaja ka është e madhe, ajo e shtynë që të ofshaj e të bërtasë. Shumë vetë e shikonin dijekeqas dhe me nënçmim, ndoshta u munduan që ta ndalojnë, mirëpo ajo është e qëndrueshme. Vetëm ajo e dinte se sa vuante vajza e saj. Qartë, ishte e vendosur që t’i bënte të gjitha që Jezusi ta ndihmonte.
O Zot, përse nuk dëgjon? A nuk tha që të jemi të qëndrueshëm në lutjet tona, që të trokasim, që të kërkojmë? Përse na duket se nuk na dëgjon, se lutjet tona nuk gjejnë jehonë në zemrën tënde. Përse, o Zot?
24 Ai u përgjigj: “Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.” 25 Por ajo u afrua, u përkul thellë më nderim para tij e tha: “Më ndihmo, o Zot!”
Për një moment Jezusi u ndal që tu përgjigjej nxënësve të vet. Ai «nuk interesohet» ende për gruan. Më përgjigjen që u jep nxënësve, të cilën me siguri ajo e dëgjoi, pati mundësi të dëshpërohet dhe të dorëzohet. Jezusi e dëboi. Në këtë situatë dikush do t’ia kthente shpinën dhe do të shkonte i dëshpëruar. Ajo, përkundrazi, përfiton nga ky pushim dhe i afrohet Jezusit edhe më afër. Në përvujtëri dhe në thjeshtësi e adhuron dhe plot me dhimbje i lutet: më ndihmo!
Gruaja vërtetë është e mrekullueshme në qëndrueshmërinë e saj. Nuk i shikon kundërshtimet që i vinë prej të gjitha anëve as reagimin që ia bën Jezusi. Ajo e tëra u shndërrua në lutje. A nuk është ky udhërrëfyesi i lutjeve tona të dobëta të cilat i themi pa besim? A nuk është kjo nxitje që të jemi më të qëndrueshëm në lutjet tona. Shën Monika vite me radhë u lut për birin e saj Augustinin. Nuk u ndal. Prandaj e mori kthimin e tij. Me anë të lutjeve të saj Kisha e fitoj një ndër shenjtërit më të mëdhenj.
26 Jezusi iu përgjigj: “Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”
Kjo është përgjigjja e drejtpërdrejt që i jepet gruas. Sido që të mundohemi t’i shpjegojmë, këto fjalë mbetet rrepta. Misioni i tij së pari ju drejtohet hebrenjve që janë «fëmijët» e premtimeve të Hyjit, e jo aq shumë paganëve që për hebrenjtë e asaj kohe ishin «këlyshët e qenve». Njerëzit në atë kohë ishin mësuar për të dëgjuar këtë mënyrë të të folurit. Edhe pse Jezusi këtu e përdor fjalën këlysh, biseda e tij, prapëseprapë është shumë e ashpër.
27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
Gruaja vërtetë është e jashtëzakonshme dhe e veçantë. Nuk hidhërohet pas fjalëve të Jezusit. Përkundrazi, e pranon bisedën dhe i përgjigjet me frymëzim të jashtëzakonshëm. Ajo është e qëndrueshme. Kaq shumë e do të bijën saqë për të është e gatshme të duroj gjithçka. Shkon deri në fund, derisa nuk i dëgjohet lutja.
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj: “O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!” Në atë moment bija e saj u shërua.
Jezusi mahnitet nga feja e gruas. E lavdëron përpara të gjithëve. Vetëm feja kaq e fuqishme e bëri këtë grua që të qëndronte deri në fund dhe të dilte nga gjendja e pashpresë në të cilën ishte.
O Zot, më ndihmo që të jem më i qëndrueshëm dhe të kem besim më të madh gjatë lutjes sime. Bëj që lutja ime të ma ushqej fenë që prej besimit të madh të burojë lutja e zjarrtë dhe e qëndrueshme.