MEDITIMI I DITËS – LUTJA E MIRË

Written by on March 8, 2017

Mt 7, 7-12 LUTJA E MIRË

 

Kërkoj hirin që të kthehem, që ta kuptoj se Hyji i dëgjon lutjet e mia për të mirën time, kur di të lutem mirë.

 

7 “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet!”

Jezusi i nxiti përsëri nxënësit e vet që të luteshin. Ai u foli nga përvoja e thellë e marrëdhënies që kishte me Atin. Edhe nxënësit e tij duhej të mësoheshin që të ishin të qëndrueshëm në komunikimin me Hyjin. Jezusi asnjëherë nuk i detyroi që të shkonin për t’u lutur me Të. Ai nuk iu mbajti asnjë mësim për lutjen. Aty-këtu iu dha ndonjë nxitje, siç shkruan Shën Mateu në Ungjill.

Mirëpo, nxënësit e Tij patën mundësi që ta shihnin shumë shpesh se si tërhiqej Jezusi në lutje. Ata e dinin se Ai gjithë natën e kalonte në lutje. Kur mendonte të bënte diçka, Jezusi lutej. Pas ditës së mundimshme dhe predikimit, pas shërimeve, pasi i përcillte njerëzit e fundit, Ai tërhiqej në vende të pabanuara për t’u lutur. Duke shikuar në një rast se si lutej, nxënësit dëshiruan që t’i mësonte edhe ata për t’u lutur. Krejt jeta e Tij ishte e mbështjellë me lutje. Prandaj, i nxiti ata që të kërkonin në mënyrë të qëndrueshme dhe me besim dhe do të fitonin. I nxiti që të kërkonin dhe do të gjenin. Dëshironte t’u thoshte se lutja ishte diçka krejt e thjeshtë dhe normale, si kur trokitet në derën e mikut tonë që e hap dhe na pranon. E tillë duhet të jetë lutja: e përditshme, e qëndrueshme, me plot besim dhe plot optimizëm.

8 “Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet.”

Për Jezusin, frytet e lutjes janë krejt të qarta. Ajo gjithmonë dëgjohet. O Zot, sa thjesht dhe qartë na flet për dëgjimin e lutjes! Unë nuk e kam një përvojë të tillë. Më duket se lutjet e mia janë të kota dhe nuk dëgjohen fare. Shumë njerëz rreth meje e kanë të njëjtën ankesë. Ndoshta unë nuk di të lutem? Ndoshta nuk kam besim të mjaftueshëm? Ndoshta nuk jam i afërt me Ty, ndërsa lutem? Ndoshta nuk di të të drejtohem në mënyrën e duhur? Sa herë të jam lutur për diçka shumë konkrete dhe nuk u bë ashtu si të kërkova.

Në të vërtetë, po të mendoj pak për lutjen time, më duket se ajo, në fund të fundit, nuk është gjë tjetër përveçse një kërkesë e imja vetjake, zemërngushtësi, një lloj kërkese e vazhdueshme. Por, një gjë është shumë e çuditshme; edhe pse nuk më dëgjove për gjërat që të jam lutur, prapëseprapë në mua hyri paqja që më përmbushi. Duket sikur ajo që kam kërkuar me gjithë shpirt e fiton një përmasë tjetër, sikur ta shikoja të plotësuar nga një perspektivë tjetër. Thua se nuk është kjo ajo gjë për të cilën unë duhet të lutem dhe tek e cila duhet të arrij përmes lutjes time! Të ndjej paqen e brendshme, ndryshimin e brendshëm dhe ta gjej pjekurinë, me të cilën e shikoj ndryshe veten dhe botën. Në të ia dal t’i pajtoj ngurtësitë e mia dhe ta përputh vullnetin tim me vullnetin Tënd.

9 “Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur? 10 Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër?”

Jezusi është përsëri tepër konkret. Na ndihmon që ta kuptojmë marrëdhënien tonë me Hyjin përmes marrëdhënies së fëmijës dhe babait të vet. Prindërit mund të luten në bazë të përvojave të veta që i kanë me fëmijët. Kur fëmijët luten, prindërit iu japin ato gjëra që ata i kërkojnë. Një herë tjetër, nuk iu japin fëmijëve atë gjë që ata e kërkojnë, por këtë gjë nuk e bëjnë sepse nuk i duan fëmijët e tyre, por për arsye se ajo që kërkojnë nuk është për të mirën e tyre. E këtë gjë nuk e bëjnë edhe kur ata e kërkojnë me gjithë zemër. Këtu më duhet të përpiqem që, në lutje, t’i kuptoj lutjet e mia të «plotësuara» dhe të «paplotësuara».

Të falënderoj, o Zot, që ndonjëherë, për të mirën time, nuk ma jep atë gjë që ta kërkoj e ma jep atë gjë për të cilën vetëm mundem të shpresoj.

11 “Po ja, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.”

Jezusi na mëson edhe për një gjë tjetër. Ndikimi i lutjes tonë nuk varet vetëm nga qëndrueshmëria, e as vetëm nga përpjekja jonë, por nga mirësia dhe dashuria e Atit tonë qiellor. Sa shumë kemi nevojë për fe, që ta kuptojmë se Ai, sipas mirësisë së Tij, gjithmonë na jep atë gjë për të cilën kemi nevojë, edhe pse këtë gjë ne nuk e kuptojmë në çastin e lutjes. Derisa të jemi njerëz krejtësisht tokësorë, nuk do ta kuptojmë kurrë se çfarë është e mirë për ne. Prandaj, edhe nuk e dimë shpeshherë se çfarë duhet të kërkojmë. Sa vuajtje dhe mundime, gjatë të cilave kërkojmë me gjithë shpirt që të na lirosh prej tyre, në fund shndërrohet në gëzim dhe hare, të cilat kurrë nuk do t’i fitonim, sepse kurrë nuk do t’i kërkonim! Kështu lutjet që nuk i shprehëm, Ti gjithmonë i dëgjove.

12 “Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”

Ky është parimi, që ishte i njohur në botën e vjetër dhe te hebrenjtë. Kjo është rregulla e artë e jetës shoqërore. Prej sa vështirësive do ta ruanim njëri-tjetri po të silleshim kështu.

 


Current track

Title

Artist