MEDITIMI I DITËS – LUTJA DHE FALJA

Written by on March 9, 2017

Mt 5, 20-26 LUTJA DHE FALJA

 

Kërkoj hirin që ta kuptoj se paraqitja e flisë Hyjit, pranimi i Meshës, varet nga pajtimi me të afërmin.

 

20 “Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

Drejtësia nuk mund të zvogëlohet sa herë që mendojmë se është vetëkërkim i të drejtës së thjeshtë, se është vetëm ligj. Kjo do të thotë se nuk guxojmë ta kufizojmë vetëm në drejtësi që ia bëjmë tjetrit. Jezusi dëshironte që t’i ruante nxënësit e vet nga kuptimi që e kishin farisenjtë dhe mësuesit e Ligjit për zbatimin e drejtësisë. Ai tha se drejtësia e tillë nuk mjaftonte për të hyrë në Mbretërinë e qiellit. Jezusi shkoi edhe më larg dhe kërkoi një gjë më të thellë për ta kuptuar drejtësinë. Mësimi i Besëlidhjes së Vjetër nuk e plotësonte njeriun, prandaj Jezusi kërkoi më shumë.

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit. 22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.”

Nuk mjafton që të mos kryejmë dhunë të jashtme, duke e shkatërruar kështu jetën njerëzore. Këtë gjë e dënonte dhe e ndalonte edhe Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe ky Ligj kishte domethënie të madhe dhe kishte sjellë përparim të madh, duke bërë që njerëzit të mos bënin krime dhe t’i zhvillonin marrëdhëniet e tyre me dashuri. Ky ishte hapi i parë themelor. Mirëpo, Jezusi nuk donte që të ndaleshim në këtë gjë. Ai e dinte shumë mirë se çfarë kuptimi kishte urrejtja në njeriun dhe se çfarë pasojash kishte, nëse njeriu nuk e luftonte atë në zemrën e vet. Në zemër, në brendinë e njeriut gjendej rrënja e problemit. Prandaj, Jezusi i shkoi në thelb të keqes.

Ligji i jashtëm, që e ndalon vrasjen, duhet të fillojë të jetojë në zemër të njeriut. Hidhërimi, sidomos kur kalon në urrejtje, e ndalon njeriun që ta jetojë jetën në plotësi. Vetëm personi i papjekur reagon menjëherë në bazë të ndjenjave të veta. Njeriu i pjekur nuk lejon që ta marrin përpara ndjenjat, por përpiqet që me mendje t’i kontrollojë ndjenjat e veta: ai përpiqet që ta përputhë «freskinë e kokës» dhe «ngrohtësinë e zemrës». Ose, në qoftë se ndjenjat e marrin përpara dhe nuk mundet t’i kontrollojë, kur të qetësohet, është i gatshëm që të kërkojë falje dhe të përvujtërohet.

Nuk është mëkat kur e dallojmë me kohë hidhërimin ose urrejtjen, që janë të pranishme në zemrën tonë. Kjo gjë bëhet mëkat, kur e ushqejmë në zemër, duke hartuar plane për ta kryer dhe për ta shndërruar në vepër. Sa më e fortë dhe sa më e pranishme është ndjenja e tillë në zemër, aq më e nevojshme është përpjekja dhe hiri i Hyjit që ta mbizotërojmë atë.

Kreshmët janë kohë e përshtatshme që t’i kuptoj ndjenjat e mia dhe t’i shikoj marrëdhëniet e mia me të tjerët. A më mbizotëron ndjenja e hidhërimit dhe e urrejtjes? A hidhërohem shpejt? Ndoshta hidhërimin tim ndaj të tjerëve e shfaq me fjalë ose me sjellje? Nuk guxoj ta harroj se hidhërimi dhe urrejtja më brejnë përbrenda, d.m.th. më shkatërrojnë në zemër.

23 “Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!”

Edhe kësaj here, na befason mirësia dhe gjerësia e kërkesës së Hyjit. Shumë herë mendojmë se tek Ai mund të paraqitemi thjesht për t’ia paraqitur flinë. Mendojmë se jemi në gjendje të komunikojmë me Atë, edhe pse i kemi ndërprerë të gjitha marrëdhëniet dhe çdo komunikim me njerëzit. Mirëpo, kemi harruar se te Hyji mund të shkojmë vetëm së bashku me të tjerët. Në qoftë se kjo gjë mungon, atëherë Hyji nuk e pranon flinë, sepse aq sa jam i kujdesshëm ndaj të tjerëve, aq është edhe Hyji ndaj meje! Dashuria ndaj tjetrit i paraprin flisë që dëshiroj ta paraqes. Kjo do të thotë se nuk është e mjaftueshme vetëm gatishmëria që kam për ta pranuar tjetrin, në qoftë se nuk bëj hapa konkretë drejt tij. Prej secilit njeri kërkohet që të niset drejt tjetrit. Mua më kërkohet që të kujtohem ta lë flinë para altarit dhe së pari të shkoj te vëllai, motra ime. Këtë gjë duhet ta kuptoj, sepse Jezusi kërkon prej meje që ta bëj unë hapin e parë. Vetëm në këtë mënyrë, flija ime do të jetë e pëlqyeshme para Hyjit, vetëm kështu, Hyji e pranon flinë time. Kjo është kërkesa e madhe, prandaj më duhet që me lutje ta kërkoj ndihmën e Hyjit për ta zbatuar.

25 “Rregullohu shpejt me kundërshtarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryjnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit”.

Me kë duhet të pajtohem e të bie në ujdi? Cili është ky njeri, që, afër meje, në bashkësi, te fqinjët, në vendin e punës, në shkollë, më nervozon, karakteri i të cilit më pengon, zërin e cilit nuk dua ta dëgjoj, fytyrën e të cilit nuk dua ta shoh, propozimin e të cilit nuk dua ta pranoj?

Zoti kërkon prej nesh që të përpiqemi ta ndërtojmë shoqërinë më të mirë dhe qytetërimin më të bukur. Çdo gjë themelohet në marrëdhëniet që kemi me njëri-tjetrin. O Zot, më ndihmo që ta pranoj tjetrin ashtu siç është. Bëj që me falënderim t’i pranoj vëllezërit e mi dhe së bashku me ta të eci udhës Tënde.

 


Current track

Title

Artist