MEDITIMI I DITËS – LEVI I ALFEUT

Written by on January 13, 2017

Mk 2, 13-17 LEVI I ALFEUT

 

Kërkoj hirin: që të jem mirënjohës se edhe pse jam mëkatar kam mundësi të ulëm në tryezë me Zotërinë.

 

13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u çua dhe shkoi pas tij.

Një ditë e zakonshme, si shumë të tjera. Edhe Shën Marku në mënyrë të zakonshme fillon të përshkruaj një ngjarje të re. Si të mos ishte duke ndodhur asgjë e re. Jezusi përsëri është pranë detit. Turma përsëri është rreth tij. Ai përsëri i mëson.

Edhe Levi ishte në punën e vet të zakonshme. Por atë ditë ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Afër vendit në të cilin punonte po kalonte Rabini, Jezusi i Nazaretit. Shikimet e tyre u takuan. Pasoj thirrja dhe përgjigjja. Si të ishin marrë vesh dhe si ta kishin pritur njëri-tjetrin. As në këtë thirrje nuk ka kurrfarë shpjegimi, kurrfarë premtimi dhe sigurie. Asgjë tjetër përveç fjalës së Jezusit. Levi në përgjigjën e tij nuk është aspak më i ngadalshëm se katër shokët tjerë që i thirri. Më të rritet numri i nxënësve. Ai është nxënësi i pestë. Edhe këtë Jezusi e gjeti në punë, në breg të detit. Po nuk është peshkatar dhe kryen një punë të «tmerrshme».

Tagrambledhësit të gjithë hebrenjtë i shikonin si mëkatarë publik. Ata këtë punë e kryenin duke bashkëpunuar me Romakët që brend popujve të nënshtruar gjenin bashkëpunëtorët e vet që mblidhnin tatimin për ta. Në këtë mënyrë tagrambledhësit vinin në kontakt më ata që nuk ishin hebrenj dhe sipas ligjit të hebrenjve ishin të «papastër». Këta njerëz e thyenin ligjin në vazhdimësi. Pranë kësaj edhe pasuroheshin në mënyrë të padrejtë duke marrë më shumë tatim se sa ishte caktuar. Prandaj nuk i donin as Hebrenjtë e as Romakët. Të gjithë i nënçmonin.

Për Jezusin të gjitha këto nuk kanë kurrfarë vlere. Ai me veprimin e vet të gjithë i befason përsëri. Shikimi i tij depërton më thellë, në ato gjëra që nuk shihen në dritën e ditës. Kush e di pse Levi ishte këtu dhe si erdhi në këtë vend. Ndoshta edhe dëshironte të lirohej prej kësaj pune, por nuk e gjeti as rastin as mënyrën. Gjithsesi, Jezusi e shikoj zemrën e tij. Ai e dinte çfarë ishte në të. Levi i pëlqeu dhe e thirri.

O Zot, të falënderoj që askënd nuk e shmang. Ti nuk e shikon radhën e vlerave të cilën e ka ndërtuar bota. Të falënderoj që e ke shikimin depërtues e zemrën e mëshirshme. Më ndihmo që të dijë ta dua tjetrin pse është njeri, e jo pse ka një detyrë të lartë që ia jep një vend më rëndësi në shoqëri, ose që mos ta dua për shkak të detyrës së tij dhe punës që e konsideroj të pavlefshme dhe të parëndësishme si njerëzit tjerë.

15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë.

Pamje e jashtëzakonshme. Levi nga gëzimi bëri festë. Duket se dëshironte të dilte nga ajo baltë në të cilën gjendej. Kur çdo gjë kishte kaluar masën, ndjente se jeta e tillë nuk ka kuptim, por nuk kishte guxim që ta ndërpriste në mënyrë të vendosur dhe kështu ditët i kishte të padurueshme. Jezusi kaloi afër doganës së tij dhe e thirri në çastin e duhur. Levi ndjeu se shpëtoi dhe u çlirua nga një vuajtje që po e shtypte dhe ia zinte frymën. Nuk e lejonte që të jetojë dhe të marrë frymë lirisht. Prandaj ishte shumë i gëzuar. Dëshironte në këtë mënyrë tu thotë të gjithëve se u bë njeri i ri. Festa ishte rast i jashtëzakonshëm që ta bënte këtë.

Të falënderoj, o Zot, që je pikërisht i tillë. Të falënderoj që je aq afër njerëzve dhe ha e pi me ta. Të falënderoj që nuk ndahesh dhe nuk rri vetëm me ata që mendojnë se janë të drejtë dhe të sinqertë. Të falënderoi që më thërret edh mua që jam mëkatar dhe me pranon në tryezën tënde. Të falënderoj që nuk me nënçmon, por me ngop me të mirat e tryezës sate.

E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij: “Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?” 17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha: “Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”

Jezusi më sjelljet e veta tregon qëndrimin e vet ndaj mëkatarëve. Ai erdhi tek ata dhe erdhi për ta. Dëshiron të thotë se Hyji ndaj mëkatarëve e ushtron mëshirën e vet të pakuptueshme. Kishte njerëz që këtë gjë në asnjë mënyrë nuk kishin mundësi ta pranonin. Ata kishin formuar paraqitjen e vet për Hyjin dhe njeriun. Jezusi dhe mëkatarët nuk bënin pjesë në këtë paraqitje. Prandaj që nga fillimi mendojnë dhe i kundërshtojnë nxënësit e tij. Pastaj dalë nga dalë formojnë grupin që gjithnjë e më shumë, haptas do ta kundërshtojë Jezusin. Jezusi zbaton atë gjë që predikon pa marrë para sysh gjykimet e njerëzve: «Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët!» Në këtë festë mëkatarët dhe tagrambledhësit paraqesin të gjithë ata që gjatë historisë së njerëzimit u ulën në tryezë me Zotërinë, që haptas dhe në mënyrë të përvuajtur i kërkuan falje për mëkatet e veta.

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend