MEDITIMI I DITËS – LE T’I SHOHIN VEPRAT TUAJA!

Written by on February 3, 2017

E diela e V gjatë vitit

 

Mt 5, 13-16 LE T’I SHOHIN VEPRAT TUAJA!

 

Kërkoj hirin: që të jem kripë dhe dritë.

 

Jezus, kripa i shërben ushqimit që të jetë i shijshëm. Njerëzit e përdorin edhe për pastrim, e përdorin edhe për shenjtërim. Në disa situata e gjejmë në Bibël si gjë që do ta përkujtojnë besimtarët përgjithmonë. Jezus, ti ju thua nxënësve të tu se janë kripa e tokës. Më këtë thënie dëshiron që nxënësit e tu të nisen për t’i shërbyer botës, për tu shërbyer të tjerëve. Jezus, kripa vetë për vete nuk ka kuptim, ajo është krejtësisht në shërbim të atyre që ushqehen duke ia dhënë shijen ushqimit që hanë. Kur nuk i shërben këtij qëllimi, ajo më nuk ka vlerë, nuk ka arsye të ekzistojë, hidhet jashtë. Nxënësi yt, o Jezus, që nuk i shërben botës nuk ka arsye të ekzistojë. Gjykimi mbi të është bërë tashmë. Ne si nxënësit e tu, jemi përgjegjës a do të jetë kjo botë më e shijshme, më e gjallë.

Jezus, ti erdhe që këtë botë ta kalosh nga errësira në dritë. Erdhe ta bësh vend më të mirë për të jetuar, për ta bërë më të bukur për të gjitha situatat jetësore të njerëzve. Ti erdhe që t’i bësh të gjithë njerëzit të lumtur, që të gjithë të ndjehen mirë. Njerëzit këtë gjë e përjetuan. Tek ti, të gjithë ndjeheshin mirë, secili ndjehej i pranuar, askush nuk ishte as i refuzuar as i nënçmuar. Ti për secilin pate një fjalë të mirë, secilin e pranove me gjithë zemër, dhe ishe i gatshëm t’i dhurosh dashuri duke i dhuruar vetveten. Pran teje njerëzit jetonin mirë, tek ti nuk kishte errësirë. Ju dhurove njerëzve shije të ëmbël të jetës së Hyjit duke vendosur në zemrat e tyre shpresën e re dhe dritën e re.

Jezus, ti me befason me besimin që ke. Me thua mua dhe na thua të gjithëve se jemi kripa e tokës. Kripa në ushqim është e padukshme, por secilin ushqim e bën të shijshëm. Vepron përbrenda, pa dukshëm, e prapë është e ndjeshme. Edhe ti, o Jezus, dëshiron, që ne të krishterët të jemi në botë ashtu siç është kripa në ushqim. Do që këtë botë ta bëjmë të shijshme, të mirë për të banuar në të, që jeta njerëzore të jetë plotë me shije të mirë, me cilësi të lartë dhe  fisnike. Këtë barrë e vendos në shpatullat tona, në shpatullat e nxënësve të tu duke thënë: “Ju jeni kripa e tokës!”

Nuk jam i sigurt, o Jezus, se jeta ime është gjithmonë kështu e shijshme, e që këtë shije ka mundësi tua dhuroj edhe të tjerëve. Nuk jam i sigurt se gjithmonë i plotësoj pritjet tua. Besoj se na nevojitet shumë nga shija jote dhe paqja, në mirësia dhe fisnikëria e zemrës sate. Mos lejo, o Jezus, që të humbim shijen në këtë botë. E vure në ne shijen e mirësisë ungjillore me anë të mirësisë së zemrës sate, mos lejo që të të zhgënjejmë!

Ti na thua se ne jemi drita e botës! Kjo është befasia tjetër! Nënkupton se ne do të jemi plot me dritë dhe të aftë që t’i shërbejmë kësaj bote me dritë. Kjo do të thotë se në ne nuk ka errësirë. Prapëseprapë, o Jezus, edhe në ne ti gjen ende shumë errësirë. Në ne ka ende aq shumë gjera të cilat nuk dëshirojmë të dalin në dritë të ditës, që mos të shihen veprat tona, pasi që nuk janë të mira.

O Jezus, ti do që ne të shndrisim. Përpiqesh për të na bindur se drita nuk mund të fshihet, as që guxon të fshihet. Mirëpo prapëseprapë është e vërtetë se nuk ndriçojmë! Dimë shumë shpesh të të zhgënjejmë. Kështu bota edhe sot e kësaj dite është në errësirë. Në të ka aq pak burime të dritës dhe të ngrohtësisë! Ti, Jezus, në mënyrë krejtësisht të veçantë je drita e botës. Ti shndrite me atë dritë e cila nuk u errësua kurrë. Secila vepër e jotja ishte publike. Çdo gjë fliste publikisht, sepse nuk pate arsye të fshehësh asgjë. Ne na shndriti hiri i pagëzimit, e prapëseprapë nuk jemi njerëz që shndrisin! Na ndihmo, o Jezus!


Current track

Title

Artist