MEDITIMI I DITËS – KUSH MË SHEH MUA SHEH ATIN
Written by Radio Maria on May 13, 2017
E diela e pestë e Pashkëve
Gjn 14, 1-12 KUSH MË SHEH MUA SHEH ATIN
Kërkoj hirin: që të besoj, Jezusi dhe Ati janë një.
O Zot Jezus, sot po të falënderoj që na bën zbulesën e Atit. Ti na i zbulon fshehtësitë e dashurisë hyjnore, fshehtësitë e Zemrës së Hyjit. Në shtëpinë e Atit tënd ka shumë banesa. Po, o Jezus, në shtëpi, aty ku Ati banon. A thua nuk është pikërisht këtu shtëpia e lavdisë së tij, shtëpia e Zemrës së tij? Përndryshe çfarë dhe kush ka mundësi të përfshi Hyjin?
Jezus, kur deshe të bëhesh njeri u vendose në mesin tonë, domethënë në zemrën e një gruaje, nënës sate, e cila pati aq shumë dashuri sa që e ndjeve veten mirë brenda saj. Kjo është banesa e vetme e denjë për ty, sepse në të e gjete zemrën që diti të të dojë. Derisa na fletë, o Zot, për thirrjen që ta dëgjojmë dhe ta zbatojmë vullnetin e Atit qiellor, na zbulon se do të shpërblesh secilin që të dëgjon ty dhe e zbaton vullnetin e Atit qiellor: “Tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë” (Gjn 14, 23). Premton praninë tënde, domethënë banimin tënd në atë që do të pëlqej në zbatimin e vullnetit të Atit qiellor. Në shtëpinë e Atit tënd ka shumë banesa. Po, o Jezus, në shtëpinë e Atit tënd ka shumë vende, domethënë në Zemrën e Atit, në thellësi, në dashurinë e pafund dhe të mistershme të Atit tënd. Aty ka mjaft vend për secilin, ka vend të mjaftueshëm për të gjithë njerëzit. Kjo zemër tu zbulua së pari ty si Bir, kurse ti dashurinë e zemrës së Atit e bashkëndan më ne. Ti do të na besh pjesë të asaj dashurie, prandaj shkon për të na përgatitur vendin.
Të falënderoj, o Jezus, që na përgatite vendin. Të falënderoj që në shtëpinë e Atit na i zbulove vendet e dashurisë së tij për ne. Vetëdija se dikush na do na bën të mrekullohemi, vetëdija se dikush ka kohë për ne na mbush me gëzim, vetëdija se dikush na pret dhe tek ai jemi të mirëseardhur e kërthndez jetën tonë. Kjo është shtëpia jote, kjo është banesa që të përket ty. Eja në ketë banesë, sepse çdo gjë është gati që ta marrësh në zotërim.
Faleminderit, o Jezus, për këtë banesë të shkëlqyeshme, për këtë siguri, për këtë paqe. Të falënderoj, o Jezus, që ti je Udha jonë nëpër të cilën ne kemi mundësi të ecim, të falënderoj që na hape shtegun për të ardhur tek Ati qiellor. Të falënderoj që këtë gjë na zbulon si Udhë nëpër të cilën ecim në jetë. Po, o Jezus, vetëm përmes teje vijmë tek Ati, qëllimi i jetës dhe i gëzimit.
Jezus, aq shumë kohë jemi së bashku, dhe shumë herë duket se të njohim aq pak. Sikur ne nuk dëshirojmë as seriozisht e as që e kemi vëmendjen tek ti, sepse shumë herë nuk e dëgjojmë aspak përmbajtjen e fjalës sate. Edhe neve na drejtohesh si Filipit, se na mjafton të shikojmë ty, na mjafton të dëgjojmë ty dhe do ta kuptojmë, se jemi më afër, se jemi të pranishëm tek Ati. Na zbulo sot që bashkimi me ty do të jetë i amshueshëm, që pastaj bashkë me ty një ditë do të vijmë tek Ati yt dhe Ati jonë. Ejani tani ti dhe Ati përmes hirit në mua që pastaj unë në përjetësi së bashku me ty të banoj tek Ati.