MEDITIMI I DITËS – KUSH ËSHTË JEZUSI

Written by on February 15, 2017

Mk 8, 27-33 KUSH ËSHTË JEZUSI

 

Kërkoj hirin: që jeta ime e përditshme të jetë përgjigje ne pyetjen: Kush është Jezusi për mua?

 

27 Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:  “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” 28 Ata iu përgjigjën: “Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”

Prej ku zbrazët Jordani në det, Jezusi me nxënësit e vet niset drejt veriut, drejt burimit të Jordanit. Këto janë krahinat pagane. Ai është larg turmës dhe dëshiron të kaloji një kohë të caktuar vetëm më nxënës. Këto janë çastet në të cilat dëshiron të rishikojë veprimtarin e deritanishme. Dëshiron të dëgjoj prej nxënësve të vet reagimet e tyre për të gjitha ato që deri me tani kanë përjetuar me të. Këto janë çastet e vlerësimit të punës së kryer prandaj i pyet për vetveten, si e kanë parë dhe si e kanë përjetuar njerëzit. Dëshiron të shoh a janë të interesuar nxënësit se si njerëzit e pranojnë Jezusin dhe çfarë mendojnë për të.

Duket se nxënësit e kanë të lehtë të përgjigjen në pyetjen e Jezusit për atë se çfarë mendojnë njerëzit për të. Njerëzit në Jezusin e shikojnë një person të jashtëzakonshëm, një njeri të madh e mbi të gjithë një profet të madh, sepse e krahasonin me profetët më të mëdhenj të historisë së vet.

29 Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri. 30 Ai u urdhëroi rreptësishtë të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.

Pyetja e parë për Jezusin shërbej si hyrje e pyetjes së dytë, pyetjes më të rëndësishme për nxënësit. Jezusi i pyeti  drejtpërdrejt ata. Jezusi dëshiron ta dëgjoj përgjigjen e tyre. Kush është ai? Duket se për një moment nxënësit u shtanguan nga kjo pyetje. Nuk patën mundësi të japin përgjigje lehtë në këtë pyetje siç e patën kur u përgjigjen në pyetjen e parë. Pjetri, i frymëzuar prej Shpirtit të Hyjit, përgjigjet në emër të të gjithëve. Në përgjigjen e tij shihet se nxënësit e konsiderojnë Jezusin më të madh se profetët, më të madh se cilindo person të popullit të tyre. Ai është Mesia. Nuk është vetëm njëri prej profetëve nëpër të cilët Hyji e drejtoj historinë e shëlbimit drejt përsosmërisë. Jezusi është përsosmëria dhe plotësimi i të gjitha premtimeve të cilat profetët i premtuan. Këtë gjë Jezusi dëshiroj ta dëgjonte prej nxënësve. Jezusi e provoj besimin e tyre dhe e mori përgjigjen e cila e kënaqi.

Kjo pyetje është pyetja që i shtrohet secilit besimtar, secilit nxënës të Jezusit. Para kësaj pyetje të Jezusit rri edhe unë dhe me duhet të përgjigjem personalisht me jetën time: Kush është Jezusi për mua? Asnjë përgjigje e shkruar, asnjë formulë e mësuar përmendsh nuk ka mundësi ta zëvendësojë përgjigjen time të brendshme në këtë pyetje. Përgjigja ime duhet të themelohet në besimin tim personal dhe duhet të dalë nga zemra e cila i përket Jezusit të cilit ia ka lëshuar vendin e mjaftueshëm që të banojë në të. Në këtë mënyrë jeta ime shndërrohet në përgjigje në pyetjen e Jezusit. Me stilin e jetës sime unë përgjigjem në pyetjen që ma bëri Jezusi.

Ai për mua është Fjala e Hyjit. Unë e dëgjoj, e thithi dhe jetoj sipas saj. Kjo është Fjala që i frymëzon fjalët e mia. Prandaj fjala ime duhet të jetë burim paqeje dhe nxitjeje kudo që të jetoj. Si janë fjalët e mia?

Jezusi është drita e jetës sime. Nuk i përkas errësirës. A kam frikë nga kjo Dritë për arsye se veprat nuk i kam gjithmonë të mira? Mirëpo unë e di se vetëm kjo dritë ka mundësi të më pastrojë që nën dritën e saj ta shoh brendinë time.

Në lutje kam mundësi të rreshtoj të gjithë emrat të cilët Jezusit ia jep liturgjia dhe himnet tona. Gjëja më e rëndësishme është që unë ta di se ai për mua është i Gjalli dhe vërtetë i Pranishmi. Ai i vetmi ka mundësi të jetë gjithçka në jetën time.

31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas.

Shpallja e parë e mundimeve. Jezusi flet haptas se si do të përfundojë jeta e tij. Kryqi është zemra e mundimit të tij. Ai dëshiron që këtë gjë nxënësit e tij ta kuptojnë dhe mbi të gjitha ta pranojnë. Kjo gjë nuk do të kryhet shumë lehtë. Kryqi gjithmonë është sfidë të cilën natyra njerëzore e kundërshton. Këtë gjë na bëjnë shumë të qartë fjalët e Pjetrit i cili dëshiron t’ia mbush mendjen Jezusit që të nisët në rrugën tjetër.

Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33 Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

Pas frymëzimit të Hyjit Pjetri shumë shpejt lejoj që ta frymëzojë shpirti i keq. Jezusi ndjen të njëjtin tundim si në shkretëtirë. Më këtë gjë do të takohet gjatë gjithë jetës. Prandaj është i rreptë ndaj Pjetrit. Më të keqin nuk duhet bërë pazar. Mendimet tona nuk janë në përputhje me mendimet  e Hyjit as rrugët tona nuk janë rrugët e Hyjit. Na duhet t’i përputhim mendimet tona me mendimet e Hyjit dhe rrugët tona me rrugët e Hyjit. Këtu kryqi do të jetë gjithmonë i pranishëm. Prandaj kundërshtimet janë të forta dhe lufta është e vështirë.

 


Current track

Title

Artist