MEDITIMI I DITËS – KUSH DO TË NA HEQ GURIN NGA VARRI?

Written by on March 30, 2018

Nata e Pashkëve B

 

Mk 16, 1-8 KUSH DO TË NA HEQGURIN NGA VARRI?

Kërkoj hirin: që të besoj në Jezusin e ringjallur.

 

O Zot, varri yt mbeti i zbrazur! Dole nga varri dhe u nise i gjallë në jetën e re.

Zbrazi varret tona, o Jezus, varret që janë në zemrat dhe në shpirtrat tanë.

Ndoshta zemra ime është varr në të cilin është varrosur shpresa të cilën ndoshta më as nuk e kam. Zbraze këtë varr, o Jezus, dhe ma dhuro shpresën e re.

Ndoshta në varrin tim janë shumë njerëz që unë më nuk i pranoj as nuk me bie ndër mend për ta, janë shumë të cilët nuk i kam falur e të cilët nuk dëshiroj t’i shoh. Zbrazi këto varre të zemrave tona.

Janë në zemrat tona, o Jezus, shumë njerëz të cilëve nuk ju besojmë më se mund të shndërrohen, se mund të bëhen më të mirë; aq shpesh na kanë dëshpëruar dhe tani për ne janë si të ishin të vdekur. Zbrazi këto varre të zemrave tona, o Zot!

Në varrin tonë është dëshpërimi për veten tonë , o Jezus, nuk i besojmë më vetvetes, nuk presim më asgjë nga e ardhmja, mendojmë se do të ishte më mirë po të mos ishim fare, nuk e pranojmë jetën tonë dhe jemi në luftë me ty. Zbrazi varret tona, na nxjerr nga varri në të cilin e kemi varrosur vetveten dhe na dhuro jetën e re!

O Zot, zemrat e apostujve që ishin të zbrazëta dhe të dëshpëruara, plot me dyshime dhe pasiguri, i mbushe me paqe, gëzim dhe hare. Ata pas ngjalljes sate filluan të jetojnë jetën e re. E ndjenin pushtetin e ngjalljes sate.

Mbushi zemrat tona, o Jezus!

Mbushi zemrat tona me forcën e re për jetë, na dhuro dëshirën që secili prej nesh ta jetojmë jetën e plotë, që të luftojë me të gjitha mossukseset dhe me të gjitha tundimet që na kërcënohen.

Mbushi zemrat tona me paqe, na jep, o Jezus, fuqinë që të pajtohemi dhe të kemi paqe. Na jep forcën që të falim dhe të kërkojmë falje, na jep hirin që të bëhemi mbartësit e paqes sate!

Mbushi zemrat tona me hare! Me atë hare të cilën bota nuk ka mundësi të na dhurojë e as të na marrë. Ky është gëzimi i ngjalljes sate, hareja e plotë dhe e përsosur.

Mbushi shpresat dhe pritjet tona. Le të bëhet ajo që është në përputhje të plotë me vullnetin tënd e që në thellësi e kërkojmë dhe aq shumë e presim. Le të ngjallet në ne shpresa për jetën e re më të mirë, për të nesërmen me të mirë! Etërit dhe nënat mos të frikësohen që ta dhurojnë jetën dhe ta pasurojnë këtë botë me fëmijë, të rinjtë mos të frikësohen që të hyjnë në angazhimin e dashurisë martesore për krejt jetën, e të vjetrit mos t’i frikësohet pleqërisë.

Ngjallu, o Jezus në secilin prej nesh! Zbrazi varret tona, e mbushi zemrat tona me praninë tënde!

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend