MEDITIMI I DITËS – KUJDESI I JEZUSIT

Written by on May 31, 2017

Gjn 17, 20-26 KUJDESI I JEZUSIT

 

Kërkoj hirin që të besoj se do ta marr hirin e plotë, sepse Jezusi lutet edhe për mua.

 

«20 Nuk po të lutem vetëm për këta, por edhe për të gjithë ata, që, për shkak të fjalës së tyre, do të besojnë në mua.»

Këto janë fjalët e fundit, që i tha Jezusi përpara nxënësve të vet pas Darkës së fundit. Pas këtyre fjalëve, Ai u nis për në kopshtin e Gjetsemanit, ku do të fillonin mundimet. Në fund, gjatë lutjes së vet, Jezusi e tregoi gjerësinë e zemrës së Tij. Në lutje, i përfshiu të gjithë ata që do të besojnë në fjalët e Apostujve, të cilat ata do t’i shpallin përpara njerëzve, tek të cilët do t’i dërgojë Jezusi. Në këtë mënyrë, breznia më e vjetër do t’ia dorëzojë fjalën e Jezusit breznisë më të re, deri në ardhjen e Tij përfundimtare. Jezusi i pa të gjithë ata që do të bëhen pjesëtarë të Kishës së Tij përgjatë historisë. I pa të gjitha breznitë që do të besojnë në Të, që do të shndërrohen. Më të vjetrit do të shkojnë e më të rinjtë do të vijnë. Kështu do të jetë deri në mbarimin e botës.

O Zot, Ti e përfundove lutjen para nxënësve, duke e parë mbarë botën, që nga koha Jote e deri në përfundimin e historisë njerëzore. Ti mendove për të gjithë ne. Na bashkove të gjithë në lutjen tënde. Atë natë, Ti u lute edhe për bashkëkohësit e mi, për njerëzit që jetojnë sot e të cilët besojnë në fjalën Tënde. E morëm atë prej Teje, përmes breznive të shkuara, që na pagëzuan dhe na ndihmuan që ta pranonim dhe ta përvetësonim. Po të falënderoj që mendove edhe për ata që do të besojnë në Ty, përmes fjalës që Ti e shpall nëpërmjet nesh. Të falënderoj që besimin, të cilin e morëm prej breznive të shkuara, tani mund t’ua dhurojmë breznive të ardhshme. Të gjitha janë dhuratë e dorës Tënde, janë hiri Yt. Të falënderojmë për këtë dhuratë. Të falënderoj që mendove për ne. Të falënderoj që u lute për njerëzit e kësaj kohe, në të cilën jetoj. Të falënderoj që në zemrën Tënde ka vend për të gjithë ne. Edhe unë jam në të. Edhe për mua mendove. Të falënderoj për këtë gjë.

«21 që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove.»

Jezusi u lut që të jemi një. Gjatë gjithë historisë, njeriu u ngrit kundër njeriut dhe luftuan njëri kundër tjetrit. Historia e njeriut mbi tokë është histori luftërash, betejash dhe përndjekjesh të vazhdueshme. Jezusi do që njerëzit të jetojnë të lidhur me njëri-tjetrin, në njësi mes tyre dhe në njësi me Hyjin. Çdo brezni duhet të punojë për këtë gjë. Edhe breznia jonë duhet ta kuptojë se Jezusi e do këtë gjë dhe mendoi për këtë gjë në çastet e fundit të jetës tokësore. Ai për këtë gjë erdhi, për këtë gjë e dhuroi vetveten.

Jezusi u lut që lidhja mes njerëzve të jetë e ngjashme me lidhjen e Tij me Atin. Komunikimi i ndërsjellët në Trininë e Shenjtë është ideali drejt të cilit duhet të udhëtojë njerëzimi. Ajo gjë që i bashkon Personat e Trinisë së Shenjtë është dashuria e ndërsjellët. Dashuria është themeli i lidhjes së ndërsjellët. Sa larg jemi ne prej kësaj gjëje? Sa larg janë Kishat tona prej njëra-tjetrës dhe në to nuk ka vullnet as gatishmëri që të tejkalohen vështirësitë, që e sjellin ndarjen dhe shkapërderdhjen!

Ti, gjatë jetës, o Zot, e pate zemrën e hapur ndaj të gjithëve. Edhe pse ishe hebre, Ti e lavdërove besimin e kapitenit ushtarak dhe të gruas sirofenikase. Samaritanin e paraqite si shembull të dashurisë ndaj të afërmit. Samaritanen e mësove që ta bënte adhurimin në shpirt dhe në të vërtetë. Fole me të gjithë, të gjithëve iu ndihmove, askënd nuk e le pas dore. Prandaj, tani u lute që ata, që besojnë në Ty, të jenë një, sikurse je Ti në Atin dhe siç na e dhe shembullin duke komunikuar me të gjithë. Vetëm kështu bota do të besojë në Ty.

Na ndihmo që ta tejkalojmë vetëmjaftueshmërinë tonë. Na ndihmo që të jemi më të përvuajtur përballë njëri-tjetrit. Bëj që të jemi të hapur para Shpirtit Tënd, i cili na nxit që të jemi një e që të marrim pjesë në veprën e bashkimit, duke e dhënë pjesën tonë. Këtë e do dhe për këtë lutesh.

« 22 Edhe unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe që të jenë një sikurse ne jemi një 23 ‑ unë në ta e ti në mua, që të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata siç më deshe mua. 24 Atë, dua që ata, të cilët m’i dhe, të jenë aty ku jam unë…»

Jezusi iu dhuroi gjithçka nxënësve të vet. Tani iu lut Atit që edhe ata të jenë atje ku është Ai. U lut që Ati t’i pranojë për amshim në bashkim me Hyjin. Jezusi u lut për amshueshmërinë e nxënësve. Ai mendon edhe për amshimin tonë. Nuk e përjashton askënd. E lë njeriun të lirë, që ai lirisht të përgjigjet në thirrjen e Tij.

«25 Atë i drejtë! Bota nuk të njohu e unë të njoha. Edhe këta e kuptuan se ti më dërgove. 26 Këtyre ua dëftova Emrin tënd dhe do të vazhdoj t’ua dëftoj, që dashuria me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta ‑ dhe unë në ta.»

Kështu përfundon lutja e Jezusit: «… që dashuria me të cilën ti më deshe mua, të jetë në ta ‑ dhe unë në ta.» Këto janë fjalët e Zotërisë. Më duhet t’i dëgjoj mirë dhe t’i përjetoj në thellësi: që dashuria e Atit, që është në Jezusin, të jetë në mua. O Zot, a do ta kuptoj ndonjëherë mjaftueshëm këtë gjë? Sa shumë më tejkalon kjo gjë! Dashuria hyjnore është e pranishme në mua, në zemrën time. Jo, o Zot, unë nuk jam i vetëdijshëm për këtë gjë! Po të isha i vetëdijshëm, me siguri që do të isha ndryshe.

 


Current track

Title

Artist