MEDITIMI I DITËS – KUJDESI I HYJIT

Written by on December 5, 2016

Is 40, 1-11 KUJDESI I HYJIT

 

Kërkoj hirin: që ta përgatis rrugën nëpër të cilën Hyji vjen në zemrën time.

 

1 “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim, thotë Perëndia juaj! 2 Flisni zemrës së Jerusalemit, dhe klithni atij se mori fund skllavëria e tij, u shpërblye paudhësia …”

 

Lexojmë dhe lutemi me atë pjesë të Librit që quhet «Libri i ngushëllimit të Izraelit» dhe i përshkruhet Isaisë dytë. Ngushëllimi është tema qendrore e kësaj pjesë të Librit. Populli i Izraelit gjendet i shpërngulur në Babiloni. Tempulli është çnderuar dhe rrënuar, Jerusalemi gjithashtu. Pjesa më e madhe e populli janë shpërngulur në robëri dhe janë dënuar që të kryejnë punë të rënda fizike. Profeti këtyre njerëzve iu drejton porosinë e shpresës.

Sa ngrohtësi të madhe dhe sa ndjenja të thella ka kjo fjalë e Hyjit. Hyji dërgon ngushëllimin, nxit të gjithë ata që kanë mundësi të ngushëllojnë për tu ndihmuar atyre që janë dobësuar, që kanë rënë dhe kanë humbur shpresën. Hyji përmes profetit shpall çlirimin e shpejt. Tashmë janë në përfundimin e robërisë së Babilonit. Kjo robëri në Izrael u përjetua gjithmonë si ndëshkim për shkak të mëkateve që kishin bërë. Ndëshkimi ishte për të mirën e tyre sepse prej tij e morën mësimin.

Mëkati është e keqja më e madhe dhe robëria më e rëndë. Kundërshton të mirën, hirin e Hyjit. Prandaj mëkati duhet të zhdukët që mos të jetojmë nën ndikimin e të keqit. Pikërisht kësaj ju përkushtua Jezusi gjatë krejt jetës tokësore. Hyji nuk e do mëkatin, por e do njeriun edhe pse është mëkatar. Aq shumë e do sa që dërgon Birin e vet për ta liruar dhe për ta shëlbuar botën dhe njeriun. Koha e Ardhjes pikërisht për këtë gjë dëshiron të na bëj të vetëdijshëm dhe dëshiron të na përshkruaj.

 

3 Një zë lëshon kushtrimin:  “Në shkretëtirë përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Tenzot. 4 Le të ngrihet çdo luginë, le të ulet çdo mal e kodër, rruga e shtrembër le të bëhet e drejtë…

 

Izraelitet e robëruar në Babiloni punonin punë të rënda fizike. Ishin të detyruar të punonin «udhën e shenjtë» të perëndisë babilonase Mardukut. Në këtë situatë profeti popullit ia kujton një rrugë tjetër, rrugën drejt Hyjit të vërtetë që vjen në pasi. Duke kryer punë të rënda në robëri, profeti i ngushëllon që mos ta harrojnë Zotërinë dhe i thërriste që të shpresojnë në kthimin e vet në atdhe. Duhet ndërtuar udhën e Hyjit. Ky «zë» do të jehojë fuqishëm në brigjet e lumit Jordan kur Gjon Pagëzuesi thërret për ta përgatitur rrugën para ardhjes së Jezusit. Ky zë në këtë Kohë të Ardhjes jehon në shtëpinë time, në bashkësi, në famulli, në rrugët e qytetit, në kryqëzime dhe në sheshe të vendit tonë. A e dëgjoj? A e pranoj porosinë që më jep?

Po, Hyji vjen. Duhet përgatitur udhën e tij. Secili për vete dhe të gjithë së bashku. Kodrat të ulën, luginat të mbushën. O Zot, aq shumë gjëra me duhet që t’i rrafshoj, t’i drejtoj, t’i ndërtoj, t’i rregulloj. Nuk e di a do ia dal i vetëm, por e di se do ia dal me ndihmën tënde. Ti nuk e ke të vështirë të më ndihmosh, edhe pse kjo është puna dhe detyra ime. Kur frikësohem dhe humbi shpresën, ti me propozon: e po të fillojmë së bashku! Të falënderoj për ndihmën. E di se këtë gjë kamë mundësi ta kryej vetëm me ty.

 

  6 Një zë kumton: “Shpall!” Çdo njeri është bar, e tërë lavdia e tij porsi lulja e fushës; 7 thahet bari, vyshket lulja kur fryma e Zotit bie mbi të. Vërtet populli është si bari! 8 Thahet bari e bie lulja: kurse fjala e Zotit qëndron për amshim.

 

Duhet shpallur të vërtetën: çdo gjë është e paqëndrueshme dhe e kalueshme. Vetëm Fjala e Hyjit mbetet. Ajo është pengu dhe siguria jonë në dobësi dhe në pasiguri. Jetën tonë duhet ndërtuar në të. Më të duhet ta përgatisim udhën. Mbetet vetëm Hyji. Kush është me të, vetëm ai do të ketë mundësi të mbetet për amshim.

 

 9 Ngjitu mbi një mal të lartë, ti që i sjell sihariqin Sionit; ngrite me gjithë fuqi zërin tënd, ti që i sjell sihariqin Jerusalemit! Klith me të madhe, mos druaj, thuaju qyteteve të Judës: “Ja, Hyji juaj…

 

Lajmi i gëzueshëm është ky: Ja Hyji! A kam mundësi që edhe unë tu bërtas njerëzve më sigurinë e plotë të zemrës. Së pari më duhet të besoj personalisht në Ardhjen e Hyjit, në praninë e tij në jetën time që pastaj të kem mundësi të dëshmoj para të tjerëve. «Të shikosh» se si Hyji vjen në njëmijë mënyra të thjeshta në jetën e përditshme. Ai nuk vjen në mënyrë të jashtëzakonshme dhe në mënyrë spektakolare, por thjesht dhe në heshtje. Nëse pres spektakël, jam në rrezik që të mos e dalloj Hyjin dhe ka mundësi të kaloj afër meje dhe shtëpisë sime pa e vërejtur fare.

 

 11 Si bariu e kullot grigjën e vet, në dorë i merr qengjat,  n’përqafim i mbart; i shikon me kujdes pëllejat.

 

 Ky është një ndër përngjasimet më të bukura të Biblës që dëshiron të na tregojë kujdesin e Hyjit dhe punën që bënë për njeriun. Hyji e do secilin njeri. Hyji më do mua. Të jesh në duar të Hyjit. Të dorëzohesh në përqafimin e Hyjit.

O Zot, po të falënderoj që kujdesesh për mua dhe me do. Nëse të gjithë me braktisin dhe më lënë, jam i sigurt se ti, as nuk më harron as nuk me braktis. Të falënderoj për kujdesin që ke për mua. Të falënderoj për duart që me mbartin dhe me mbrojnë. Të falënderoj për mirësinë dhe kujdesin e aq shumë njerëzve të mirë që mendojnë në mua dhe që me ndihmojnë. Bëj që mirësia jote dhe e tyre të me prekin që edhe unë të dijë të jem i mirë dhe i kujdesshëm ndaj të tjerëve. Koha e Ardhjes është Koha më e volitshme që këtë gjë edhe ta tregoj.

 

 


Current track

Title

Artist