MEDITIMI I DITËS – KTHJELLTËSIA DHE MIRËSIA

Written by on March 2, 2019

E diela e tetë gjatë viti – C

 

Lk 6, 39-45 KTHJELLTËSIA DHE MIRËSIA

 

Kërkoj hirin: që të jem i kthjellët në drejtim dhe plot mirësi ndaj të tjerëve!

 

39 Jezusi u tha edhe shëmbëlltyrën: “A mund t’i prijë i verbëri të verbrit? A thua s’do të bien të dy në gropë? 40 Nuk është nxënësi më i aftë se mësuesi; por, çdo nxënës plotësisht i aftësuar, do të jetë si mësuesi i vet. 41 Po pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd e nuk e sheh traun në syrin tënd? 42 Si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Vëlla, ndal ta heq lëmishten, që ke në sy, ti që nuk e sheh traun në sy tënd? Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.”

            Secili prej këtyre këshillave, nxitjeve ose qortimeve është i mjaftueshëm për një meditim. Sado kërkues të jenë, i lexojmë më lehtë se atë gjë që të dielën e kaluar e kemi lexuar dhe medituar. Këto figura janë të qarta dhe sugjestive. Jezusi së pari ju flet atyre që në mënyra të ndryshme janë përgjegjës e që i drejtojnë njerëzit e tjerë. A është kjo në familje apo në bashkësi, në famulli apo në ipeshkvi, në sipërmarrje apo në sindikatë, në ndonjë ekip apo në ndonjë shoqatë, në qytet apo në shtet, të gjithëve që janë përgjegjës në drejtim ju nevojitet kthjelltësia dhe qartësia e shikimit. Prandaj i bëj këto pyetje me të cilat dëshiroj të bëhem i vetëdijshëm për situatën time. A jam përgjegjës për të tjerët në ndonjë vend? Çfarë është përgjegjësia ime? A e kam kthjelltësinë dhe gjerësinë ose jam rrethuar me njerëz që më gënjejnë dhe janë të dobët që të bëj më lehtë çfarë dua dhe të kryej tekat e mia?

            Mësuesi në çdo shoqëri është i nderuar dhe i vlerësuar. Ai e përcjell tek nxënësit e vet jo vetëm diturinë por edhe të gjitha të mirat tjera që i përkasin edukimit të përgjithshëm. Nuk ka rritje të vërtetë as shpirtërore as të diturisë pa mësues. Prandaj janë kaq të rëndësishëm në shoqëri. Prej tyre varet si do të jetë e ardhmja jonë. Mësuesit nuk janë vetëm në shkollë. Ata janë në familje dhe në bashkësi, në sipërmarrje dhe në çdo shoqatë… Sa e rëndësishme është marrëdhënia mësues nxënës, nderimi i ndërsjellët dhe vlerësimi! Mësuesit e vërtetë së pari mësojnë me sjelljen e vet, me shembullin dhe me jetën e vet. Askurrë nuk kemi mësuar një gjë deri në fund që mos të ketë mundësi për të mësuar edhe diçka.. Prandaj gjithmonë jemi edhe mësues edhe nxënës.

            Sa e rëndësishme është kritika ndërtuese në secilën bashkësi dhe në secilën mënyrë të jetës së përbashkët dhe të shoqërizimit të njerëzve sa që është e panevojshme të theksohet. Kritika e tillë ndërton dhe mbindërton. Ajo është vullnetmirë dhe të gjithë kemi nevojë për të. Në të mësojmë dhe na ndihmon që të mos gabojmë dhe mos të përsërisim të njëjtat gabime. Fatkeqësisht, kritika shumë lehtë mund të shndërrohet në kritikë që shkatërron dhe rrënon çdo bashkësi. Shumë mirë e dimë se çfarë do të thotë kur dikush edhe pa dashur na humb nga shikimi ose nuk na përshëndet, na tejkalon ose nuk na heton dhe ndjehemi të lënduar. Shumë më të renda janë rastet kur dikush qëllimisht na shkel dhe përvujtëron, na nënçmon dhe na përbuz. Thjesht nuk na shikon fare por na shfrytëzon deri në fund për interesa të veta.

            O Zot, dëshiroj që në shpirtin e fjalëve të tua të lutem dhe të shoh mirë jetën time. Po të lutem për të gjithë ata që më janë besuar e për të cilët kam përgjegjësi. Bëj që të jem i kthjellët dhe mos të mbyllem në “verbërinë” time. Po të lutem edhe për të gjithë ata që i mësojnë të tjerët, që janë mësues në bashkësitë e ndryshme dhe në nivelet e ndryshme. Ndihmoi që të jenë vullnetmirë dhe të durueshëm. Ndihmoju edhe atyre që mësojnë që me nderim ta pranojnë mësuesin e vet. Kanë nevojë që ta çmojnë dhe ta vlerësojnë njëri-tjetrin. Mësuesve jepu durim dhe dashuri. Nxënësve jepu zemrën e hapur dhe gatishmërinë për të përvetësuar të gjitha ato të mira që mësuesit dëshirojnë tu japin. O Zot, na ndihmo që mos të kërkojmë prej të tjerëve ato gjëra që nuk i bëjmë vetë. Që mos t’i detyrojmë të tjerët që të punojnë ato punë që vetë nuk i punojmë. Na ndihmo që së pari te jemi të rreptë dhe kërkues ndaj vetes sonë. Na ndihmo gjithashtu që tek të tjerët të vlerësojmë të mirën dhe pozitiven që mbartin në vetvete, e mos t’i gjykojmë për të keqen, negativen dhe dobësinë.

43 Nuk ka pemë të mirë që jep fryt të keq, as pemë të keqe që jep fryt të mirë. 44 Çdo pemë njihet prej frytit të saj. Nuk mblidhen fiq nga murrizi as nuk vilet rrush nga ferra. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga visari i mirë i zemrës së vet, njeriu i keq nxjerr të keqen nga visari i keq: sepse goja i qet çka i ka zemra.”

            Këto dy figura janë të qarta. Atë gjë që bëjmë dhe çfarë jemi në jetë njihet sipas fryteve tona. Ky është gjithashtu kriteri i rritjes shpirtërore dhe i zhvillimit. Ndonjëherë entuziazmohemi për diçka ose “ia mbushim mendjen vetes” se kemi ndonjë dërgim dhe me të gjitha forcat përpiqemi për ta realizuar. Koha tregon se sa vjen kjo nga Shpirti i Hyjit, ose ndoshta nga shpirti jonë ose nga shpirti i keq. Frytet janë shenja me dalluese për të treguar çfarë jemi dhe kush jemi, të kujt jemi dhe cili shpirt është në ne. Është e nevojshme të dallojmë shpirtrat që të dimë çfarë vjen prej Shpirtit të Hyjit e çfarë vjen prej shpirtit të keq.

            Zemra është e rëndësishme, sepse me të shikojmë dhe shohim atë gjë që është thelbësore. Sikurse Hyji i tha Samuelit se shikon çfarë ka në zemrën e njeriut, kështu edhe Jezusi thekson zemrën që është thesari prej të cilit nxjerrim ato gjëra që në të i kemi ruajtur.

            O Zot, më ndihmo që të di të dalloj thelbësoren nga gjerat jothelbësore, të rëndësishmen nga e parëndësishmja. Frytet kanë rëndësi. Më ndihmo që të tjerët mos të më ngashënjejnë me bisedat e tyre, por t’i shikoj frytet që sjellin. Po të lutem për zemrën time. Dëshiroj ta mbush me pasurinë tënde dhe me fjalën tënde të bollshme. Le të shihet në fjalët e mia ajo që është në zemrën time. Në veprat e mia le të njihet ajo që është në zemrën time. Dua të jem punëtor që punon, por puna ime le të jetë fisnike e veprat e mia të mira për nder e lavdi tënde.


Current track

Title

Artist

Send this to a friend