MEDITIMI I DITËS – KTHIMI TEK ATI
Written by Radio Maria on March 17, 2017
Lk 15, 1-3. 11-32 KTHIMI TEK ATI
Kërkoj hirin që ta marr guximin të dal nga gjendja ime dhe të kthehem tek Ati im.
1 Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin: “Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”
Farisenjtë dhe skribët e përshkruanin Jezusin si njeri që shoqërohej me mëkatarët. Ata nuk mund ta pranonin, as ta kuptonin, në asnjë mënyrë këtë gjë. O Zot, të falënderoj që ulesh në tryezat tona dhe që dëshiron të hash me ne. Të falënderoj që erdhe për shkakun tim, që jam mëkatar, dhe që nuk e ke të vështirë të jesh në shoqërinë time.
3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 11 Një njeri kishte dy djem. 12 Djali i vogël i tha të atit: ‘Babë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon!’ Ai ua ndau pasurinë. 13 Pas pak ditësh, djali i vogël mblodhi çka pati dhe shkoi në dhe të largët e atje e shkapërderdhi pasurinë e vet duke jetuar i dhënë pas vesesh.
Këtë shëmbëlltyrë e quajmë zakonisht «shëmbëlltyra e djalit plangprishës». Mirëpo, menjëherë, në fillimin e saj, na bie në sy se babai ishte «plangprishësi». Ua ndau pasurinë bijve të vet pa asnjë fjalë. Djali i vogël i doli para dhe ia kërkoi me vendosmëri: ma jep! Trashëgimia mund të kërkohet me thjeshtësi, por asnjëherë të pretendohet në këtë mënyrë.
Në të njëjtën mënyrë, është «plangprishës» edhe Ati qiellor ndaj nesh. Na e jep trashëgiminë dhe lejon që të largohemi prej Tij, sepse nuk dëshiron që të mbetemi dhunshëm në shtëpinë e Tij. Më me ëndje lejon që të largohemi së bashku me trashëgimin tonë për ta shpenzuar «të lirë», në mënyrë që atje ta kuptojmë robërinë tonë. O Zot, e kemi shumë të vështirë që ta kuptojmë mirësinë, pedagogjinë, me të cilën na edukon. Më ndihmo që ta kuptoj se ku jehon në jetën time fjala: «ma jep!» Çfarë dëshiroj të marr me dhunë dhe me atë gjë të largohem prej Teje, që pastaj ta përdor sipas vullnetit tim?
17 Atëherë i erdhën mendtë e thoshte:’ Sa mëditësve të tim eti u tepron buka, kurse unë këtu po vdes urie! 18 Do të çohem e do të shkoj tek im atë e do t’i them: O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! 19 Nuk jam më i denjë të quhem yt bir; më prano si një ndër rrogëtarët e tu’.
Kur erdhi skamja e skajshme, djali e kuptoi se, në shtëpinë e atit, edhe shërbëtorët ishin të ngopur. Shtëpia për të ishte e ngushtë dhe të gjitha i përjetonte si kufizime të lirisë. Tani, në liri, çdo gjë ishte e lejueshme, por të gjitha i shkatërroi. Atëherë, e kuptoi se tek ati nuk ishte aq «tmerrshëm» siç e përjetoi ai. E kuptoi se çfarë kishte bërë dhe ku arriti larg atit. Në të kishte edhe pak sinqeritet, sepse askënd nuk e paditi për situatën në të cilën gjendej. E pranoi se ai vetë kishte gabuar dhe gjeti në vetvete guximin dhe përvujtërinë që të kthehej tek i ati. Ndjeu se babai nuk e kishte refuzuar dhe se kishte mundësi të kthehej.
O Zot, Ti më do aq shumë, saqë nuk do të më braktisësh kurrë. Ti je besnik pranë pabesnikërive të mia. Më ndihmo që të di të ngrihem e të kthehem në shtëpinë time, sado larg që të jem nga Ti.
20 U çua dhe mori rrugën të kthehet tek i ati. Ndërsa ende ishte larg, i ati e pa, u ngashërye, u lëshua me vrap, e përqafoi dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: ‘O atë, rashë në mëkat kundër Qiellit e ndaj teje! Nuk jam më i denjë të quhem yt bir…’! 22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: ‘Sillni shpejt petkat më të mirat e vishjani! Vërjani unazën në dorë e sandalet në këmbë! 23 Sillni viçin e majmë e prejeni të hamë e të gëzojmë, 24 sepse ky, im bir, pati vdekur e u ngjall, pati humbur e u gjet!’ E filluan të dëfrehen.
Sa është «plangprishës» babai? Nuk pyeti asgjë! U gëzua që iu kthye i biri dhe e pranoi plotësisht atë. I tillë është Ati ynë qiellor. Gëzohet për shkak të kthimit tonë. Tek Ai i kemi të gjitha. Me Të mund ta fillojmë përsëri ecjen tonë. Ai na mbështet me hirin e vet. Nuk dëshiron që e keqja dhe mëkati ta kenë fjalën e fundit, por dashuria e Tij. Të falënderoj, o Zot, që më pranon dhe që çdo herë në Sakramentin e Rrëfimit të shenjtë ma dhuron hirin e ri. Të falënderoj që mund t’ia filloj përsëri me Ty dhe ta vazhdoj rrugën time.
25 Djali i tij i madh ndodhi në fushë. … 28 Ai u zemërua dhe nuk deshi të hyjë brenda. I ati doli jashtë dhe iu lut… 31 Biro ‑ i tha i ati ‑ ti je gjithmonë me mua, e gjithçka kam, është jotja…
Edhe ky djalë qe i humbur edhe pse jetonte me të atin. Nuk e pranoi vëllain e vet më të ri. E kundërshtoi të atin, sepse asnjëherë nuk e lejoi që të bënte festë me miqtë e tij, e ai gjithmonë i qe besnik atit. Mund të na ndodhë që të qëndrojmë në shtëpinë e Atit dhe të jemi larg Tij, duke jetuar dhe duke punuar me zemrën e shërbëtorit. Të gjitha që bëri në shtëpinë e babait të vet, djali i parë i vendosi në peshore, i llogariti, prandaj e ndjeu se ishte i kufizuar. E keqja fillon atëherë kur fillojmë ta matim atë çka japim dhe atë çka marrim. Atëherë, çdo gjë e prishim, sepse gjithmonë mendojmë se më shumë kemi dhënë sesa kemi marrë. Babai përsëri qe i jashtëzakonshëm. E ngushëlloi edhe djalin tjetër: çdo gjë e imja është jotja!
O Zot, a do ta kuptoj ndonjëherë se sa më do dhe sa shumë e kërkon secilin prej nesh?