MEDITIMI I DITËS – KRIPA DHE DRITA
Written by Radio Maria on June 12, 2017
Mt 5, 13-16 KRIPA DHE DRITA
Kërkoj hirin: që të jem kripë dhe dritë në mesin ku jetoj.
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 13 »Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveç të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.
Jezusi vazhdon për të mësuar. Që në fillimin e mësimit të vet e paraqet profilin e të drejtit të Mbretërisë së qiejve. I drejti përmbajtjen e vet ka në Lumturitë, kurse ato janë vetëm fillimi i mësimit. Prandaj, në përgjithësinë e Fjalimit të malit lanë përshtypje, janë në përngjasim të një preludi që thekson fuqishëm gjerat e rëndësishme të melodisë që do të dëgjohet gjatë ekzekutimit të veprës në tërësi. Prandaj është më se e nevojshme që pikërisht ato t’i përvetësojmë. Ato janë kushti pa të cilin nuk kemi mundësi ta jetojmë Ungjillin. Pa to nuk ka mundësi të ketë besimtar as nxënës të Jezusit. Për këtë janë shumë kërkuese. Kështu njeriu që jeton në shpirtin e lumturive, është kripë e tokës dhe dritë e botës.
Ju jeni kripa! Kripa në ushqim ka rëndësi të madhe, është e domosdoshme. I jep shije dhe e ruan. Kur ushqim nuk ka kripë nuk ka as shije. Në ushqim nuk vihet shumë kripë që të mos bëhet i njelmët. Kripa ka në vetvete forcën që përfshin krejt ushqimin edhe pse si sasi është shumë më pak se përbërësit tjerë të ushqimit.
Atë rëndësi që e ka kripa për ushqimin e kanë për shoqërinë njerëzit që vërtetë janë të drejtuar në Hyjin. Këta janë personat që kanë sukses në shoqëri duke mbështetur ato virtyte pa të cilat shoqëria do të ishte «e amshtë» dhe do ta humbiste shijen. Na nevojitën njerëzit që do të jenë kripë. Ata janë mirësia e shoqërisë të cilën e tërheqin në drejtim të duhur. Thjesht, ata japin shije rreth vetës. Janë të nevojshëm në të gjitha nivelet e shoqërisë sonë. Janë të nevojshëm në familje, në bashkësitë rregulltare, në meshtari, në secilin vend. Ku nuk janë, shohim se si këto nivele jetësore rrënohen dhe shoqëria shkatërrohet. Ku nuk janë njerëzit që i përngjajnë kripës, sëmundjet fillojnë ta shkatërrojnë shoqërinë. Ku nuk janë njerëzit që janë kripë, të gjitha gjëra shpejt bëhen banale dhe të mërzitshme.
Çfarë shpërndaj unë rreth vetes dhe çfarë veproj? A e kam në vetvete fuqinë e kripës që jep shije? Nëse e përhap mirësinë, atëherë jam kripë. Nëse e jetojë dashurinë ndaj të tjerëve, atëherë jam kripë.
Ekziston rreziku që kripa të prishet. Atëherë nuk përdoret për ushqim sepse nuk ka forcë në vetvete të japë shije. Kjo kripë nuk vlen asgjë por hedhet jashtë. Është prishur. E humbi thelbin e vet dhe karakterin. Kripë e prishur.
Secili besimtar ka përgjegjësi për njerëzit e tjerë. Nëse është i tillë, atëherë është vërtetë kripë. Secili duhet ta japë kontributin e vet në cilësinë e përgjithshme të jetës së krishterë. Secili jep «shije» në mesin ku jeton dhe ku është i pranishëm. Ka mundësi të njëjtësohet me botën, të dobësohet dhe të bëhet i hidhur. Kur meshtari i lë pas dore detyrat e veta, nuk është kripë. Kur rregulltari nuk e jeton dhuntinë e vet, nuk është kripë. Kur babai nuk jeton për familjen e vet, nuk është kripë. Kur nëna nuk krijon ngrohtësi në familjen e vetë, nuk është kripë. Kur djali dhe vajza e re nuk e marrin jetën e tyre seriozisht por ju nënshtrohen epsheve të trupit, nuk janë kripë. Kur nuk jemi krip nuk kemi kurrfarë vlere, jemi për tu hedhur jashtë që të na shkelin njerëzit. E kemi humbur shijen për Hyjin, në ne nuk ka jetë hyjnore. Pol Klodeli, shkrimtari francez shkruan: «Ungjilli është kripa. Disa të krishterë kripën e kanë shndërruar në sheqer».
14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi.
Krahasimi tjetër që e sjell Jezusi i përngjan të parit. Ndoshta është pak më i theksuar dhe më i fuqishëm. Të jesh drita e botës. Shumë mirë e dimë se çfarë është errësira dhe sa të pasigurt e ndjejmë veten në të. Kur nuk ka dritë, nuk dimë kah të drejtohemi as çfarë të bëjmë. Lëvizim të pasigurt. Pa dritë nuk i dallojmë ngjyrat, nuk shohim bukurinë. Pa dritë jemi pasiv. Mirëpo drita është më e fortë se errësira sado e dendur të jetë errësira. Drita është për të ndriçuar prandaj nuk e vendosim nën enë ose nën magje, sepse kjo nuk do të kishte kuptim. Drita është për të ndriçuar që të shihet çdo gjë. Çfarë u bë me dritën time që duhet të ndriçojë në mua? A ndriçon apo veçsa nuk është fikur? Ne na duhet të ndriçojmë dhe të ngrohim. Dritëza e jetës sonë duhet të ndriçojë me vajin e zemrës sonë. Atë Ante Gabriq thoshte: «Ndriço dhe shkriju deri në fund, le të kushtojë sa të kushtojë. Duhet ndriçuar dhe duhet të shkrihemi, ndërsa ne tymojmë! Përse më duhet të tymoj, ju lutem shumë!?»
16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.«
Duhet ndriçuar, por jo për arsye të vetvetes dhe për vetveten. Duhet punuar, por jo për lavdin personale as për emrin personal, por për Hyjin dhe lavdinë e tij. Shën Injaci thoshte për punët që bënte: «Të gjitha për lavdinë më të madhe të Hyjit!» Këtu shihet se sa mirë e ka kuptuar kërkesën e Jezusit. O Zot, më ndihmo që jeta ime të jetë për lavdinë tënde, që të ndriçojë me dritën tënde dhe kështu të të jap lavdi.