MEDITIMI I DITËS – KREMTIMI I TË DIELËS
Written by Radio Maria on November 2, 2017
Lk 14, 1-6 KREMTIMI I TË DIELËS
E premte
Kërkoj hirin që ta kuptoj dhe ta kremtoj si duhet të dielën, ditën e Zotit.
1 Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas.
Jezusin e thirrën përsëri për të ngrënë. Jezusi e pranoi thirrjen, edhe pse e kishte thirrur njëri prej krerëve të farisenjve. Edhe pse farisenjtë e kishin kundërshtuar Jezusin për shkak të mënyrës së veprimit të tij dhe e përcillnin vazhdimisht, Jezusi ishte i vetëdijshëm se kishte ardhur për ta. Edhe ata duheshin shëlbuar. Jezusi nuk e refuzoi asnjëherë dorën e shtrirë. Nuk i anashkaloi njerëzit që e thërrisnin dhe dëshironin të takoheshin me të, qofshin ata edhe kundërshtarët e tij. Jezusi ishte i vetëdijshëm se po hynte në një shtëpi ku Ligji nderohej deri në imtësi. Aty, çdo gjë ishte rregulluar sipas zakoneve dhe traditës së hebrenjve. Përveç kësaj, ishte e shtunë, ditë e veçantë që mbartte shumë zakone dhe ligje për zbatim.
Atmosfera në këtë shtëpi ishte shumë e nderë. Nuk ndjehej ajo liri që e kanë miqtë kur rrinë së bashku rreth të njëjtës tryezë. Shën Luka e përshkruan në mënyrë të mrekullueshme situatën në shtëpi: “Ata po shikonin!” sikur të ishte ngritur ndonjë kurth diku në atë vend. Jezusi i ndjente shikimet e njerëzve, të farisenjve dhe të skribëve që ishin bashkuar për të parë se si do të vepronte atë ditë. Me siguri se nuk ndjehej mirë. I dhimbseshin ata njerëz që kishin harxhuar aq shumë energji dhe kohë në gjëra të parëndësishme. Ata e vinin theksin në mënyrë të veçantë në rëndësinë e zakoneve të së shtunës. Gjëja më e dhimbshme, ndër të gjitha, ishte fakti se ata ishin të bindur se edhe Hyji mendonte po ashtu siç mendonin ata.
2 Kur, qe, para tij një njeri i sëmurë me hidropizi.
Nga mbiu tani ky njeri? Me siguri se nuk ishte i ftuar. A ishte në shtëpi apo përpara shtëpisë? Në çdo sëmundje, farisenjtë shikonin ndëshkimin e caktuar ose një gabim të fshehur. Në sytë e tyre, ky njeri ishte mëkatar dhe jonormal. Prandaj, qe dënuar me sëmundjen e hidropizisë. Njeriu i tillë «i papastër» nuk guxonte të qëndronte në mesin e tyre, sepse ata e konsideronin vetveten të pastër. Të gjithë prisnin se çfarë do të ngjante tani. Njeriu u gjend para Jezusit. Dukej si të kishte ardhur «me porosi». Si të ishte aty për ta provokuar mirësinë e Jezusit. Të gjithë prisnin me padurim se si do të vepronte Jezusi. E hetonin. Kurthi ishte i jashtëzakonshëm. Jezusi e ndjeu këtë gjë, prandaj i pyeti mësuesit e Ligjit dhe farisenjtë:
3 Atëherë Jezusi mori fjalën e u tha mësuesve të Ligjit e farisenjve: »A është e lejueshme të shërosh të shtunën apo jo?« 4 Ata heshtën. Atëherë Jezusi e mori për dore të sëmurin, e shëroi dhe e nisi të shkoj.
Jezusi filloi me një pyetje, sepse ishte e qartë se të gjithë prisnin që të ndodhte diçka. Pyetja nuk ishte e zakonshme. Çdo gjë ishte e qartë në Ligj dhe nuk duhej të bëhej asnjë pyetje. Të gjitha shkollat e rabinëve lejonin që të shtunën njeriu të ndihmohej, në qoftë se e kishte jetën në rrezik. Por nëse nuk e kishte, atëherë ishte më mirë të priste që të kalonte e shtuna dhe atëherë të ndihmohej. Pra, në sytë e farisenjve, çdo gjë ishte e qartë. U çuditën nga pyetja e Jezusit. Çfarë donte të thoshte me të? Farisenjtë heshtën. Mendimi i tyre ishte që të mos ndryshonte asgjë nga ajo që ishte përcaktuar në Ligj e që zbatohej në jetë. Mirëpo, pikërisht këtu nisi problemi.
5 Atyre mandej u tha: »Cili prej jush po i ra djali ose kau në pus nuk ka për ta nxjerrë menjëherë ditën e shtunë?« 6 Ata s’mundën t’i përgjigjen në këto fjalë.
Po, zotërinj, ka përjashtime në Ligj, vetëm se jeni ju farisenj dhe skribë që i keni vështirësuar të gjitha këto. Prandaj, keni mbetur pa përgjigje. Ishte e lejueshme që, në rast nevoje, njerëzit t’i nxirrnin jashtë jastëkët dhe mbulesat për t’ia lehtësuar daljen atij që do të binte, por vetëm me përpjekjet dhe fuqitë e veta, pasi ata vetë, gjatë kësaj kohe, nuk duhej të «punonin». Ja se nga çfarë gjërash na liroi Jezusi duke na shpallur pushimin e ri dhe festën e re të shtunën ose të dielën. Ka diçka shumë më të rëndësishme sesa vetë ligji dhe rregulloret. E shtuna është dita e mirësisë së Hyjit, dita e çlirimit, dita e mëshirës së Hyjit. Kjo do të thotë se në atë ditë, më shumë se në çdo ditë tjetër, duhet të bësh mirë, të shërosh dhe të shëlbosh. Kjo është e reja e Jezusit. Në këtë gjë, ai ndryshonte prej farisenjve dhe skribëve.
O Zot, Ti do që ta kuptoj si duhet të dielën, ditën e Zotit. Kjo nuk është dita e përtacisë, por nuk është as dita në të cilën duhet t’i kryej ato punë që nuk ia dal t’i mbyll gjatë javës. E diela nuk guxon të përfundojë në një ditë të mërzitshme apo në një ditë programimi. Kjo është dita në të cilën më duhet të takohem me ty në Eukaristi, kur duhet të takohem me familjen time ose me bashkësinë rreth tryezës së përbashkët. Kjo është dita kur duhet të lexoj diçka shpirtërore dhe t’i vizitoj ata që janë të vetmuar ose që nuk ka kush t’i vizitojë në spital. Kjo është dita në të cilën ndaj kohë për vete, për Ty dhe të afërmin tim. Më ndihmo që të mbetem i hapur para frymëzimeve të tua. Kam frikë se do të mbyllem në meditimin tim dhe në këtë mënyrë do të bllokohem në shikimet e mia vetjake dhe të ngushta.