MEDITIMI I DITËS – KORRTARËT
Written by Radio Maria on July 6, 2019
Lk 10, 1-12. 17-20 KORRTARËT
Kërkoj hirin: që mos të harroj kurrë të lutem për korrtarët e Zotërisë.
10 1 Pastaj Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë [e dy] nxënës të tjerë dhe i dërgoi nga dy [e dy] përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkonte. 2 U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Luteni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. 3 Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja mes ujqish! 4 Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet e mos përshëndetni udhës askënd!
Jemi në kohën e verës kur njerëzit udhëtojnë shumë. Dikush tashmë është në pushime, të tjerët përgatiten. Në këtë faqe të Ungjillit Shën Luka flet për udhëtimin e nxënësve. Prapëseprapë, ata nuk shkojnë në pushime as për turizëm. Janë bukur shumë. Kur Jezusi i dërgon, i thërret të gjithë të luten për punëtorët në të korrat e Zotërisë. Kjo është “logjistika” më e nevojshme për kortarët. Edhe ashtu asgjë tjetër nuk duhet të marrin me vete. Jezusi nuk i ka zgjedhur nxënësit e vet sikur një sipërmarrës i zgjedh punëtoret për punën e vet. Nxënësit nuk shkojnë për të bërë ndonjë promovim. Apostullati nuk është së pari vepër e mendjes së njeriut as e duarve të tija. Është vepër dhe hir krejtësisht i Hyjit. Prandaj duhet të lutemi për kortarët. Lutemi për guxim dhe fuqi për të cilën kanë aq shumë nevojë në dërgimin e tyre. Duhet lutur për thjeshtësi dhe përvujtëri si themele përcjellëse në jetën e tyre. Ata kanë nevojë për besim në provaninë hyjnore dhe për fe që të jenë të bindur se Zotëria është me ta kudo që të shkojnë.
O Zot, po të lutem që edhe në kohën tonë të çosh punëtorë në të korrat e tua. Kemi nevojë për ta. Po të lutem për bujarinë e tyre në dorëzim ty dhe për prindërit e tyre që mos t’i pengojnë në thirrjen e tyre. Le të jenë të guximshëm dy palët. Sot, o Zot, në mënyrë të veçantë kritikohen meshtarët e tu. Më duket se mjaftueshëm i ke dërguar si qengja midis ujqve. Bëj që të mos frikësohen. Dhuroju mburrjen në dërgimin e tyre. Ndonjëherë kanë shumë çka për çfarë nuk kanë nevojë dhe kjo gjë e rëndon ecjen e tyre pas teje. Ndihmoju që të dinë t’i braktisin të gjitha ato gjëra që i pengojnë të jenë krejtësisht të tutë. Bëj që asnjëherë mos të mbështeten në gjëra rreth teje, por ti t’u bëhesh mbështetja kryesore në punën e tyre.
5 Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ 6 Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. 7 Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në një tjetër!
Kortarët para së gjithash janë njerëz të paqes. E sjellin në shtëpi dhe mes anëtarëve të familjes paqe për të cilën kanë nevojë. Ky është Hyji i Lajmit të gëzueshëm. Pa paqe nuk ka jetë të vërtetë në asnjë shtëpi, rreth asnjë vatre. Paqja mund të pranohet dhe të refuzohet. Çdo gjë është mundësi. Ajo është pa pagesë, por i dërguari i Zotërisë meriton ushqimin në rrugën e vet. Nuk kërkon asgjë të veçantë vetëm ato gjëra që i hanë edhe anëtarët e familjes. Çfarë t’i vënë përpara atë gjë e merr dhe e vazhdon rrugën.
O Zot, ndihmoju njerëzve që ta njohin paqen të cilën ti ua dërgon përmes të nxënësve të tu. Paqen e shpirtit dhe të zemrës që është e nevojshme për komunikim normal mes atyre që jetojnë nën të njëjtën çati. Të falënderoj për ata që të njohin dhe me gatishmëri i pranojnë nxënësit e tu. Të falënderoj për secilën dhuratë që na ofruan, për ndihmën dhe shujtën që ju japin nxënësve të tu. Ti do të shpërblesh secilën gotë të ujit të freskët të cilën do t’u japin.
8 Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. 9 Shëroni të sëmurët që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ 10 Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tij e thuajuni: 11’Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë: Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ 12 Unë po ju them: sodomasit do ta kenë më lehtë atë Ditë se ai qytet.”
Drejtimet janë të qarta, nuk duhet të detyrohet askush. Mësimin duhet paraqitur haptas dhe në mënyrë të qartë duke e ofruar. Qendra është Mbretëria e Hyjit. Ajo është këtu, mes nesh. Duhet njohur dhe pranuar. Të gjitha këto janë për të mirën e njeriut. Të gjitha të tjerat do të kalojnë, Mbretëria e Hyjit mbetet. Kush nuk e merr hirin e ofruar ka përgjegjësi. Nxënësit do të hasin në kundërshtime, refuzim dhe përbuzje. Duhet të shkojnë më tej dhe pa u lodhur të mbjellin edhe pranë mossuksesit.
O Zot, po të lutëm që toka në të cilin do të mbillet Fjala jote të jetë e frytshme. Njerëzit le ta pranojnë seriozisht dhe të mos luajnë me amshimin e tyre.
17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” 18 Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”
O Zot, të falënderoj për gëzimin që nxënësit e tu e përjetuan gjatë udhëtimit. Ai ishte më i madh se barra që mbartën dhe mossuksesi që përjetuan. Gëzimi është për shkak të fitores mbi të Keqin. Ti i derton drejt gëzimit edhe më të madh që do ta përjetojnë së bashku me ty në amshim, gëzimin e shënimit të emrave në qiell. Edhe mua mendimi në këtë gëzim le të më mbartë mes vështirësive dhe vuajtjeve të kësaj jete.