MEDITIMI I DITES – KONTRIBUTI IM

Written by on January 7, 2019

Mk 6, 34-44 KONTRIBUTI IM

 

Kërkoj hirin: që të di ta jap kontributin tim sa herë që të tjerët kanë nevojë.

 

34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe të popullit, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘delet pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.

Pamje mahnitëse për ta soditur. Jezusi ka dhimbje për turmën që dëshiron të takohet me të. I shikon njerëzit dhe në zemër ndjen se i do dhe se ka dhembshuri për ta. Përsëri na bie në sy kujdesi i Jezusit dhe angazhimi i tij për njerëz. Ai nuk është i pandjeshëm ndaj tyre. I përjeton si grigjën pa bari. Ky përngjasim na flet shumë më shumë për mentalitetin e kohës së tij dhe ambientin e fshatit se sa për ambientin e sotëm të njeriut të qyteteve.

O Zot, nuk je pa ndjenja para njerëzve. Ti kujdesesh për ta. Kur i pa aq shumë, kjo gjë të preku thellë në zemër. Nuk u shmange prej tyre, as nuk i shikove si ndonjë turmë me të cilën nuk duhet hyr në kontakt. Ti u ndale dhe hyre midis tyre që tua drejtoje fjalën për të cilën kishin nevojë, fjalën për jetën, fjalën për t’i nxitur.

Të falënderoj, o Zot, që mendon në ne. Të falënderoj që mendon në botën time të vogël. Kur mendoj se Hyji mendon në mua ndjehem shumë mirë.

Kur Jezusi erdhi tek turma nisi t’i mësojë. Ai nuk i përbuzi njerëzit e thjeshtë të cilët shkonin pas ti qoftë edhe për shkak të një nevoje dhe interesi material. Prandaj i mëson. Këtë gjë e bënë ngadalë dhe me durim të madh. Shën Marku thotë në mënyrë të thjeshtë: «filloi t’u mësojë shumë gjëra». Ky është mësimi i ri. Jezusi na paraqitet këtu si «katekist». Ai dinte të fliste në mënyrë të jashtëzakonshme dhe njerëzit e dëgjonin me vëmendje shumë të madhe. Ai i hapte veshtë e njerëzve për të dëgjuar gjërat e Hyjit.

Në këtë çast do të lutem për të gjithë ata që vazhdojnë mësimin e Jezusit, katekezën, d.m.th. mësimin e fesë. Që të jenë të qëndrueshëm dhe në përputhje më atë gjë që mësojnë. Frymëzoi, o Zot me fjalën e duhur dhe ndihmoju që jeta e tyre të jetë në përputhje me atë fjalë të cilën e shpallin.

35 Pasi kaloi shumë kohë e po bëhej vonë, iu afruan nxënësit e tij dhe i thanë: “U bë vonë e ky vend është i shkretë, 36 thuaju të shkojnë në fshatra e katunde të rrethinës e të blejnë diçka për të ngrënë.” 37 “Jepuni ju të hanë” ‑ u përgjigj.

Koha e mësimit kaloj shumë shpejt dhe tashmë u bë vonë. Duhet drejtuar njerëzit që të kujdesën për ushqime dhe për të fjetur. Nxënësit janë të shqetësuar sepse nuk dinë si mund ta zgjidhin këtë situatë.

Jezusi vazhdon planin e vet. Së pari deshi që shpirti i njerëzve të ngopej me fjalën e tij. Fjala është Fjala e Hyjit, është ajo fjalë që mbetet, është fjala e cila nuk shpërbëhet. Pas kësaj është e nevojshme që të ushqehet edhe trupi. Duhet menduar edhe në ushqimin e trupit. Në këtë gjë Jezusi dëshiron t’i përfshij edhe nxënësit e vet. Edhe ata le të japin kontributin e vet. Sa i përket ushqimit, janë aq shumë njerëz që japin kontributin e vet që ta kemi në mënyrë të mjaftueshme. Në qoftë se mendojmë vetëm në bukën; sa gjërat janë të nevojshme që nga mbjellja e grurit dhe deri tek shndërrimi i tij në miell prej të cilin nëna e gatuan bukën secilën ditë. Ndonjëherë është e nevojshme të mendojmë edhe në këta njerëz të shumtë e të lutemi për ta.

Ata i thanë: “Të shkojmë e të blejmë dyqind denarë bukë e t’u japim të hanë?” 38 Ai vazhdoi: “Sa bukë keni? Shkoni e shihni!” Pasi shikuan, iu përgjigjën: “Pesë bukë e dy peshq”. 39 Atëherë u urdhëroi t’i ulin të gjithë në bar të njomë.

Nga turma që i përngjante grigjës pa bari, Jezusi me fjalën e vet dhe me gjestin që bëri e ndërtoi pothuajse një bashkësi tashmë të ndërtuar mirë. Nga masa që ishte pa emër dhe e shpërndarë, tashmë ishin njerëzit e shumtë që bashkoheshin dhe ndjenin lidhjen e ngushtë me njëri-tjetrin përmes fjalës që dëgjuan dhe ushqimit të përbashkët që kanë ngrënë. Kjo është një shenjë për të gjitha bashkësitë e ardhshme të cilat do të bashkohen në Eukaristi, që së pari ta dëgjojnë mësimin e pastaj ta marrin Bukën për tu shndërruar në trupin e tij.

40 Të gjithë u ulën grupe‑grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë vetë. 41 Jezusi, si i mori pesë bukët e dy peshqit, i lartësoi sytë kah qielli, e bekoi Hyjin, i ndau bukët dhe ua dha nxënësve të vet t’ua vënë para njerëzve. Po ashtu edhe dy peshqit ua ndau të gjithëve. 42 Të gjithë hëngrën e u nginë. 43 Çuan dymbëdhjetë shporta plot me copa edhe sa teproi prej peshqve.  44 Ata që hëngrën ishin pesë mijë burra.

Jezusi e bekon Hyjin për bukën. Kështu e bekon edhe ushqimin. Kjo është një lutje e zakonshme që bëjnë hebrenjtë duke e bekuar Hyjin për të gjitha të mirat që morën. Meshtari gjithmonë e bekon Hyjin kur në çastin e kushtimit thotë në Meshë: «I bekuar je, o Zot, Hyji i gjithësisë: prej bujarisë sate e morëm bukën që po ta kushtojmë…» Kjo skenë secilit prej nesh ia kujton Eukaristinë. Kjo është «shenja» e saj, ky është «paralajmërimi» i Meshës së shenjtë. A kujtohem që përpara se të ha ta falënderoj Hyjin, sepse kam çka të ha dhe që kam mundësi të ha? A e bekoj Hyjin për këtë gjë?

 

 


Current track

Title

Artist

Send this to a friend