MEDITIMI I DITËS – KËRKESAT E HYJIT

Written by on October 3, 2017

Lk 9, 57-62 KËRKESAT E HYJIT

 

Kërkoj hirin: që t’i kuptoj kërkesat e  thirrjes dhe të jetës apostolike.

 

Në atë kohë, 57 ndërsa po bënin rrugë, një njeri i tha Jezusit: “Unë dua të vijë pas teje ngado që të shkosh!”

Jezusi i tërheq njerëzit. Ata dëshirojnë të shkojnë pas tij dhe të jenë me të. Ja një njeri që është bujar dhe i ofrohet Jezusit që ta pranojë në mesin e nxënësve të vet. Ai është i gatshëm për të shkuar pas Jezusit ngado që të shkojë. Vërtetë, më duhet të kem guxim që t’i ofrohem në këtë mënyrë Jezusit. Mirëpo pikërisht këtu bëjmë pyetje: a nuk kishte në këtë kërkesë reklamë të vetvetes, mburrje dhe mendjemadhësi? A ishte vetëdijshëm ky njeri se në çfarë aventure po dëshironte të merrte pjesë? Më siguri se jo, prandaj ishte kaq i sigurt në vetvete. Njeriu ka mundësi t’i ofrohet njeriu dhe t’i lutet Jezusit që ai ta pranojë. Për këtë gjë nevojitet guxim dhe pjekuri, por edhe më shumë nevojitet thjeshtësia dhe përvujtëria.

58 Jezusi iu përgjigj: “Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!”

Jezusi nuk e refuzon. Nuk e dimë a e pranoi. Thjeshtë ia paraqet gjendjen e jetës që jeton. Nuk mjafton entuziazmi dhe hovi që dikush të shkojë pas Jezusit. Ecja pas Jezusit është serioze dhe kërkuese. Në të vërtetë, ai i thekson menjëherë vështirësitë me të cilat pa dyshim do të përballet ai që dëshiron të jetë me të. Nuk ka këtu shumë kënaqësi, nuk ka jetë komode. Edhe pse Jezusi para pak kohe përjetoj refuzimin në Samari, nuk ik në ndonjë vend për të vajtuar vetveten, që do t’i ndihmonte për ta pranuar secilin njeri që i ofrohet që të jetë me të. Jezusi është besnik ndaj misionit të vet dhe më guxim udhëton drejt Jerusalemit. Ai që dëshiron të jetë me të duhet ta dijë këtë gjë menjëherë. Njeriu i tillë nuk ka siguri gjatë kësaj jete dhe duhet të jetë i gatshëm në refuzim dhe mospranim. Na duhet të mësojmë nga Jezusi dhe të jemi kërkues ndaj atyre që dëshirojnë të jenë rregulltarë, rregulltare ose meshtar.

O Zot, të jesh nxënësi yt do të thotë ta pranosh varfërinë reale dhe të përditshme. Edhe pse u nisa pas teje, nuk e kam shijuar deri në fund atë varfëri për të cilën i flet njeriut që dëshironte të vij pas teje. Unë i kam të gjitha gjërat e nevojshme për jetë. Kam edhe më shumë se kaq. Të falënderoj për këtë gjë. Më ndihmo që të jem i gatshëm ta pranoj edhe varfrin e skajshme. Bëj që edhe në të të jem besnik dhe më afër teje. Më ndihmo që të kuptoj se varfëria është e vërtetë vetëm atëherë kur jam i gatshëm ta jetoj rrënjësisht dhe kur prej meje kërkon flijim të madh.

59 Një tjetri i tha: “Eja pas meje!” Por ai iu përgjigj: “Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë!” 60 “Lëri ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet e ti shko e prediko Mbretërinë e Hyjit!”

Tani thërret Jezusi. Njeriu përligjet dhe arsyetohet se është tepër i zen. Ta varrosësh babën e vdekur dhe të përshëndetësh me të, është detyrë e secilit fëmijë. Thirrja e Jezusit është rrënjësore dhe shokuese. Kush është ai që e tejkalon edhe një detyrë kaq të shenjtë, siç është ta varrosësh babën? Vërtetë, në jetën tonë, thirrja mund të jetë më me vlerë se jeta jonë, dashuritë tona, miqësia jonë dhe e të afërmve tonë. Kjo është thirrja e Jezusit që njeriu t’i përkushtohet  shpalljes së mbretërisë së Hyjit. Ai që nuk është i gatshëm ta pranojë thirrjen e Jezusit, në njëfarë mënyrë është i vdekur. Edhe ai që më të vërtetë nuk është takuar me Jezusin, gjithashtu është i vdekur. Këta nuk janë për tjetër përveç të varrosin të vdekurit. Ai që ndjeu thirrjen, duhet të jetë i gatshëm të lë të gjitha. Thirrja është mbi gjithçka. Jezusi është mbi jetën tonë.  Qartë, këtu është e pranishme një logjikë tjetër, logjika e Hyjit e cila nuk pranohet lehtë. Nxënësi është i ftuar për të shpallur Mbretërinë e Hyjit. Kjo është e vetmia punë dhe asgjë tjetër.

61 Atëherë i tha një tjetër: “Unë po vij me ty, Zotëri, por më jep leje njëherë të shkoj e të përshëndetem me anëtarët e familjes sime.”62 “Kushdo ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ që vë dorën në parmendë dhe sillet e shikon mbrapa, nuk është i përshtatshëm për Mbretërinë e Hyjit!”

Ja mundësia tjetër! Edhe këtu shohim se njeriu nuk kërkon asgjë të veçantë. Çfarë ka më normale se përshëndetja më njerëzit e shtëpisë para nisjes pas Jezusit? Po kush është Jezusi që mund të vendos kushte të tilla? Prej përgjigjes në këtë pyetje varet shkuarja pas Jezusit. Derisa në këtë pikë nuk i vendosim gjërat në vendin e tyre, gjithmonë do të ketë pështjellim, kompromise dhe kundërshtime. Kur Jezusi në zemrën e nxënësit të jetë i vetmi, kur ai të jetë jo vetëm në vendin e parë por edhe në të tretin e të dhjetin… d.m.th. në secilin vend, ky njeri ka mundësi të shkojë pas tij. Kur kjo gjë është e vërtetë, atëherë njeriu është nxënës i vërtetë i Jezusit.

O Zot, përse kërkon kaq shumë? Përse i kërkon të gjitha? Mos është në pyetje dashuria që nuk ka mundësi të ndahet, por duhet të jetë bujare dhe deri në fund? Ai që merr dhuratë për ta kuptuar këtë gjë, qartë e ka kuptuar logjikën tënde. Ndoshta pikërisht për këtë gjë janë të paktë ata që përcaktohen në plotësi të dorëzohet ty? Ndoshta? Kush e di, o Zot?

 


Current track

Title

Artist