MEDITIMI I DITËS – JINI POSI FËMIJËT
Written by Radio Maria on November 4, 2017
E diela e XXXI gjatë vitit A
Mt 23, 1-12 JINI POSI FËMIJËT
Kërkoj hirin: që të dua të jem i thjesht si fëmija
O Zot, këto fjalë, a mi drejton mua? Shumë herë kërkoj prej tjerëve që t’i bëjnë disa gjëra, prej tjerëve kërkoj që të më shërbejnë dhe të kryejnë detyrat ndaj meje, por vet nuk jam i gatshëm që të bëj të njëjtat gjëra kur të tjerët kanë nevojë. Të tjerëve ju urdhëroji, e vet nuk jam në gjendje të mbart të njëjtën barrë. Flas e nuk bëj. A thua edhe mua me pate para syve kur ju fole farisenjve të kohës sate? Ti e dije se farisenj do të ketë gjithmonë në këtë botë. E dije se këto fjalë do të më bëjnë mirë sot edhe mua dhe shumë të tjerëve.
O Zot, a po i thua të gjitha këto për mua? Çfarë fjalësh, çfarë qortimesh! Çfarë zbulese e mendjemadhësisë dhe vetëmjaftueshmërisë! Edhe ne ende kemi kujdes të madh për vendet e para. Më sa kujdes shikojmë ku na kanë lënë vendin. Sa të ndjeshëm jemi në titujt që na i japin. Po, o Zot! E di – ka tituj të cilët njerëzit i kanë merituar me punën, mundimin dhe me aftësitë e tyre. Por të gjitha këto kanë aq pak vlerë për njeriun e veçantë në përgjithësi. Si dikur edhe sot, njerëzit kanë dëshirë që të tjerët t’i konsiderojnë drejtues, lider, të rëndësishëm, shefa! Kurse Ti kërkon që të jemi shërbëtorët e njëri-tjetrit, që t’i shërbejmë njëri-tjetrit dhe të jemi të vegjël. Dëshiron që të garojmë kush do të jetë më i vogël dhe më i përvuajtur se tjetri. Njeriu është gjithmonë në rrezik që të harrojë se, Ti, o Jezus, je i vetmi Drejtues dhe Bari, se vetëm Ti je Bari i mirë që në mënyrë të vetme zbaton shërbimin e drejtuesit dhe të bariut sepse: jetën tënde e dorëzon për të tutë. Si dikur edhe sot, njerëzit dëshirojnë të quhen mësues, të ditur, shkencëtarë, profesor, doktor, të urtë.
Njeriu është në rrezik të vazhdueshëm që të harrojë se vazhdimisht është nxënës, se është i thirrur që të rritet në vazhdimësi dhe të shqyrtojë njohuritë dhe siguritë që ka. Njeriu rrezikon të harroj se mbi të është tjetri, ai që është më i lartë, që ka autoritet më të madh, se është e nevojshme të dëgjoj çfarë thonë të tjerët. Më se shumti njeriu rrezikon të harrojë se Ti, o Jezus, je i vetmi dhe më i madhi autoritet, Mësuesi i vetëm i vërtetë i të gjitha kohërave. Mësuesi jonë, mos praj duke na drejtuar përmes Shpirtit tënd në krejt të vërtetën dhe ji Mësuesi jonë në çdo rast gjatë gjithë jetës sonë. Si dikur edhe sot dëshirojmë t’i marrim meritat si të ishim prindër, kujdestar të jetës së njerëzve. Mendojmë se meritat tona paraqiten në njerëzit rreth nesh dhe presim që njerëzit t’i pranojnë si të tilla, që të na quajnë etër. Na shkon mendja se ne mund të marrim atë gjë që i përket vetëm Atit qiellor prej të cilit buron çdo atësi në qiell e në tokë.
Dikur, o Jezus, në katedrën e Moisiut ishin ulur njerëzit që flisnin mirë, por nuk bënin asgjë. Sot po të lutem për të gjithë ata njerëz të cilët në mënyrë të dukshme paraqitën jo vetëm më shumë se Moisiu, por edhe më shumë se Ti, si mësues të vetëm të kësaj bote! Jepu të gjithë ipeshkvijve dhe meshtarëve hirin dhe karizmën e shërbimit të vërtetë si mësues, barinj dhe meshtarë, që secili njeri, në ta dhe përmes tyre ta ketë të qartë se Ti je i vetmi Atë, Drejtues dhe Mësues. Ndërsa të gjithë atyre, o Jezus, që në çfarëdo mënyre kryejnë diçka nga mbarështimi Yt, jepu hirin që të jetojnë dhe të bëjnë atë gjë që e mësojnë.