MEDITIMI I DITËS – JEZUSI SHËRON BRENDINË

Written by on January 18, 2017

Mk 3, 7-12 JEZUSI SHËRON BRENDINË

 

Kërkoj hirin: që të kuptoj se Jezusi me Fjalën e vet dëshiron ta shërojë brendinë time.

 

7 Jezusi me nxënësit e vet u shmang kah bregu i detit. E ndiqte një turmë e madhe populli prej Galilesë. Gjithashtu edhe prej Judesë, 8 prej Jerusalemit, prej Idumesë, prej Transjordanisë e prej rrethit të Tirit e të Sidonit ‑ turmë e madhe ngarendi tek ai, pse dëgjuan ç’bënte.

 

Jezusit i pëlqente që të jetë pran detit. Këtu më se lehti bashkoheshin njerëzit dhe këtu kishte mundësi t’i takonte më se lehti. Pas tij shkonin numër i madh i njerëzve sa që Shën Marku thotë: «E ndiqte një turmë e madhe». Këtu ishin të parët njerëzit që vinin nga vendlindja e Jezusit, nga Galileja. Por nuk ishin vetëm ata. Këtu kishin ardhur edhe nga Judeja, pjesa më hebreje si edhe nga kryeqyteti, Jerusalemi. Këtu ishin edhe njerëzit që kishin ardhur nga tokat pagane siç ishin rrethinat e Tirit dhe të Sidonit. Nga të gjitha anët. Njerëzit ishin shumë të interesuar për Jezusin. Ai ishte i hapur ndaj të gjithëve. Ai nuk e përjashton askënd. Shën Marku thekson tërheqjen që ka Jezusi. Ai është në qendër të vëmendjes. Njerëzit vinë tek Ai, ai u del në takim, hapet para tyre.

O Zot, më mëso që të jem i hapur ndaj të mirës të cilën e shikoj tek të tjerët të cilët në jetën time i takoj. Hape zemrën time ndaj nevojave të të tjerëve edhe pse nuk i përkasin familjes, bashkësisë, qytetit ose vendlindjes sime.

9 Prandaj u tha nxënësve të vet ta kenë përherë gati një lundër që turma e popullit të mos e shtrydhte.

Kjo ngjarje është ngjarje që duhet ta mbajmë mend. Jezusi pothuajse është i shtrydhur. Të gjithë dëshirojnë ta prekin. Nxënësit e kanë mbajt mend mirë këtë ngjarje kur njerëzit i afroheshin për ta prekur, prandaj Jezusit nuk i mbetet asgjë tjetër përveçse ta gjej një barkë, të Hyj në të që të kishte mundësi tu fliste dhe t’i mësonte. Jezusi më shumë dëshiron të mësojë se sa «të bëj» mrekulli. Ai dëshiron së pari t’i ushqej shpirtërisht. Mirëpo turma është e mbartur prej mrekullive të cilat i kërkon dhe i pret. Gjithsesi shohim se si turma dëshiron të shkojë pas Jezusit, e kërkon, dëshiron të jetë afër tij, derisa kundërshtarët e tij rrinë larg në njëfarë distance duke e hetuar. Kështu rreth Jezusit formohen tri grupe të njerëzve: nxënësit e tij që vazhdimisht ishin më të që janë solidar me të, pastaj turma e cila e kërkon dhe është e mbartur nga fuqia që dilte prej tij, dhe në fund kundërshtarët e Jezusit të cilët mundohen t’i vejnë leqe, e padisin dhe e gjykojnë.

Ku është vendi im pranë Jezusit? Në mesin e nxënësve? Në mesin e turmës? Ose ndoshta në mesin e kundërshtarëve të tij? A vij tek Jezusi pse e dua, sepse e shoh se ka zemër për mua? A rri afër tij si nxënës që e dëgjon dhe e thith fjalën e tij? Ndoshta e mbart në vetvete një figurë të pakuptueshme të Jezusit në përngjasimin e njerëzve që shkojnë pas tij për shkak të mrekullive dhe kërkojnë vetëm ndihmën fizike prej tij? Ndoshta tek Jezusi vij në mënyrë sezonale, kur ndjehet atmosfera e Kërshëndellave ose e Pashkëve në qytet, në mjetet e informimit? Kur ndodh diçka, kur ngrihet pluhuri dhe kjo me intereson, atëherë shkoj? Ose ndoshta jam i disponuar për të kritikuar duke shikuar çdo gjë prej së largu dhe duke u munduar që të gjitha t’i shpjegoi në mënyrën time: nuk duhet të jem fanatik! Përse të shkojmë çdo të diel në Meshë? Përse të lutem çdo ditë?

Jezusi nuk e kthen kryet edhe pse ai e di se kërkimi i tyre dhe arsyet nuk janë plotësisht të pastra. Në të gjitha këto ka shumë interes personal, dëshirë të madhe për të ditur, dëshirë për të parë mrekulli dhe për tu dëfryer. Prandaj Jezusi i mëson se ky nuk është qëllimi i misionit të tij. Ai erdhi për shkak të jetës së brendshme të njeriut, për shkak të «njeriut të brendshëm». Kjo jetë është e rëndësishme, është e rrezikuar dhe atë dëshiron ta shërojë dhe ta bëj të shëndetshme. Mirëpo, Jezusi për të ardhur deri tek brendia e tyre pranon që tu shërojë edhe trupin dhe t’i shërojë sëmundjet e tyre. Në këtë mënyrë dëshiron të arrijë të ajo që është thelbësore në ta.

10 E meqenëse shëroi shumë ‑ të gjithë të sëmurët turreshin drejt tij për ta prekur. 11E shpirtrat e ndytë kurdoherë e shihnin, binin përmbys para tij e bërtisnin: “Ti je Biri i Hyjit!” 12 Por Jezusi u urdhëronte rreptësishtë të mos dëftonin se kush është.

Njerëzit në thjeshtësinë e tyre shumë shpesh nuk e dallojnë thelbësoren nga e parëndësishmja. Njeriu është në nevojë dhe nuk sheh asgjë tjetër përveç vështirësisë që ka dhe kërkon ndihmë. Kjo ishte skena rreth Jezusit. Ai është i durueshëm dhe e di se në ketë ofshamë për shërim të trupit është e pranishme ofshama e padëgjueshme për lumturinë, plotësimin, Hyjin. Prandaj i shëron dhe u ndihmon. Mirëpo në asnjë mënyrë nuk dëshiron që kjo gjë të shndërrohet në ndonjë eufori, në frymëzim të pakontrolluar, në fanatizëm. Përsëri ua ndalon që të flasin për të ata që thonë se ai është Biri i Hyjit. Ende nuk është çasti për zbulesën e plotë. Gjithmonë është i pranishëm rreziku që njerëzit të nisën në rrugën e gabuar.

O Zot, më ndihmo që të dijë të përpiqem për të mirën e njeriut, që të dijë të luftoj kundër të keqes. Puna ime, thirrja ime le të përfshihet në misionin tënd.

 


Current track

Title

Artist