MEDITIMI I DITËS – JEZUSI NË MUA

Written by on April 27, 2017

Gjn 6, 1-15 JEZUSI NË MUA

 

Kërkoj hirin që pas Kungimit të flas sinqerisht me Jezusin e pranishëm në mua.

 

«1 Pastaj Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. 2 E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. 3 Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. 4 Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve.»

Po fillojmë leximin dhe meditimin e kapitullit të gjashtë të Ungjillit të Shën Gjonit. Këtu, Shën Gjoni na sjell përmbledhjen e vërtetë teologjike të bisedës së Jezusit për Eukaristinë dhe për besimin.

Njerëz të shumtë shkonin pas Jezusit. Kjo gjë ishte interesante për njerëzit, por edhe një gjë prej të cilës njerëzit përfitonin. Edhe pse turma shkonte pas Jezusit, Ai përpiqej t’i gjente momentet e paqes dhe të vetmisë. U ngjit në mal së bashku me nxënësit. Po afrohej e kremtja e madhe e Pashkëve, prandaj do të rrinte në vetmi dhe në qetësi, në mënyrë që të përgatitej për këtë të kremte.

A bëj unë si Jezusi? Përse marr pjesë rregullisht në Meshën e shenjtë? Përse lutem? A e bëj këtë gjë për përfitimin tim personal apo ndoshta pse kërkoj ndonjë «mrekulli»? Do të doja, o Zot, që të afrohem vetëm pse të dua Ty! Do të doja ta bëj këtë gjë pa kurrfarë interesi, pa të kërkuar asgjë, siç bëj vazhdimisht, pa t’u ankuar fare. Më fal se nuk di të veproj ndryshe. Do të doja që thjesht të jem vetëm në praninë Tënde, të hesht para Teje dhe ta hap zemrën, ashtu që ajo ta pranojë plotësisht fjalën Tënde që ma thua! Do të doja të të them se Ty të kërkoj më shumë se të gjithë të tjerët dhe se gjithçka tjetër!

«5 Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” … 7 “As dyqind denarë bukë ‑ iu përgjigj Filipi ‑ nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.»

Jezusi e pa me dashuri turmën që i afrohej vazhdimisht. E pa dhe i ndjeu nevojat, dëshirat dhe shpresat që kishin njerëzit. Me pyetjen e vet, Ai dëshironte t’i nxiste nxënësit e vet që të mendonin për të tjerët, që t’i ndjenin nevojat e të tjerëve para se ata vetë të flisnin për to. Të falënderoj, o Zot, që mendon për njerëzit, që kujdesesh për ta. Të falënderoj që i nxit nxënësit e Tu, ashtu që ata vetë të ndërmarrin diçka duke u përpjekur që t’u dalin në ndihmë të tjerëve. Të gjithë ne duhet ta bëjmë të njëjtën gjë. Secili prej nesh duhet ta japë ndihmesën e vet për nevojat e përgjithshme. Nuk guxojmë të mendojmë vetëm për veten tonë, nuk guxojmë të mbyllemi në vetvete, t’i mbajmë dhuratat vetëm për vete. Ti kërkon edhe prej meje që ta njoh «urinë» njerëzore dhe të bëj ç’është e mundur që ta shuaj këtë uri.

«8 I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: 9 “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” 10 Jezusi u tha: “Thuajuni njerëzve të ulen.»

Nxënësit u përpoqën të bënin ç’ishte e mundur. Të hollat nuk mjaftonin për të blerë bukë mjaftueshëm. Nuk dinin çfarë të bënin. Ishin të pafuqishëm. Edhe ne, shumë shpesh, o Zot, sikurse edhe nxënësit e Tu, jemi të pafuqishëm përballë nevojave dhe problemeve të kësaj bote. Nuk dimë si t’i ushqejmë të uriturit! Nuk dimë si ta sjellim paqen mes njerëzve që janë në luftë. Jemi të paaftë për t’ua sjellë drejtësinë të nëpërkëmburve. Shumë herë, krejtësisht në rrethin tonë të vogël, në botën tonë të vogël, jemi të pafuqishëm përballë problemeve që na shtypin.

«U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. 11 Jezusi mori bukët, falënderoi dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqve ‑ aq sa deshën.»

Do t’i sodis këta pesëmijë burra dhe Jezusin që mori në duar pesë bukët dhe dy peshqit. Çka do të thoshte kjo për gjithë këtë popull? Jezusi u lut, e bekoi bukën dhe ia ndau turmës. Kjo është pamja që na përkujton një ushqim tjetër, Pashkët e reja që Jezusi do t’i kremtojë duke ngrënë me nxënësit e vet. Pashkët e reja do të bëhen ushqim i turmave të reja që gjatë historisë do të vijnë për t’u ulur në tryezën e Zotit. Në këtë tryezë, njerëzit do ta shuajnë urinë e tyre shpirtërore, urinë që kanë për Hyjin, urinë për bashkimin e përjetshëm me Të. Ai vetë na dhurohet si ushqim neve që jemi të dobët.

«12 E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” 13 I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copat që u tepruan…»

Hëngrën dhe u nginë. Tani po të lutem: «Bukën tonë të përditshme, na e jep sot!» Kjo është gjithçka që na nevojitet për jetën tonë. Ndoshta na nevojitet pak më shumë imagjinatë që, në vështirësi, të kujtohemi t’u ndihmojmë të tjerëve dhe si t’u ndihmojmë.

 

«14 Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” 15 Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.»

Njerëzit menduan: ja, më në fund, Ai që mund t’i plotësojë të gjitha dëshirat dhe nevojat tona. Ky me siguri është Profeti. Ky tundim i përngjan atij tundimit që u paraqit në shkretëtirë. Jezusi e shmangu duke u tërhequr në vetmi. Dëshironte të ishte krejtësisht vetëm me Atin. Nuk dëshironte të ndërtonte kurrfarë mbretërie tokësore. Prandaj, në fund do ta braktisin të gjithë. Ai do të jetë një Bukë tjetër, «Buka e jetës së pasosur».


Current track

Title

Artist