MEDITIMI I DITËS – JEZUS, ME KUJTO
Written by Radio Maria on April 13, 2019
E diela e larit: E diela e Mundimit të Zotit – C
Lk 22, 14-23; 56; ose 23, 1-49 JEZUS, ME KUJTO
Kërkoj hirin: që me zemër të shkoj pas Zotit dhe në Javën e madhe të përjetoj mundimin dhe vdekjen e tij!
E diela e larit është e diela e hyrjes festive e Jezusit në Jerusalem kur e përshëndetën dhe i brohorasin si mbret. Mirëpo, në të vërtetë ajo është e diela e mundimeve, sepse me të fillon Java e Madhe gjatë të cilës e përcjellim dhe përjetojmë ditët e fundit të Jezusit mbi tokë. Për këtë arsye kjo javë është e veçantë. Të përpiqmi që ta jetojmë me përvujtëri dhe me përshpirtëri, sidomos treditëshin e shenjtë. Është shumë e vështirë të marrësh vetëm diçka nga mundimet e Jezusit. Më së miri është t’i lexojmë ngadalë mundimet në tërësi, nga dita në ditë dhe të ndalemi aty ku ndjejmë ngushëllimin e madh dhe veprimin e Hyjit. Edhe këtu do të ndalemi vetëm në disa çaste që ndodhen nga pallati i Pilatit e deri të Kalvari.
Pas Darkës së fundit, Malit të ullinjve, agonisë, puthjes së Judës dhe arrestimit, ikjes së apostujve, mohimit të Pjetrit dhe pendimit, pasoi gjykimi i Këshillit. Pas kësaj Jezusin e çojnë tek Pilati. Mirëpo Pilati nuk di si të veprojë. Ai do përgjegjësinë ta hedh te të tjerët dhe Jezusin e çon tek Herodi. Herodi do të luaj me Jezusin. Mirëpo Jezusi është plot dinjitet dhe nuk ka çfarë t’i thotë kësaj dhelpre.
Jezusi e sjellin përsëri para Pilatit. Ai ofron zgjedhjen: Jezusin ose Barabën. Të gjithë zgjedhin kriminelin, Barabën. Pilati plot frikë lëshon pe dhe e gjykon Jezusin. Pas kësaj vazhdon udhëtimi i Jezusit për në Golgotë. Këtë gjë tradita e krishterë e bëri të përjetshme në ndalesat e udhës së kryqit. Edhe këtë përshpirtëri këtyre ditëve kemi mundësi ta bëjmë me ndjenja krejtësisht të veçanta. Ta përcjellim Jezusin në këtë udhë.
26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, kapën njëfarë Simoni prej Cirene, që po kthente nga fusha, ia vunë në krah kryqin që ta mbarte pas Jezusit.
Sodis Simonin që e detyruan t’i ndihmojë Jezusit. Çfarë ndihme është kjo! O Zot, më vështirësi e mbart kryqin tim. Kundërshtoj dhe murmuroj. Do të doja ta tejkaloj dhe të shmangëm. Më ndihmo që ta pranoj kryqin tim dhe t’i ndihmoj të tjerët në mbartjen e kryqit të tyre.
27 Pas tij shkonte një shumicë e madhe njerëzish e disa gra që e qanin dhe e vajtonin. 28 Jezusi u kthye kah ato dhe tha: “Bijat e Jerusalemit! Mos më qani mua, por qani veten e fëmijët tuaj!
Shkoj pas Jezusit. Vetëm grupi i grave ka dhimbje për të. Jezusi i drejton ato te gjërat thelbësore në jetë: që të mendojnë për vete dhe për fëmijët e tyre. Po, o Zot, shumë gjëra duhet vajtuar sepse nuk janë mirë në jetën tonë, në familjen time, në bashkësi, në famulli…
33 Kur arritën në vendin që quhet ‘Kafkë’, aty e kryqëzuan atë dhe keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë. [34 E Jezusi lutej: “Fali, o Atë, se nuk dinë ç’bëjnë!”]
Golgota është qëllimi, por nuk është fundi. Mes dy keqbërësve është i varur Zotëria që i na shëlbon nga të këqijat tona. Populli shikon. Kjo është loja e tij, ndoshta edhe bukë të mjaftueshme patën. Çfarë dëshirojnë më shumë. Përqeshin atë dërgimi i të cilit është për të shpëtuar. Vërtetë nëse nuk ka mundësi ta shpëtojë vetveten, si ka mundësi t’i shpëtojë të tjerët! O Shëlbuesi im, pate mundësi të përjetosh gjithçka që nga puthja e Judës e deri në Golgotë. Të falënderoj që nuk zbrite nga kryqi por mbete në të dhe me të na shëlbove. Më ndihmo që ta kuptoj se shëlbimi është në kryq.
39 Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente: “Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!” 40 Por ai tjetri e qortoi shokun: “As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41 Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ky s’bëri asnjë të keqe!” 42 Dhe tha: “Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” 43 E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”
E dëgjoj këtë dialog të fundit që bëhet mes Qiellit dhe tokës. Një keqbërës mbetet në të keqen, e tjetri përjeton kthimin. Jezus më kujto në të gjitha që bëj dhe jetoj. Të gjitha t’i kushtoj dhe i vë para teje.
46 Atëherë Jezusi bërtiti me zë të lartë e tha: “O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim!” Si tha këto, dha shpirt.
Fjalët e fundit të Jezusit: “Po, o Atë, po kthehem te ti!” Kaloj nëpër vdekje dhe na hapi udhën. Të falënderoj, o Zot, që së bashku me ty do të kaloj nëpër derën e vdekjes. Bëj që edhe unë me guxim dhe besnikëri ta dorëzoj shpirtin tim në duart e Atit.
50 Atëherë erdhi një njeri që quhet Jozef. Ky ishte anëtar i Këshillit [dhe] burrë i mirë dhe i drejtë. Ky nuk e miratoi vendimin as veprimin e tyre. 51 Ishte prej Arimateje, qytet i Judesë, dhe priste Mbretërinë e Hyjit. 52 Shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. 53 Pasi e uli prej kryqit, e mbështolli në pëlhurë, e vuri në varr të gdhendur në gur, ku ende askush s’ishte varrosur.
Ky është fundi i misionit dhe i jetës mbi tokë. Jeta më besnike përfundoi dhe misioni më me nder u plotësua. Këtë gjë e njohu Arimateu dhe e nderoi Jezusin kur të gjithë të tjerët e braktisën. Edhe unë, o Zot, po të falënderoj me gjithë zemër. Bëj që këto ditë të Javës së Madhe të kalojnë në përshpirtëri të sinqertë dhe në falënderim për të gjitha që bën për mua.