MEDITIMI I DITËS – JETA E FESË

Written by on June 13, 2017

Mt 5, 17-19 JETA E FESË

 

Kërkoj hirin: që ta nderoj traditën dhe në të të ndërtoj jetën e re të besimit.

 

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: 17 »Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej.

Jezusi nuk dëshiron që njerëzit ta kuptojnë si ndonjë revolucionar që erdhi për të rrënuar çdo gjë që u ndërtua para tij vetëm pse është e vjetër dhe për të ndërtuar diçka të re vetëm pse është e re. Prandaj na tërheq vërejtjen se nuk guxojmë të refuzojmë diçka vetëm pse është «e vjetër» dhe në mënyrë të menjëhershme ta pranojmë të renë vetëm pse është e re. Fatkeqësisht, ka njerëz të cilëve tradita iu pengon dhe mendojnë se me ta fillon gjithçka. Hedhin poshtë çdo gjë që ishte para tyre, dhe kërkojnë të renë vetëm për shkak të të resë. Jezusi nuk është i tillë. Ai e pranon traditën dhe i përshtatet. Ai e di se Ati i tij e ka drejtuar botën drejt plotësisë së kohës kur në bashkim me Shpirtin Shenjt e dërgoi atë që ta shëlbonte botën.

Më sjelljen e vet ndaj Ligjit dhe Profetëve Jezusi i tregon dhe i pranon si thelb të Shkrimit të shenjtë. Kjo është Fjala e Hyjit që është shkruar. Ligji ose Tora i përmban pesë librat e parë të Biblës që ndryshe i quajmë Pesëlibërshi. Në të janë përmbledh në një bashkësi caktimet që përcaktuan jetën fetare dhe shoqërore të popullit të Izraelit. Ky Ligj vjen prej Hyjit dhe përcakton detyrimet që njeriu ka ndaj Hyjit. Në Ligj është vullneti i Hyjit që gjatë shekujve plotësohej në jetën e përditshme të popullit të zgjedhur. Kjo do të thotë se qe e nevojshme vazhdimisht të caktohen ligjet duke i përshtatur sipas kushteve, mesit, kohës në të cilën Izraeli jetonte. Ngjarja qendrore e Ligjit është Besëlidhja që u bë në malin Sinai mes Hyjit dhe popullit të Izraelit. Atëherë u dha Dekalogu, Dhjetë fjalët, ose, siç quhen sipas traditës, Dhjetë urdhërimet e Hyjit. Në Ligj Izraelitet gjetën zbërthimin e historisë dhe të fatit të tyre. Jezusi këtë gjë e diti dhe do të ishte e pakuptueshme po të mendonim se dëshironte t’i zhbëj urdhërimet.

Në historinë e Izraelit, sidomos në pjesën e saj fetare, profetët patën një rol të rëndësishëm. Ata e kanë drejtuar popullin në rrugën e besimit të vërtetë në Hyjin dhe gjithmonë ishin mbartësit kryesor të zhvillimit të Zbulesës dhe të ripërtëritjes në popull. Ata ishin «zëdhënësit» e Hyjit në popull. Profetëve iu imponohet fjala e Hyjit, ata nuk kanë mundësi të heshtin edhe pse populli nuk e pëlqen çfarë thonë ata. Ata paralajmëruan ardhjen e Mesisë që do ta shëlbojë botën. Prandaj profetët janë të rëndësishëm në besimin e hebrenjve dhe në besimin e krishterë.

Më siguri se ne kohën e  Jezusit dhe në Kishën e parë bëheshin disa pyetje në lidhje me atë që të krishterët jetonin dhe në lidhje me të renë që po vinte. A duhej të ruheshin të gjitha ligjet dhe zakonet e vjetra në Ligjin e Moisiut? Si të bëhet me rrethprerjen? Si të bëhet me mbajtjen e të shtunës? Si të bëhet më flijimin e kafshëve në Tempullin e Jerusalemit?

Gjithmonë, në historinë e Kishës pat pyetje të ngjashme: çfarë duhet ruajtur nga ajo që vjen nga tradita, dhe çfarë duhet marrë dhe zbatuar si frymëzim të ri, si nxitje të re? Kjo gjë solli gjithmonë konflikte të mëdha, rragatje mes të ashtuquajturve «njerëz konservativ, tradicionalist» dhe «përparimtarëve, modernistëve». Problemet e ngjashme kanë ndodhur në të gjitha fushat në shoqëri, në familje, në profesionet e ndryshme, në dituri…

Jezusi nuk përgjigjet ashtu si ne dëshirojmë. Ai nuk sjell ndonjë alternativë: ose të zhbëhet ose mos të zhbëhet. Ai thotë se erdhi për të përsosur. Kjo do të thotë të japë nxitje të re, shpirtin e ri, freskinë e re, sikur kur më shartim fitojmë diçka të re. E vjetra nuk zhbëhet, por as e reja nuk fillon prej vetvetes. Kjo është e reja në të vjetrën dhe e vjetra në të renë. Jezusi nuk merr qendrim të një konservatizmi të ashpër as nuk fillon ndonjë lëvizje të re revolucionare që ndryshon gjithçka. Nuk e mohon të kaluarën për shkak të së ardhmes. Nuk është as për të renë kundër të vjetrës. Plani i Hyji është një i vetëm dhe ai zgjatë që nga fillimi e deri të plotësimi, deri në mbarim.

Do t’i lutëm Zotërisë që të na ndihmojë të gjithëve që në problemet e tilla të bëjmë si Ai. Që të dimë të jemi besnik ndaj traditës, por në të njëjtën kohë që të kemi guxim për të pranuar të renë dhe të ndërmarrim ripërtëritjet dhe të ripërtërimë çfarë duhet të ripërtërihet në shoqëri dhe në Kishë.

18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha. 19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i  mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

Kur bëhet fjalë për fjalën e Hyjit, asgjë nuk duhet shikuar si të parëndësishme edhe pse nga jashtë duket gjë e vogël dhe e parëndësishme sikur është shkronja ose veprimi. Është e nevojshme që të gjitha t’i vlerësojmë në shpirtin e Hyjit. O Zot, me ndihmo që ta kuptoj mirë fjalën tënde me të cilën ma tërheq vërejtjen që të jem besnik ndaj urdhërimeve të tua. Ti i dhe si ndihmë që të kem mundësi që lehtë dhe i sigurt të vij tek Ti.

 


Current track

Title

Artist