MEDITIMI I DITËS – JA QENGJI I HYJIT!

Written by on January 14, 2017

Gjn 1, 29-34 JA QENGJI I HYJIT!

 

Kërkoj hirin: që të besoj se Jezusi më pastron me gjakun e derdhur për mua.

 

Jezus, Gjoni te njohu si Qengjin e Hyjit. Kishte ndër mend ngjarjen e mrekullueshme gjatë të cilës Izraelitet dolën nga Egjipti. Shenja shëlbimprurëse dhe mbrojtëse e daljes së tyre ishte gjaku i qengjit me të cilën lyen shtalkat e dyerve të shtëpive të tyre. Pastaj e hëngrën këtë qengj të prerë. Derisa lexoj këtë histori, në ty, o Jezus, zbuloj të vërtetën dhe të përditshmen.

Ti u flijove në kryq si qengji i pafajshëm. Në kohën kur në tempull po thernin qengjat për festën e Pashkëve sipas riteve të hebrenjve ti qëndron i varur në kryq dhe plotëson veprën e shëlbimit. Me gjakun tënd jemi shënuar dhe shëlbuar. Gjaku yt na shpëtoi nga e keqja dhe fitoi mbi forcën e mëkatit.

Ti je qengji që merr mëkatin e botës. Sa i madh ishte pushteti i Egjiptit në krahasim me Izraelitet! Prapëseprapë, Hyji i shpëtoi dhe i ruajti, sepse Hyji është më i fuqishëm se të gjitha fuqitë e kësaj toke.

Jezus, edhe neve na kërcënojnë fuqitë e kësaj bote. Në këtë botë kemi mundime. Gjithnjë e më të paktë janë njerëzit që dëshirojnë të jetojnë sipas dritës së Ungjillit. Njerëzit kërkojnë të kënaqin epshet e tyre gjithnjë e më shumë. Shumë njerëz kërkojnë që kërkesat e natyrës njerëzore t’i kënaqin me çdo kusht dhe në çdo mënyrë. Ata shkojnë edhe më larg, kërkojnë që këtë gjë ta pranojnë dhe ta miratojnë të gjithë, kërkojnë që ajo gjë që kërkojnë veset e tyre të legalizohet me ligje, kështu që çdo gjë tu nënshtrohet epsheve dhe veseve.

Në këtë botë plot vese, në këtë botë në të cilën zotëron gënjeshtra, sharja, vjedhja është vështirë për tu ruajtur të pastër. Ata që me çdo kusht dëshirojnë të jetojnë sipas zërit të ndërgjegjes dhe sipas dritës së Ungjillit dukën të marrë në sytë e njerëzve të kësaj bote. Duket sikur nxënësit e tu nuk jetojnë jetë normale, natyrore mbi këtë tokë. Bota gjithnjë e më fuqishëm po e robëron njeriun. Në duar të botës janë mediat publike të cilat secilën ditë e më shumë ushqejnë njerëzit më gjërat më të pista duke shkatërruar zemrat e të gjithë atyre që i përdorin ato, sepse aty nuk paraqitet e mira por e keqja dhe gënjeshtra.

Jezus, ne dëshirojmë të jemi nxënësit e tu. Besoj se ti je Qengji i vërtetë i cili me gjakun e vet e shëlbon njeriun prej mëkateve të tija. Besoj se na ke shëlbuar dhe se vazhdimisht na shëlbon. Me të njëjtin besim afrohemi tek ti, o Jezus, dhe me besim të plotë në ty të dorëzohemi, sepse ti je Qengji që merr mëkatin tonë. Besoj se forca e gjakut tënd është shumë më e madhe se krejt barra e mëkateve të njerëzve të kësaj bote. Ti e shëlbon njeriun nga mëkati i rrjedhshëm dhe nga pesha e çdo mëkati personal. Na shëlbo, o Jezus, edhe nga të gjitha ngashënjimet me të cilat kjo botë dëshiron të na robërojë me mentalitetin e vet, me mënyrën e vet të të jetuarit dhe të të vepruarit.

Ti je Qengji i Hyjit. Ti na vendos nën mbrojtjen tënde dhe na ruaj nga çdo gjë me të cilën kjo botë na kërcënohet. Dua të besoj se në ty e mira dhe dashuria do të korrin fitore mbi gënjeshtrën dhe urrejtjen.

 


Current track

Title

Artist