MEDITIMI I DITËS – I ZGJUAR NË PUSHIM

Written by on August 9, 2019

E diela e nëntëmbëdhjetë gjatë vitit – C

 

Lk 12, 32-48; ose 12, 35-48 I ZGJUAR NË PUSHIM

 

Kërkoj hirin: që kurrë mos të harroj thirrjen e Jezusit që të rri zgjuar dhe të jem i gatshëm.

 

32 Mos druaj, o grigjë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’jua japë Mbretërinë! 33 Shitni pasurinë tuaj e jepni lëmoshë! Bëni për vete strajca që nuk vjetrohen, thesar në qiell që nuk mbaron kurrë, ku vjedhësi nuk afrohet e tenja nuk bren. 34 Vërtet, ku është visari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.”

                  Është koha e plotë e verës. Tashmë jemi në pushim ose përgatitemi të shkojmë drejt qëllimit që kemi përcaktuar. Ndoshta edhe jemi kthyer nga pushimi. Ose ndoshta nuk kemi pasë mundësi të shkojmë askund. Doli diçka dhe na i pështjelloji planet. Ndoshta gjendja financiare në familje nuk na e lejon këtë gjë. Sido që të jetë, kudo që të jemi, Fjala e Hyjit me porosinë e saj na arrin. Shumë shpesh kur jemi në pushim nuk e dëgjojmë aspak. Harrojmë se të dielën duhet gjetur koha të shkojmë në Meshën e shenjtë. Lëshojmë dore veten dhe krijojmë ndjenjën në të cilën jeta shpirtërore nuk ka vend. E përjashtojmë fare. Nga kjo faqe e Ungjillit të Shën Lukës Jezusi flet qartë që në disa gjëra askurrë nuk mund të jemi në pushim. Prandaj na nxit, por edhe na qorton se si duhet të mbledhim thesarin.

            O Zot, ndonjëherë në pushimin tim harroj fare që jam besimtar. Shumë lehtë nuk marr pjesë në Meshën e shenjtë të dielave, nuk lutem, nuk lexoj asgjë shpirtërore, jetoj si pagan. Ti me qorton se asnjëherë nuk duhet të shkëputem nga realiteti i jetës sime. Më duhet të kujdesem për pasurinë që mbledh. Jam shumë i ndjeshëm ndaj të ardhurave materiale. Llogaris e llogaris. Mendoj, kjo është e nevojshme që të jetoj në mënyrë cilësore. E di, o Zot, kjo është një përmasë e jetës sime. Por unë kam edhe shpirtin. Çfarë bëj për të? A ka ndonjë buxhet shpirtëror për të cilin më duhet të kujdesem? Këtë aq lehtë e lë pas dore. Ekzistojnë edhe të mirat e pakalueshme për të cilat më duhet të mendoj. O Zot, në zemrën time bashkohen shumë gjëra. Është rënduar për shkak të kujdeseve tokësore. Ndjej se si prej saj del e keqja. Ti më the se prej zemrës dalin mendimet e këqija dhe çdo e keqe. Me të vërtetë, unë mendoj dhe flas sipas shpirtit që është në zemrën time. Punoj dhe sillem sipas stilit të atyre gjërave që kam në zemër. Çfarë thesari mbledh, ashtu e kam zemrën. Më ndihmo që mos ta lë pas dore jetën shpirtërore. Më ndihmo që Fjala jote të jetë pasuria e zemrës sime.

35 “Jini gati ‑ të veshur e të ngjeshur me llamba të ndezura ‑ 36 porsi ata që presin zotërinë e vet kur kthehet prej dasmës për t’ia çelur derën posa të vijë e të trokëllitë. 37 Lum shërbëtorët që, kur kthehet zotëria, i gjen zgjuar! Përnjëmend po ju them: ai vetë do të ngjeshët, ata do t’i ulë në tryezë, do të afrohet dhe vetë do t’i shërbejë. 38 Po erdhi në të dytën ose në të tretën rojë të natës dhe, po i gjeti kështu, lum ata! 39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyhej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”

            Në mes të verës, në kohën e pushimeve dëgjohen këto fjalë të Jezusit. Na thotë të rrimë zgjuar kur dëshirojmë më së shumti të flemë. Na flet për gatishmërinë kur jemi më të papërgatitur. Flet për shërbimin, kur presim gjithçka gati dhe kërkojmë shërbimin e të tjerëve… Vërtetë e pazakonshme dhe e çuditshme! Prandaj me të drejt Zhan D’Ark thoshte që së pari duhet t’i shërbejmë Hyjit. Kur është kështu, atëherë çdo shërbim që mund të bëhet ka kuptim.

            O Zot, me këto fjalë na thua se ekziston diçka që asnjëherë nuk mund ta harrojmë as ta lëmë pas dore. Pikërisht kur jemi më shumë të lirë mund të vijë “çasti” për të cilin flet. Kjo nuk do të thotë, o Zot,  që të jemi në gjendje rrethimi dhe në pritje dridhëse. Përkundrazi, ti do që në vetvete të kultivojmë atë atmosferë të cilën në vetvete ka e Fejuara në Këngën e Këngëve kur i thotë dhëndrit: “Derisa fle, zemra me rri zgjuar!” kjo do të thotë në çdo rast dhe kur çfarëdo që bëj të jem i vetëdijshëm se duhet të jem i gatshëm të nisem. Kjo i hap sytë e mi para realiteteve të reja. Kjo ma sjell shikimin e qëndrojë në çdo gjë që bëj dhe në veten time. Kjo me sjell siguri se jam në rrugë të drejtë. O Zot, dua që drita ime të rri gjithmonë e ndezur. Kam mundësi që në këtë kohë të pushimit më shumë të shoh praninë tënde në botë dhe rreth meje. Ky mund të jetë rast i shërbimit të ri dhe i takimit me ty. Nuk dua të të kërkoj më mendime në kotësi, por në çdo gjë rreth meje, sepse këtu i lë gjurmët e tua, në det e në male, në fusha dhe pyje që i lëviz era, në takim dhe në lexim, në…

41 Atëherë Pjetri tha: “Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?” 42 Zotëria iu përgjigj: “Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet. 45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve. 47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”

            Në pyetjen e Pjetrit, Jezusi përgjigjet me shëmbëlltyrë të re. Zgjimi dhe shërbimi ju përkasin të gjithëve. Edhe atyre që morën përgjegjësinë për bashkësinë, shoqërinë. Pikërisht ata që kanë shumë, që morën shumë, do të jenë në provim të rëndë, sepse prej tyre do të kërkohet shumë.

            O Zot, edhe ky është rasti që të shoh se çfarë më dhurove se cilët janë talentet dhe aftësitë e mia. A i kam zhvilluar mjaftueshëm dhe a i kam vënë në shërbim të të afërmve të mi? Në heshtje dhe lutje para teje mendoj për këtë gjë. Më fal për moskujdesin dhe përgjumjen time. Më ndihmo që aftësitë e mia t’i kuptoj më mirë dhe t’i vë edhe më shumë në shërbim të familjes, bashkësisë, famullisë, vendit të punës…


Current track

Title

Artist

Send this to a friend