MEDITIMI I DITËS – I PASURI DHE MBRETËRIA E HYJIT
Written by Radio Maria on August 21, 2017
Mt 19, 23-30 I PASURI DHE MBRETËRIA E HYJIT
Kërkoj hirin: që të kuptoj që pasuria mund të jetë pengesë për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit.
Në atë kohë, 23 Jezusi u tha nxënësve të vet: “Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”
Më dy fjali, Jezusi e paraqet seriozitetin e hyrjes në Mbretëri të Hyjit nga të gjithë ata që janë të ngarkuar me pasuri. Flet me mundim dhe dhimbje të madhe kur thotë se sa e vështirë është që të shëlbohen të pasurit. Njeriu ka mundësi të gjendet në situatë të tillë që të zgjedh mes Hyjit dhe pasurisë. Fatkeqësisht, ka mundësi të përcaktohet për pasurinë. Për këtë gjë na duhet ta marrim seriozisht qortimin e Jezusit. O Zot, ji ti krejt pasuria ime, vendosu në zemrën time që asnjë pasuri e kësaj bote mos ta zërë vendin tënd.
25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin: “Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?” 26 Jezusi i shikoi dhe u tha: “Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”
Apostujt befasohen. Pyetja iu lind vetvetiu. Cili prej nesh nuk është i lidhur për diçka? Cili prej nesh nuk lufton për ndonjë pasuri? Pyetja është me vend: kush pra mund të shëlbohet? Jezusi e di për frikën që lindi në nxënësit e tij. Ai e di se në njeriun ka shumë të mira dhe se në këto të mira llogarit Ati i tij. E di se njeriu mund të ketë dhe të jetë i pasur e në shpirt të jetë i mirë e Hyji të jetë mbi gjithçka. Ne nuk jemi të vetëdijshëm për të mirat e shumta që i bëjnë njerëzit e pasur.
27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”
Djaloshi i pasur u largua prej Jezusit i trishtuar. Këtë gjë e panë nxënësit e tij. Menjëherë pas vjen qortimi dramatik i Jezusit për rrezikun e pasurisë. Këtë gjë e dëgjuan mirë nxënësit. Në një situatë pak a shumë të tensionuar, Pjetri paraqet gjendjen e vet dhe të miqve të tij, nxënësve të Jezusit. Duket se në të gjitha këto Pjetri dëshiron të lavdërohet. Si t’i thoshte Jezusit: «Ja, djaloshi i pasur u largua i trishtuar. Ti po na thua se të pasurit hyjnë vështirë në Mbretërinë e Hyjit. Si do të bëhet me ne? Ne nuk kemi asgjë, i lamë të gjitha, dhe të gjitha i bëmë për shkak teje. Tani jemi me ty…»
28 Jezusi u tha: “Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Të shkosh pas Jezusit do të thotë të ndash me të çdo gjë që është e tija. Së pari do të thotë të jesh i gatshëm për të pranuar kryqin, vështirësitë dhe të gjitha të këqijat. Kjo do të thotë të luftosh me të gjitha fuqitë për Mbretërinë e Hyjit. Mirëpo mbi të gjitha, kjo do të thotë të mbretërosh me të në lavdi, në ripërtëritje të botës që do të zbulohet në përfundimin e shekujve. Kjo do të thotë ta ndash me të fitoren dhe të kënaqesh ne bukurinë e Mbretërisë qiellore.
O Zot, bëj që të gjithë nxënësit dhe apostujt e tu ta kuptojnë se gjëja më e rëndësishme në jetën e tyre është të vinë pas teje. Bëj që apostullatin e vet mos ta kuptojnë si sipërmarrje por si braktisje të të gjithave dhe si përcaktim për ty.
29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur. 30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”
Jezusi flet për vlerën e jetës që e jetojnë nxënësit e tij. Shpërblimi nuk është vetëm kthim i asaj që dhamë edhe pse është plot e përplot. Shpërblimi është njëqindfish. Vetëm këtë gjë mund ta ofroj Jezusi. Jeta me të nuk është ndonjë aventurë e pasigurt por ardhmëri tepër e pasur. Atë gjë që e lan nxënësit do ta gjejnë të shumëfishuar. Kjo është e ardhmja e gëzueshme dhe e hareshme. Mënyra se si llogarit Jezusi është interesante: ai që i le të gjitha për shkak të tij i merr njëqindfish. Ai që është i gatshëm t’i braktis të gjitha dhe në sy të botës të duket lypsar, i merr njëqindfish dhe jetën e pasosur. Ai që i grabit të gjitha duke i mbledh për vete, në sytë e botës ka gjithçka, por para Hyjit nuk ka asgjë dhe nuk e ka as jetën e pasosur pranë Jezusit. Ky është kthimi për të cilin flet Jezusi kur thotë; të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit.
O Zot, më ndihmo që të mendoj si ti edhe pse kjo mënyrë e mendimit nuk përputhet me mendimin e botës. Interesat tek ti nuk janë të njëjta me interesat e bankave të kësaj bote. Bëj që jetën time ta shpenzoj për ty që në fund të jem trashëgimtar i jetës së pasosur.