MEDITIMI I DITËS – I LIRË TË VDES PËR DASHURI

Written by on March 29, 2018

Gjn 18, 1-19,42 I LIRË TË VDES PËR DASHURI

 

Kërkoj hirin: që të besoj se mund të vdes për dashuri.

 

Jezus, i dëgjueshëm deri në vdekje, deri në vdekje në kryq, na bëj edhe neve të dëgjueshëm Shpirtit tënd dhe vullnetit të Atit tënd. Çrrënjose nga zemrat tona egoizmin dhe vullnetit vetjak me të cilin kundërshtojmë çdo gjë që nuk na pëlqen.

Jezus, që lejove të të gjykojnë të pafajshëm, na liro nga paditë që ua bëjmë të tjerëve sa herë që mendojmë se kemi pësuar padrejtësi dhe na jep fuqi që në secilën fjalë që nuk na pëlqen mos të përgjigjemi me të njëjtën masë dhe me të njëjtën dhunë.

Jezus, që në kryq mbete i vetmuar, i braktisur edhe prej miqve më të dashur, na shëro nga plagët e brendshme për shkak të të cilave po vuajmë, na liro nga ndjenja e braktisjes, nënçmimit dhe nga mendimi se na kanë tradhtuar në mënyrë të tmerrshme.

Jezus, që nga kryqi dhuron dashuri dhe falje, mos lejo që në vuajtjet dhe mundimet tona të mbyllim zemrat tona para dashurisë ndaj të afërmve dhe në vuajtjet tona në mënyrë egoiste të harrojmë se dikush afër nesh vuan edhe më shumë se ne.

Jezus, ti në kryq shprehe fjalën e dhimbjes së pashprehshme trupore dhe shpirtërore: “Kam etje!” na jep hirin që të ta shuajmë etjen për shpirtrat, etjen për dashuri me të cilën kjo botë do të duhej të përgjigjej në dashurinë e patregueshme të Atit.

Jezus, që the se kur të ngrihesh nga toka, të gjithë do të tërheqësh tek vetja, na tërheq fuqishëm tek ti që të ndjejmë fuqinë e kryqit dhe të dashurisë.

Na tërheq tek vetja duke nga shkëputur nga çdo gjë që na shkëput nga përqafimi i vetëm dhe i veçantë i dashurisë sate.

Jezus, që në kryq, në çastin kur mbi tokë dorëzove shpirtin, guxove të thuash: “Gjithçka u krye!” duke plotësuar në plotësi vullnetin e Atit dhe veprën e shëlbimit, na jep hirin që edhe ne gjatë jetës tokësore ta plotësojmë vullnetin tënd duke kryer atë gjë për të cilën ke dashur që të jetojmë, të vuajmë dhe të vdesim.

Jezus, ushtari ta shporoj kraharorin me heshtë dhe nga zemra jote doli uji dhe gjaku: shuaje etjen tonë për jetën e vërtetë dhe na laj me ujit e jetës. Nga barku yt buruan lumenj të ujit të gjallë, bëj që të gëzojmë frytet e kësaj dhurate kaq të çmueshme të cilën në mënyrë krejt të veçantë na dhuron në eukaristi, me gjakun që buroi nga barku yt, dhe në pagëzim, me ujë që arrijnë në jetën e pasosur.

Jezus, e sodisim kryqin tënd, sepse profeti foli edhe për ne: “Do ta shikojnë atë që e kanë shporuar!” (Gjn 19, 37; krh. Zak 12, 10). Në ditën e sotme, por edhe secilën ditë të jetës sonë do të shikojmë shenjën që nuk e shpreh dot dashurinë e dhuruar në trupin e dorëzuar dhe në gjakun e derdhur. Shikimi në kryqin tënd le ta zgjoj në ne ndjenjën e dashurisë dhe të bashkëvuajtjes, të përcaktimit, të dorëzimit dhe të shenjtërisë.

 


Current track

Title

Artist