MEDITIMI I DITËS – I AFËRMI
Written by Radio Maria on March 27, 2017
Gjn 5, 1-3a. 5-16 I AFËRMI
Kërkoj hirin që të di ta shikoj nevojën e të afërmit dhe t’i ndihmoj; që të di të jem i afërmi.
1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme. 3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh. [4]
Në të njëjtin vend gjendej një det i vuajtjeve të njerëzve. Jezusi hyri në mes të njerëzve që vuanin e të cilët erdhën për të kërkuar ndihmë në një banjë. O Zot, të shikoj se si kalon duke i shikuar njerëzit që vuajnë. Zemra jote është përplot me dhembshuri. Ti ke gjithmonë dhembshuri për njeriun që vuan. Ti i pe vuajtjet fizike të njerëzve, por shumë më shumë kishe dhembshuri për vuajtjen e brendshme të njeriut.
Edhe sot, janë të shumë njerëzit e thyer nga dhimbja fizike dhe trupore. Këta njerëz janë në familjen time, në bashkësinë time, në fshatin ose në qytetin tim. Të gjithë këta njerëz presin që dikush t’u afrohet e të vijë tek ta, që t’i dëgjojnë ato gjëra që dëshirojnë t’ia besojnë dikujt. Edhe unë, o Zot, vuaj dhe varem prej të tjerëve. Rri i shtrirë në shtratin e sëmundjes sime dhe pres që dikush të më lëvizë. Përse kjo sëmundje? Përse jam i vetmuar mes këtyre mureve? Po të lutem që të mos hyjë hidhërimi në mua, që kjo vuajtje e imja të mos jetë e kotë dhe një ditë të mund të them: u bëftë vullnesa jote!
5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?” 7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje”.
Duke kaluar midis njerëzve, Jezusi dukej sikur po e kërkonte dikë, sikur dëshironte të takohej me një njeri. Këtu ishte njeriu i paralizuar prej vitesh, të tjerët e sillnin në këtë banjë. Tridhjetë e tetë vjet pritje, shpresë dhe durim. Njeriu nuk e humbi vullnetin, as nuk dyshoi në shpresën e vet. Ai ishte aty për çdo ditë. Jezusi e dinte këtë gjë, prandaj shkoi drejt e tek Ai. Kur ky njeri e dëgjoi pyetjen e Jezusit, me siguri që u turbullua brenda vetes.
Çfarë tjetër, i tha, o Zot? Mund ta marr me mend, sepse Ti gjithmonë kujdesesh për njeriun dhe e dëgjon kur ai të flet. Edhe sot, shumë njerëz, që janë në nevojë, nuk e kanë askënd. Mungojnë njerëzit që janë të gatshëm për të qenë të afërmit e tyre. Më ndihmo që unë të jem i afërmi i tyre. Kur të tjerët ndalen, më ndihmo që të lejoj që nevojtarët të mund të mbështeten në mua. Kur tjetri nuk përgjigjet, më ndihmo që unë të përgjigjem në vend të tij. Kur tjetri e ndërpret lutjen, më ndihmo që unë të lutem për të. Më ndihmo që të jem njeri për të tjerët, që të jem i afërmi i të tjerëve.
8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!” 9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte. Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit: “Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!” 11 Ai iu përgjigj: “Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’” 12 Ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’” 13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.
Mund ta marrim me mend se me çfarë gëzimi u ngrit njeriu, se si shkëlqente ai nga kënaqësia. Ai tani ishte shëndosh dhe i aftë për ta mbartur shtrojën e vet. Jezusi e nisi në shtëpi. Mirëpo, aty ishin ata që kujdeseshin për zbatimin e imtë të Ligjit, por që e harronin njeriun. E kundërshtonin pse e mbartte shtrojën e vet të shtunën, gjë që ishte e ndaluar. Njeriu nga gëzimi ndoshta kishte harruar plotësisht se ishte e shtunë, sepse ai i besoi vetëm fjalës së Jezusit. Ai që ishte më i fuqishëm se sëmundja e tij, me siguri që kishte pushtet edhe mbi Ligjin e të shtunës. Prandaj, ai e dëgjoi Jezusin. Nuk kishte frikë të bënte të shtunën atë gjë që ishte e ndaluar.
O Zot, më shëro edhe mua. Më ço nga paralizat e mia, të cilat nuk më lejojnë të bëj përpara. Jam mendjemadh dhe plot zili. Nuk i kryej detyrat e mia, por i vë ato në shpatullat e të tjerëve. Nga të tjerët kërkoj që të jenë të zellshëm, të qëndrueshëm, ndërsa vetë nuk jam as i qëndrueshëm e as i zellshëm. Më shëro, po të lutem!
14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha: “Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.
Kush është ky njeri? Kjo është pyetja që përsëritet për Jezusin deri në ditët tona e do të përsëritet deri në përfundimin e botës. I shëruari nuk e dinte. A e di unë? Kush është Jezusi për mua? Ndoshta vetëm një njeri i jashtëzakonshëm? Nëse nuk besoj në të si në Birin e Hyjit, si në Hyjin, atëherë nuk besoj se mund të më ndihmojë, se mund të më shërojë. Si do të besoj atëherë në forcën e Sakramenteve, të cilat i themeloi e përmes të cilave ma jep hirin?
«Pastaj, Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: ja u shërove! Mos mëkato më që mos të të gjejë ndonjë e keqe më e madhe!» Ky njeri ndoshta erdhi në Tempull për ta falënderuar Hyjin që u shërua. Këtu takohet me Jezusin. Ai i bëri vërejtjen se duhej të bashkëpunonte me hirin që mori, se duhej të përparonte në rrugën e kthimit, sepse mund ta gjente ndonjë e keqe edhe më e madhe nga ajo prej të cilës u shërua. Jezusi dëshiron të thotë se erdhi për ta shkatërruar mëkatin, sepse paraliza e vërtetë që e paralizon njeriun është mëkati. Çfarë më paralizon mua? Prej cilës paralizë duhet të shërohem unë? Do t’i lutem Jezusit që të ma tregojë gjatë bisedës që do ta bëj me të!