MEDITIMI I DITËS – HYJI QË MA JEP JETËN
Written by Radio Maria on October 22, 2017
Lk 12, 13-21 HYJI QË MA JEP JETËN
Kërkoj hirin: që të kuptoj se pasuria e jetës nuk është në atë gjë që zotëroj, por në Hyjin që na jep jetën si pasurinë kryesore.
Në atë kohë, 13 dikush prej turmës i tha Jezusit: »Mësues, thuaj vëllait tim ta ndajë me mua trashëgimin tonë.« 14 Or mik, – i përgjigji Jezusi – kush më vuri mua gjykatës ose ndarës mbi ju?«
Problemi i marrëdhënieve ndërnjerëzore. Problemi i marrëdhënieve në familje. Njerëzit më të afërm, shumë shpesh nuk dinë të merren vesh sa herë që ndajnë trashëgiminë. Në hebraizëm kjo gjë ishte përcaktuar me Ligjin e Moisiut. Mirëpo, kur njerëzit nuk kishin mundësi të merren vesh, atëherë kërkonin ndihmën e rabinit. Kështu një ditë një njeri iu afrua Jezusit dhe iu lut që t’i ndihmonte, sepse më vëllain nuk e gjeti gjuhën e përbashkët në ndarjen e trashëgimisë. Ky njeri kishte vështirësi, sepse vëllai në njëfarë mënyre ia kishte bërë të padrejtë dhe po e shfrytëzonte. Kishte besim në Jezusin dhe atij iu drejtua për ndihmë.
Sa njerëz edhe ne ditët e sotme janë hidhëruar deri në vdekje rreth ndarjes së trashëgimisë. Sa vite sillën nëpër gjykata dhe e urrejnë njëri-tjetrin për shkak të pasurisë. Sa e çojnë dorën në njëri-tjetrin duke u bërë armiqtë më të mëdhenj të njëri-tjetrit. Raste të tilla ka në secilin vend të kësaj bote. Jezusi refuzon të ndërhyj. Befasi? A është kjo hera e parë që Jezusi nuk ia dëgjon lutjen një njeriu që i kërkon ndihmë? Përse nuk i ndihmoi? Njeriu kërkon prej Jezusit që t’i ndihmoj në një gjë që mund ta quajmë të përkohshme dhe lëndore. Më ketë refuzim Jezusi dëshiron të thotë në mënyrë të qartë se nuk erdhi për këtë gjë. Misioni i tij nuk është i tillë që duhet të zgjedh problemet materiale dhe të përkohshme. Për këtë gjë ekzistojnë entet njerëzore për t’i rregulluar. Kisha me mësimin e vet në Koncilin e II vatikanas përcaktohen në Shpirtin e Jezusit në mënyrë plotësisht të qartë. Nuk lidhet më kurrfarë rendi politik as nuk dëshiron të gjykojë në gjërat e përkohshme. Mbi të gjitha, të gjithë kanë të drejtë në ndihmën e saj shpirtërore dhe të bamirësisë. Është mirë që në këtë pikëpamje ta lexojmë Kushtetutën Gudium et spes (Gëzimi dhe shpresa).
15 Atëherë u tha: »Viniani mendjen: ruajuni fort prej lakmisë së pasurisë, sepse sado i pasur që ndokush të jetë, jeta e tij nuk varet nga pasuria që ka.«
Jezusi e përdor këtë rast që tu tërheq vërejtjen njerëzve në diçka që ka vlerë shumë të madhe në jetë. Mirëpo ajo që ai thotë iu përket edhe të mirave të përkohshme dhe materiale, mirëpo këto duhet të jenë në shërbim të të pakalueshmes. Nuk flet për atë gjë se si njerëzit do të duhej të ndanin trashëgiminë e tyre dhe të mirat. Ka kush kujdeset për këtë gjë. Jezusi tërheq vërejtjen për qëndrimin themelor të cilin duhet ndërtuar secili njeri. Jeta njerëzore nuk është e vlefshme në qoftë se zotëron të mira të shumta materiale dhe pasuri. Vlera e jetës nuk është në ato gjëra që ka. Fatkeqësisht njerëzit, sot, vlerësojnë dhe gjykojnë pikërisht sipas asaj çfarë njerëzit kanë; sipas fitmeve të tyre, çeqeve bankare, pasjes së shtëpive, makinave, vilave, hoteleve, fabrikave… Të kesh dhe të kesh, është motoja e njeriut të sotëm modern. O Zot, ti na tërheq vërejtjen: ruajuni nga lakmia e pasurisë! Jeta nuk është në atë çfarë keni! A e dëgjojmë këtë gjë mjaftë qartë? A i marrim seriozisht këto fjalë?
16 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë: »Tokat e një pasaniku i dhanë fryt të madh. 17 Ai mendonte në vete e thoshte: ‘Ç’të bëj? Nuk kam më vend ku të mbledh të lashtat e mia.’ 18 Dhe tha: ‘ Kështu po bëj: do t’i rrëzoj grunarët e do t’i punoj më të mëdhenj dhe do t’i mbledh në ta të gjitha: grurin dhe të gjitha të lashtat e mia. 19 Atëherë do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke pasuri me shumicë për shumë vjet: pusho, ha, pi, gëzo!’
Ky është meditimi i njeriut që jeton për këtë jetë dhe për këtë botë. Jezusi nuk dëshiron të thotë se nuk duhet të kujdesemi për ato gjëra për të cilat njeriu ka nevojë. Por këtu tregon lakminë që në njeriun është aq e rrezikshme dhe shkatërruese.
20 Porse Hyji i tha: I Marrë! Shi sonte, në këtë natë, do të kërkohet shpirti yt prej teje, e ç’grumbullove kujt do t’i mbesë? 21 Kështu i ndodh atij që grumbullon pasuri për vete e nuk kujdeset të bëhet i pasur në Hyjin.«
Ky është kulmi i mësimit të Jezusit. Duke refuzuar që të përzihet në gjërat e kësaj toke, Jezusi tregon qartë se perspektivat e njeriut nuk ndalen këtu «poshtë» në horizontalen e jetës. Njeriu këtë gjë e harron shumë shpejt prandaj ha pi dhe kënaqet, duke mos menduar për asgjë tjetër. Sa njerëz thonë: duhet shfrytëzuar jetën, duhet t’i marrim të gjitha gjërat që na i dhuron jeta. Jezusi thotë: kjo është gjë e marrë dhe këtë e bënë njeriu që nuk mendon. Të gjitha këto mund të zhdukën vetëm për një çast. Gjithashtu edhe njeriu papritmas ka mundësi të vdes. Dhe çfarë i mbetet nga ajo që mblodhi? Të grumbullosh për vete dhe mos të mendosh për asgjë tjetër dhe për askënd tjetër, është marrëzi. Kjo do të thotë ta grumbullosh shkatërrimin. Asgjë nuk do të marrësh me vete. Të zhveshur dolëm nga kraharori i nënës dhe të zhveshur kthehemi atje. Jezusi na tërheq vërejtjen për rrezikun që kemi t’i robërojmë egoizmit të pastër. Kjo gjë e shkatërron njeriun.
O Zot, hapi duart e mia për ndarje bujare, që të bëhemi i pasur në ty. Më ndihmo t’i njoh pasuritë e pakalueshme. Bëj që t’i dalloj vlerat e kalueshme nga të pakalueshmet. Ji ti pasuria ime, o Zot.