MEDITIMI I DITËS – HYJI NË ZEMRËN E NJERIUT
Written by Radio Maria on December 22, 2018
Lk 1, 39-45 HYJI NË ZEMRËN E NJERIUT
Kërkoj hirin: që të besoj se këto Kërshëndella do ta ngrohin zemrën time.
39 Ndër ato ditë Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën.
Përfundimin i kohës së ardhjes le ta kalojmë së bashku me Marinë. Ajo e para e jetoi ardhjen e parë. Ajo gjithashtu e para u përgatit dhe e priti foshnjën hyjnore. Prandaj vetëm me të kemi mundësi më së miri të kalojmë ditët e fundit të kohës së ardhjes dhe të përgatitemi për Kërshëndella. Ajo e para e pranoi dhe i bëri vend Jezusit. Si nënë e mbart nën zemrën e vet, dhe si besimtarja e parë e Besëlidhjes së Re e mbart në zemrën e vet. Me të drejtë Shën Augustini tha: Ajo e ngjizi në zemrën e saj, në shpirtin e saj, para se ta ngjizte në kraharor. Maria mbart në vetvete risinë më të madhe që e pranoi kjo botë, Shëlbuesin e botës. Kjo risi e ndryshoi plotësisht jetën e saj edhe pse nga jashtë ajo vazhdoi të jetojë sikurse jetonte para lajmërimit të engjëllit dhe mishërimit të Jezusit. Për këtë gjë nuk kishte mundësi të fliste me asnjë njeri. Kujt kishte mundësi t’i besonte në Nazaret? A do ta kuptonin? A do ta përqeshin dhe do ta përbuzin? Kush është ajo që të jetë Nëna e Mesisë? Më të gjitha këto pyetje, e gëzueshme dhe plot kujdes, niset për rrugë tek kushërira e saj Elizabeta. Me të dëshiron të ndajë këtë risi që e gëzon aq shumë dhe e bën të kujdesshme.
Në këtë kohë të fundit të ardhjes, a dëshiroj ta pranoj vizitën e Marisë në shtëpinë time, në zemrën time? Cilin vend zë Maria në përshpirtërinë time? Mari, Nëna ime, më ndihmo që vërtetë të përgatitem në brendinë time për të kremten e Kërshëndellave. Është koha e fundit e ardhjes. Ti e di më së miri çfarë duhet bërë. Frymëzoji mendimet dhe fjalët e mia. Bej që ky frymëzim të shndërrohet në vepër.
41Tashti, Elizabetës, posa e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharor. Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt 42 dhe brohoriti me zë të lartë:
Takimi i dy nënave që në vetvete ndjejnë pranin e veçantë të Hyjit dhe veprimin e Shpirti Shenjt. Kur dikush i dorëzohet Hyjit, atëherë ai përmes tij vepron në mënyrë të mrekullueshme. Kjo ndodh në jetën e këtyre dy nënave. Ato janë plot me Shpirtin e Hyjit, që në to dhe përmes tyre vepron. Elizabeta e kuptoi menjëherë se çfarë ndodhi në Marinë. Marisë nuk ju desh të shpjegojë asgjë. Miqësia e sinqertë, e bekuar dhe e vërtetë njihet përmes dashurisë dhe lexon ato gjëra që ndodhin në jetën e tjetrit! Elizabeta paraqet dëshminë e fesë së vet. Ajo është e lumtur për të gjitha që ndodhën në Marinë. Në këto gjëra shikon veprimin e Hyjit dhe për këtë gjë falënderon dhe lavdëron. I gëzohet haresë së Marisë.
O Zot, na ndihmo që të dimë t’i gëzohemi haresë së tjetrit. Kjo gjë vështirë na shkon përdore. Na ndihmo që të dimë të dallojmë veprimin tënd në njerëzit tjerë. Që mos të jemi as ziliqarë e as xhelozë.
“Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! 43 Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë Nëna e Zotit tim?! 44 Ja, që, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. 45 E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!”
Elizabeta e pret Marinë duke e bekuar. Pranon rolin dhe rëndësinë e saj për mbarë njerëzimin. Lavdëron Marinë dhe e falënderon që besoi në çdo gjë që Zotëria kërkoi prej saj. Kjo vizitë e Marisë dhe takimi i dy grave është i jashtëzakonshëm në të gjitha veçantitë.
Elizabeta nuk e bekon Marinë për diçka të jashtme. Ajo në këtë gjë nuk ndalet aspak. Ajo shikon thelbin, brendinë, zemrën dhe shpirtin. Prandaj bekimi i saj është i jashtëzakonshëm që Elizabetën e mbush me hare dhe gëzim të cilin e ndjen edhe foshnja e saj që e mbart nën zemër. Elizabeta në Marinë e dallon Nënë e Zotit të saj. Ajo është e para që e nderon në fe dhe e pranon. Ne, së pari shikojmë ato gjëra që janë jashtë dhe që ndodhin jashtë. Shikimi jonë ndalon në sipërfaqe. Sa mjerim dhe dobësi fshihet pas shkëlqimit të jashtëm. Sa pasuri dhe bukuri fshihen pas të jashtmes së thjeshtë e cila nuk na tërheq aspak. Janë të rralla shikimet të cilat pas asaj që dukët depërtojnë në sferën shpirtërore dhe dallojnë pasurinë shpirtërore te tjetri.
Sa shumë na tërheqin këtyre ditëve reklamat dhe paraqitjet e ndryshme të jashtme! Sa shpesh gjatë jetës na verbon ajo që duket me shkëlqim duke na lënë gojëhapur dhe të magjepsur. Të përpiqemi që këtyre ditëve me këto dy nëna të kalojmë nëpër vendet tona dhe ta dallojmë bukurinë e brendshme që ka në vetvete çdo qenie. Me bisedat tona dhe me sjelljen tonë të përpiqemi të dëshmojmë atë gjë që në thellësi e besojmë. Nëna e Zotit tim vjen tek unë. A i njoh nxitjet dhe vizitat e saj?
O Zot, të falënderoj për këtë takim të mrekullueshëm të Marisë me Elizabetën. Ai na zbulon krejt bukurinë e brendisë që mbartin personat që janë plot me Shpirtin tënd. Na mbush me Shpirtin tënd që Kërshëndellat të ndodhin në brendinë tonë. Na ndihmo që të besojmë në çdo gjë që na the përmes këtyre dy nënave.