MEDITIMI I DITËS – HYJI ME NE

Written by on December 17, 2016

Is 7, 10-14 HYJI ME NE 

 

Kërkoj hirin: që të besoj në Emanuelin, Hyjin me ne, Hyjin me mua.

 

10 Përsëri Zoti iu drejtua Akazit e i tha: 11 ”Kërkoje prej Zotit, Hyjit tënd, një shenjë të mrekullueshme për ty, qoftë në thellësinë e nëntokës qoftë në lartësinë në qiell.”

Përsëri jemi me Isainë Profetë. Ky është takimi i fundit me të në Kohën e Ardhjes. Por edhe me Fjalën e Hyjit të cilën ai e shpalli për ne. Jemi duke medituar atë pjesë të Librit që ka titullin «Libri për Emanuelin». Në atë kohë në Jude mbretëronte Akazi dhe Isaia profet dëshironte t’i ndihmonte në vështirësitë që kishte. Pasi që politikën që ishte e themeluar vetëm në planet njerëzore e kundërshtonte më kot dhe përpjekjet e tij tek Akazi mbretën të pasuksesshme, ai u tërhoq plotësisht nga skena politike.

Në Kohën e Ardhjes Isaia profet ka një vend qendror, ai na ndihmon që të përgatitemi sa më mirë për takimin me Zotin në të kremten e Kërshëndellave. Në kohën e vet u përpoq që me paraqitjen e vet publike dhe me shembull, ta lidhte popullin e vet ta sa më ngushtë me Zotin. Në kohën tonë e bënë të njëjtën gjë. Me fjalën e Hyjit, që gjithmonë është aktuale dhe ekzistenciale, në atë kohë dhe sot, përpiqet që të na lidh me Hyjin që vjen dhe dëshiron të jetë më ne.

Akazi mbret është në situatë të vështirë. Mirëpo edhe në atë situatë Hyji është i pranishëm. Historia na duket tepër profane, shekullare dhe pagane. Por Hyji është i pranishëm në politikë përmes atyre që jetojnë me Hyjin. Politika na dukët çnjerëzore, i padrejtë, e ndyrë  dhe e prishur. Hyji është i pranishëm edhe në të përmes atyre që sinqerisht angazhohen në të dhe e çojnë përpara. Robert Shumani, politikani (francez) dhe babai i Evropës bashkëkohore, si edhe besimtar katolik, fliste për «shenjtërinë e politikës». Hyji e ka vendin e vet në histori dhe në politikë. Në këto fusha pret bashkëpunimin e njerëzve. Aty i vendos shenjat e veta dhe le gjurmë. Na duhet t’i shohim dhe të ecim pas tyre. Jezusi bashkëkohësit e vet i ftojë të bëhen të vetëdijshëm për rëndësinë e shikimit të shenjave të Hyjit në botë. A di ti dalloj këto shenja në jetën time? A jam i vetëdijshëm se në secilën histori njerëzore realizohet plani i Hyjit? Hyji edhe sot dëshiron të realizoj diçka prej planeve të veta në familjen time, përmes fëmijëve të mi, gruas, burrit tim. Gjithashtu në bashkësinë time, në famulli. A e kuptoi këtë gjë? Më duhet të mësohem të lexoj këto shenja dhe t’i shpjegoj si duhet.

 12 Akazi u përgjigj: “Jo, s’do të kërkoj as s’do ta vë Zotin në provë!” 13 Atëherë Isaia tha: “Dëgjo, pra, shtëpia e Davidit: A thua pak ju duket t’ua mërzitni njerëzve  e tani doni ta mërzitni edhe Hyjin tim?

Mbreti dëshiron të tërhiqet në mënyrë të edukuar. Argumentet e tij në dukje janë të vlefshme dhe të drejta: nuk do ta provojë Hyjin. Nuk dëshiron të jetë i mërzitshëm. Thua nuk është i sinqertë dhe i drejtë? Mirëpo ai, pikërisht kështu e tregon mosbesimin e vet. Si do të bëhet nëse Hyji i jep një shenjë tjetër nga ajo që ai e kërkon dhe dëshiron ta shoh? Si do të bëj nëse Hyji ia tregon rrugën tjetër nëpër të cilën ai nuk do të ecën? Kësaj i frikësohet Akazi. Ai nuk e kërkon vullnetin e Hyjit, pot të vetin. Feja jonë a nuk është shpesh e tillë? Lutjet tona a nuk janë shumë herë në të njëjtën vij siç ishte Akazi?

Po, Akazi qartë e humbi besimin. Isaia e qorton se i «ka mërzit njerëzit». Ai i ka mërzit njerëzit e vegjël dhe të thjeshtë. Ata i shfrytëzon dhe i shkel. Krejt kjo pastaj shfaqet në marrëdhënien e tij me Hyjin. Po, ai llogaritë vetëm në fuqinë e vet dhe në aftësitë e veta. Bënë besëlidhje me ata që mendojnë si Ai, e jo me Hyjin në të cilin nuk mbështet aspak.

 14 Prandaj, vetë Zoti do t’ju japë një shenjë të mrekullueshme. Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!

Edhe pse mbreti e ka refuzuar ta kërkojë shenjët prej Hyjit, Hyji e dha. Kjo shenjë përmbahet në lindjen e fëmijës emri i të cilit është «Emanuel», që do të thotë «Hyji më ne». Ky profetizim e tejkalon kohen e vet dhe ungjijtë në të shohin paralajmërimin e lindjes së Krishtit.

Isaia shpall shenjën e mrekullueshme të Hyjit që do të lajmërohet. Jo vetëm ndonjë shenjë që të na drejtojë në diçka. Kjo shenjë do të jetë Biri i tij që do të zbres mes nesh. Do të bëhet njëri prej nesh. Do të jetë vëllai ynë. Do të jetë Hyji më ne dhe mes nesh. Kjo është shenja më e madhe e dashurisë ndaj nesh. Në këtë mënyrë Hyji paraqitet si Dashuri. Dashuri për secilin prej nesh, secilën ditë dhe në të gjitha kohërat. Hyji ynë nuk është vetëm për vete dhe për njëfarë bote hyjnore të largët dhe të ftohtë. Ai nuk banon në ndonjë izolim të shkëlqyeshëm. Ai është Hyji më ne, Hyji më mua dhe më ty. Hyji me atë që e dua dhe që nuk e dua, me atë që jam mik dhe me atë që jam i ngatërruar. Hyji me të gjithë. Askënd nuk e shmang, askush për të nuk është i panjohur. Ne shumë shpesh jemi vetëm për vetën tonë. Të vetmuar. Tjetrin e përjetojmë si të ishte ferri. Të jesh vetëm për vete është ferri. Të jesh për tjetrin do të thotë të dalësh nga ferri, të dalësh nga lëvozhga që na ndan nga të tjerët.

Emanuel, Hyj më ne, na mëso që të jemi njëri me tjetrin. Na mëso që mos të jetojmë secili për vete. Ti e mohove vetveten e u ktheve drejt nesh dhe erdhe ndër ne. Të falënderoj që gjatë kësaj Kohe të Ardhjes kam mundësi të përgatitem për takimin me ty. Të falënderoj që e përjetoj se ti je me mua, me familjen, bashkësinë, famullinë time. Të falënderoj që këtyre Kërshëndellave do të takohemi së bashku. Eja, Emanuel, hynë në banesën time!

 


Current track

Title

Artist