MEDITIMI I DITËS – HYJI I PRANISHËM

Written by on June 15, 2017

Gjn 6, 51-58 HYJI I PRANISHËM

 

Kërkoj hirin: që të besoj, se Jezusi është i pranishëm në Eukaristi për mua.

 

Jezus, ti deshe në mënyrë krejtësisht të veçantë të mbeteshe në mesin tonë në Sakramentin e Trupit dhe të Gjakut tënd. Kjo është dhurata që nuk shprehet dot, plot me dashuri. Në të na dhurove vetveten. Prandaj kemi guxim të sodisim misterin e këtij sakramenti në dukën e pranisë.

Ti deshe të rrish afër njeriut. Gjatë jetës sate tokësore njerëzit ndjenin këtë cilësi të zemrës sate, sepse ti ishe gati për tu shërbyer njerëzve. Të gjithë pranë teje ndjenin veten të pranuar dhe të dashur. Askush nuk ndjeu se ti nuk e dëgjove dhe se nuk u more me të. Ti dite të dëgjoje njerëzit çfarë të thoshin, dije të dëgjoje mendimet e zemrave sepse ishe afër secilit njeri, i kthyer nga secili që kishte nevojë për ty. Në jetën tënde takojmë shembuj të shumtë të pranisë sate vepruese, e edhe më shumë, në shembuj të urisë së njerëzve që të besohen ty, sepse ti kishe kohë dhe dashuri për të gjithë.

Edhe ne, o Jezus, jemi të ndjeshëm kur dikush është pranë nesh. Shumë shpesh përjetojmë kriza sepse na mungon prania e njerëzve që do të duhej të na rrinin afër. Dëshpërohemi kur shohim se dikush nga të afërmit nuk është i gatshëm për të na dëgjuar, dëshpërohemi kur mjekët na shikojnë si objekt, gjë send, e jo si njeri. Në njeriun e sotëm ka gjithnjë e më shumë trauma dhe zbrazëti pikërisht për arsye të krizës së pranisë. Njeriu nuk di më të jetë i afërm, ose siç thua ti në Ungjill, nuk jemi të aftë të jemi i afërmi.

Të falënderojmë, o Jezus, për të vërtetën shpëtimprurëse se ti je besnik ndaj vetvetes dhe me forcën e ringjalljes, ti je i lirë nga koha dhe vendi që të jesh i pranishëm afër secilit në çdo vend dhe në çdo kohë deri në përfundimin e botës. Ty askush nuk ka nevojë të të pres, ti secilin çast je prani. Që këtë gjë ta realizoje për ne njerëzit në mënyrë të dukshme, e themelove Eukaristinë, sakramentin e dashurisë së pranishme. Në secilën Meshë, në secilin Kungim, ti, Jezus je i pranishëm në marrëdhënie personale në secilin që merr pjesë në Meshë, në ata që me besim të pranojnë në shpirt si Bukën e jetës. Kjo është prania jote për ne.

Eukaristia është sakramenti i pranisë sate në mesin tonë. Ne e njohim këtë prani në bukë dhe në verë dhe të adhurojmë ty, o Jezus që në mënyrë kaq të qartë dhe të afërme deshe të tregosh se je në mesin tonë, për ne. Kështu, askush më nuk është i vetmuar, askush nuk është i braktisur dhe i lëshuar në duart e fatit të vet. Ti Jezus u bëre i afërmi sepse e kërkove jetën, e bëre të mundur plotësinë e jetës së pasosur për ne. Këtë gjë e ndjen zemra ime, prandaj sa herë vij tek ti që je i pranishëm në Eukaristi, për mua plotësohet premtimi që me dhe: “Do të vijmë të Ati dhe tek ai do të banojmë!” (Gjn 14, 24).

 


Current track

Title

Artist